Korrespodenca e Ismail Qemalit me krerët shqiptarë të veriut gusht-tetor 1913

E një rëndësie të veçantë është për t’u theksuar fakti se në Malësi të Gjakovës ishin vendosur me mijëra refugjatë shqiptarë nga Kosova e robëruar, të cilët qenë dëbuar me dhunë prej vatrave të tyre nga ushtria pushtuese serbe. Në këto rrethana, Isa Buletini dhe Bajram Curri kishin kërkuar nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, përkatësisht nga vetë kryeministri Ismail Qemali, të siguroheshin mjete për blerjen e së paku 100.000 kilogramë drithë për nevojat e këtyre refugjatëve, jeta e të cilëve ishte në rrezik për shkak mungesës së bukës. 

Qerim LITA, Shkup 

Pas Luftës Ballkanike, trevat e pushtuara nga ushtria serbe qeveriseshin në bazë të “Dekretligjit mbi vënien e pushtetit në viset e çliruara”, të cilin më 27 dhjetor 1912 e nënshkroi mbreti serb Petar Karagjorgjeviq. Me këtë dekretligj në trevat e pushtuara praktikisht u vendos pushteti i jashtëzakonshëm ushtarak dhe policor më në krye Shtabin e Komandës Supreme serbe me seli në Shkup. Me ndërhyrjen e faktorëve ndërkombëtarë, deri në fillim të muajit maj 1913 trupat pushtuese serbe u larguan nga Elbasani, Kavaja, Peqini, Lushnja, Durrësi, Tirana, Kruaja etj., por edhe më tej ato mbeten dhe përforcoheshin në krahinat e Mirditës, Pukës, Gjakovës, Lumës, Dibrës, Librazhdit e Pogradecit. Menjëherë pas kësaj u formua Prefektura e Elbasanit, me prefekt Aqif Pashë Elbasanin, i cili në mënyrë të vazhdueshme e informonte Ismail Qemalin dhe Qeverinë e Përkohshme të Vlorës për ngjarjet dhe zhvillimet në tokat e pushtuara shqiptare nga Serbia.

Ndërkohë, Isa Buletini, pasi u kthye nga Londra, i pakënaqur nga vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha, të cilët ia dhuruan Serbisë thuajse gjysmën e tokave shqiptare, e la Vlorën dhe udhëtoi në Malësi të Gjakovës “për të jetuar dhe vuajtur” së bashku me shokët e armëve, me të cilët kishte bashkëluftuar plot 30 vite. “Eja të vdesim, Isa Begu smundte t’u kundërshtohej atyne që kërkonin të luftojnë për t’a mprojtur nderin e vet”, shkruante ndër të tjerave, gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, organ i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, që botohej dy herë në javë në Vlorë. Po kjo gazetë, në artikullin “Një fjalë e Isa Bej Buletinit”, shkruante se “luanët e Kosovës dhe të Malësiës s’Shkodrës” mendohen të ngrihen e të luftojnë burrërisht kundër tiranëve për t’u bashkuar me vëllezërit tjerë të Shqipërisë së lirë.

Këta fatosa, thuhej më tej në artikull, që përherë kanë luftuar dhe kanë derdhur gjakun e tyre për të drejtat shqipëtare dhe kanë nderuar gjith Shqipëriën me trimërinë e tyre, me hidhërim të madh themi se, që i gjykoi Evropa të mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë së lirë. Gjer sa pa u çquar fati i tyre, rinin të qetë, duke shpresuar se Evropa do u japin të drejtat të bashkohen me shtetin e ri, për krijimin e të cilit kaq shumë janë përpjekur. Por sot e panë që mbledhja e Londrës nuk i mori parasysh të drejtat e tyre, por, përkundrazi, pa ndonjë të drejtë, vendosën që të mbesin nën dhespotizmën e armiqve, janë gati, të ngrihen, të rrokin armët mizore, për të mbrojtur ato të drejta të natyrshme, të cilat Evropa e qytetëruarë sdesh t’ja u njihte. Le ta dijë fort bukur Evropa, që gjer sa pa u mbushur qëllimet dhe dëshirat e tyre, Shqiptarët e Kosovës dhe të Hotit e të Grudës kurrë nuk do të qetësohen, por do luftojnë gjer më në funt, sa të mos mbetet këmbë burri dhe kështu paqja në Ballkan për ditë do të jetë në rrezik”.

E një rëndësie të veçantë është për t’u theksuar fakti se në Malësi të Gjakovës ishin vendosur me mijëra refugjatë shqiptarë nga Kosova e robëruar, të cilët qenë dëbuar me dhunë prej vatrave të tyre nga ushtria pushtuese serbe. Në këto rrethana, Isa Buletini dhe Bajram Curri kishin kërkuar nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, përkatësisht nga vetë kryeministri Ismail Qemali, të siguroheshin mjete për blerjen e së paku 100.000 kilogramë drithë për nevojat e këtyre refugjatëve, jeta e të cilëve ishte në rrezik për shkak mungesës së bukës. Meqenëse një premtim i tillë nuk po realizohej, Isa Buletini, më 3 gusht 1913 i shkroi një letër Ismail Qemalit, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, fondi 145, përmbajtja e së cilës është për sa më poshtë vijon: 

“Shkelqesi,

Ma së pari Ju puthi duart me ma të madhin nderim. Ne tash jemi në Malësi të Gjakovës. Çdo skutë e Malësisë, gurë e shkëmb gjithkah, asht përplot mbushë me emigrantë të mjerë. Këta bijtë tuaj shqiptarë që u kanë ra ndorë kanë ardhun në një gjendje jo me lypë, por me vdekë. Nga 100.000 kile drithë që qe vendosë me ju nda këtyne fatkeqvet, vetëm një shumë afër 450 lirash asht dërguem në Shkodër. As kredia e pjesës tjetër as urdhëni i 6.000 kilesh, për të cilat u janë lutë, nuk kanë ardhun ende. Nuk duron zemër përpara vajtimit të këtyne bijve t’atdheut. Sidomos Ramazani i ka lodhë për vdekje. Sot asht koha ma e nevojshme me u ardhun në ndihmë këtyne bijve. Me qindra mija vetash presin këtë ndihmë sublime t’uajën. Kam qenë pak i smuet, por tash jam tue kthye në shëndet. Ju dëshiroj shëndet e qofsh i nderuem nalt e ma nalt…  

Boletini (me dorë)

 Djelmëve bejlerë u puthi sytë.                                         Isa…(vulë)”.

Mirëpo, pasi edhe pas kësaj letre nuk u erdhi ndihma e kërkuar, më 13(26) gusht 1913, i shkroi edhe një letër tjetër, e cila për dallim nga e para, ishte shumë më e ashpër, ku ndër të tjerave ai i shkruante kryeministrit shqiptar se ai, së bashku me Bajram Currin dhe me shokë tjerë, nuk mund më t’u bënin ballë “dallavereve” që po luheshin prej disave që qëndronin në Vlorë e në Shkodër. Përveç kësaj, në letër, ai shkruante për organizimin që Bajram Curri e kishte bërë në Krasniqe, Gash, Bytyç dhe Has, për betimin e popullsisë së këtyre krahinave se deri në vdekje do i qëndrojnë besnik Qeverisë Shqiptare dhe Ismail bej Qemalit, për vrasjet, djegiet dhe masakrimet e serbëve e malazezëve ndaj popullsisë shqiptare të pambrojtur, për organizimin e disa çetave të vogla shqiptare të cilat nuk ishin të mjaftueshme, për dërgimin sa më parë të mjeteve të premtuara etj. Për ta parë se çfarë në të vërtetë shkruante në këtë letër Isa Buletini, të njëjtën në vazhdim po e japim të plotë: 

“Shkëlqesës,

Ju puthi duart e shtrenjta dhe lus Perëndinë të ju mbrojë shëndetin. Nevoja më shtyen me shqetsue prap Em-Zotit. Shkaktar kryesor i themelimit të qeverisë së re Shqiptare, ma parë Zoti e mandej jeni Shkëlqesa e juaj. Nderën dhe vlerën e këtij shërbimi edhe na e kena çmue. Siç e dini Shkëlqesa e juaj edhe na jena përpjekë e po përpjekena për ta qitë në breg të shpëtimit këtë atdhe, këtë Shqipni. Sot s’po mund u bajmë ma ballë dallavereve që po luhen në Vlonë e në Shkodër prej disave. Se ç’vlerë ka cilësia e këtyne dallaverxjijvet e dijmë pse këta i njohim që nga vend-lindja e tyne, mandej në Shkodër e në Vlonë. Bajram Beu mblodhi njerëzit e Krasniqes, Gashit, Bityqit e Hasit. Doli për fushe roli që deshën të sjellin dallaverxhijtë tue ftue në Shkodër e në Vlonë, Elez Hoxhën me shokë. Bajram Beu u dëftoj tri rrugë këtyne fiseve: Ndo me pranue shërbimin e poshtër të Krajl Petrit e të Krajl Nikollës dhe kështu me ba therror atdheun; ndo me u nënshtruar urdhrave t’Smajl Qemal Beut, aty patrioti të madh që ka marrë mbi rregullimin e qeverisë së re së Shqipnisë. Dhe kjo asht tamam rruga, rruga e vërtetë e e nevojshmja. Ata të gjithë thanë: Mbassi ju qëndroni të lidhun me Ismail Qemal Begun, edhe na pra deri te kalamajt në djep, jena gjithsesi të lidhun me të’, dhe këto fjalë të thanuna një gojë i mbërthyem me besë të dhanun. Na e dimë se ju veç nesh s’keni tjetër që të përbuzin jetën dhe të marrin para sysh çdo flije. Që, tash po ju lutena prapë që të mos u jepni randësi atyne që s’kanë me i paraqitë letrat t’ona. Gjithashtu ju lutena të mos ju ngelë hatri për këta që po ju shkruajmë. Keni pas premtue të hollat e 100.000 kile të drithit. Kjo shumë ende nuk iu dorëzue Shkodrës. Dan Hasani ka prishë 300 lira prej të hollavet që dispononte. I kam shkrue në Em. Zotit veçanërisht edhe për 60.000 kile. Nuk luajti gja. E dini se qëllimi i jonë me dalë në Malësi qe me shpëtue Fenë, Atdhenë e Shqipninë. Si na premtuat Shkëlqesa e juaj ashtu edhe na u dhamë gjegje e sigurime të varfëve. Gashi, Krasniqi, Hasi, Bityqi, Plava e Gucija, të gjithë janë mbledhë grumbull dhe janë në shkallë me vdek një. Serbët e malazezët po djegin, po vrasin, po presin e po masakrojnë. Gjendja paraqet pamjen e një kasaphanes. Disa çeta të vogla nga t’onat janë në lëvizje, por çeta të forta s’kena mujtë me qitë edhe s’na mbet nderi, kurse na këtë e konsiderojmë ma të shenjtë se jetën. Kështu të panderë si duena gja as vedit as Shkëlqesës suej. Jena betua e kena dhanë besën me flijue jetën për këtë atdhe. Nuk jena prej atyne renacakvet që keni aty.

Shkëlqesi: Prap po kthejmë në çështjen e drithit. Na prej qeverisë spo kërkojmë ushtarë e fuqi. Kjo lidhet me politikën e Evropës. Na lypim ushqim, lypim bukë nga Evropa, ashtu si e ka kjo detyrë njerëzore me u shërbye e me u ndihmue atyne mbi të cilët randon kobi e mjerimi.

Kur qemë nda nga Shkëlqesa e juaj na patët premtuar se ‘qeh tash po ju jap këtë drithë, prapë ju çoj sa herë të shihet nevoja’. Në qoftë se ka asish që duan të qesin pengime në këto punë, Em. Zotit si kryetar qeverije mund të marrim hua gjetiu. Shumë ju lutna. Me këtë letër po vjen apostafat njeriu. Në është dëshira e juaj me na rujtë nderin presim prej mirësisë suej me krye këtë punë një or e ma parë. Nëse s’do të jetë e mundun me pranue lutjet t’ona atëherë na u gjegjni që të humbim kështu shpresën dhe të këqyrim me gjetë një rrugë tjetër.

Fundi: Asht dëshira kryesore e jonë e vazhdimit të shëndetit t’uej dhe të famës e të nderës s’uej.                                                   Boletini Isa

(Datë s’ka) 

(Letra për fund ka këtë shtesë) 

Mirësia e juaj asht shumë e madhe. Duke na u dërgue edhe pjesa tjetër e të hollavet, premtue Bajram Begut. Ju betohem se s’ka 10 pare. Nevojat e jetesës dytore asht tue i përballue me njëmijë vështërsi me huana. Shumë po më vjen turp. Po ju lutem fort – fundi-fundi gjeni hua e na i dërgoni.

Çetat e këtushme po tregojnë mjaft aktivitet. Përveç ndeshjeve të vogla, pardje i mësyen kodrat e Morinës, të zanuna e të forcueme prej Serbëvet dhe u ripoushtuen (çliruan – Q.L.) prej tonëve. Serbët lanë disa plaçka dhe ikën për Jakovë. Serbët e Malazeztë kanë pak fuqi. 40-50 bataljona që i kanë pasë këtu i kanë ngarkuar në Ferizoviq me trena të posaçëm dhe i kanë nisë për Shkup. Kështu kena marrë vesht. Por qëllimin s’po e kuptojmë. Afër 40 vetësh morën pjesë në ndeshjen e Morinës, dhe prej tyne 8 vetë u vranë e u plagosën”.

Një letër tjetër, që asaj kohe i arriti Ismail bej Qemalit, është ajo e Rexhep Mitrovicës, përmes së cilës ai e informonte kryeministrin shqiptar për vuajtjet e shumta të popullit të robëruar shqiptar në Kosovë nga barbarizmat serbe, të cilat, siç vë në dukje dita-ditës po zgjeroheshin dhe, për rrjedhojë, numër i madh i shqiptarëve, duke mos mundur t’i duronin torturat serbe po i lëshonin vatrat e tyre dhe iknin për në Turqi. Letra, e cila është dërguar nga Selaniku, dhe mban datën e 13 (26) gushtit 1913, ka këtë përmbajtje:

“Selanik 13 Gusht 1329

  1. VIII. 1913

Shkëlqesës së tij (Ismail Qemalit) 

Në këto ditë që jam këtu për të rregullue sa të jetë e mundum punët e mija, i shkrova një letër Myfyt Beut, mbasi Shkëlqesa e juaj nuk ndodhi në Vlonë, në të cilën letër shpjegova gjendjen shoqnore të Shqiptarëvet të Kosovës.

Sot po ndijë nevojën me ju shkrue edhe Shkëlqesës suej një letër me qëllim se ndoshta do të bani atë çka të ju vijë për dore për të lehtësue mjerimin e vëlleznëvet t’onë, të cilët shtypen e kërcnohen për ditë me metodat e reja; pse barbarizma serbe bahet përditë e ma e randë.

Me një gjuhë të përvajtueshme kallëzojnë bashkatdhetarët t’onë që vijnë nga Dibra, Tetova e Mitrovica, shtypjet, të rrahunat e torturat nën të cilat vuajnë popullsia e këtyne krahinavet të sundueme prej vojvodësh t’emnuem Nënprefekta.

Serbët kanë zaptue tri magazinat e Ibrahim aga Devës që asht një ndër tregtarët më në zë të Mitrovicës. Tash paskan zaptue dhunshëm dhe nji tjetër magazinë, paskan marrë nga dymijë grosh prej kujto si takës bashkiake, paskan marrë shumë nën urrejtje e burgosë si… Këto lajme po na i thonë Ibrahim Aga e miq tjerë. Nanë tjetër, Shqiptarët të dëbuem nga Turqija, me qindra po shrryhen këtu rrugavet…., pa kurrfarë shprese as për sot as për t’ardhmen. Po ata që kanë kthye në Kosovë, s’di si të jua përshkruej vuajtjet e tyne. Pronarët ndajnë t’ardhunat e çifliqevet të tyne me oficerat e ushtarët e u ngelin atyne në dorë një pakicë të hollash sa mos me vdekë…

Serbët lirojnë tregtarët me sjellë plaçka tregtije nga Selaniku në Shkup. Vijnë në Selanik dhe blejnë gjana. Kërkojnë autorizimin e importimit e Konsullata serbe nuk lëshon autorizim me pretekst se vagonat i duhen qeverisë. Malli u rin në Selanik. Po çdamë pësojnë tregtarët nga kjo gjendje e muni Shkëlqesa e juaj.

Shumë veta nga Shkupi me ish Kryetarin e Bashkisë e Myftinë në krye po ikin tue mos mujt me i durue torturat e Serbëvet. Vendi ka shkojnë asht Turqija mjerisht. Mirë po edhe prej këtu (Turqisë – Q.L.) dëbohen ata që s’janë Ihtihagji, e të mjerët marrin rrugët e Selanikut drejt Aleksandrisë, ku sigurisht i pret fati ma i lig.

Rrethi i barbarizmave në popull dita ditës po zgjanohet dhe po dobëson moralin e popullit. Duhet me u dalë para një orë e më parë kësaj gjendje. Sigurisht se asht e pa mundum me ba gja. Por mbassi sot Shtetet e Mëdhaja po interesohen me çështjen e Shkodrës, natyrisht duhet tu sjellet vëmendja e tyne edhe kah Kosova. Së paku, aty ku, na s’kena konsuj të marrë iniciativën qeverija me përfaqësue Shqipninë konsulli i ndonji Shteti të Madh. Kjo iniciativë ngjallë shpresë ndër Shqiptarë që janë të lidhun moralisht me qeverinë e Shqipnisë. Unë besoj se Shkëlqesa e juaj nuk dyshon në ndjenjat e mija patriotike prandaj kallëzimet e mija do t’i marrësh për të vërteta. Po ju them se sot Kosova ndodhet në ma të madhin mjerim. Vaji i gurit 68 grosh teneqja, kafja 38 grosh, krypa 2,5 grosh. Populli ka ra në varfëni. E me gjithë këtë, i duhet të bëjë flijime tue ndihmue familjet e varfëna qi u janë vra burrat ose u janë plagosë. Në anën tjetër taksa për arsimin serb, taksa tjera e të dhetta. Dhe Serbët me pretekst me nxjerrë këto taksa u bijnë katundevet, u japin zjarrmin shpijavet, vrasin, saqë shtrëngojnë popullin me lanë plang e shpi. Prej një shpije e zotnueme prej tre vëllezërve, marrin tri taksa, veç e veç prej secilit vëlla. Ndo një zegin i madh, (që) nda(n) ryshfet me grusht mund ta shpëtojnë njeriun nga kjo grabitje, ditë për ditë. Mirëpo rushveti nevojitë kapitale të mdhaja.

E çmon qeverija e përkohshme rëndësinë e jashtëzakonshme që për të ka Kosova. Prandaj edhe sikur të më japin ndonjë fryt demarshet e saja do të frymëzojë ndër Kosovarë besimin se ajo interesohet me mprojtë të drejtat e tyne dhe kështu qoftë edhe përkohësisht ndalon emigrimin. Me një fjalë banë me besue Kosovarët se ka një qeveri shqiptare. Mos u kurseni me demarshua ku ta shohi t’udhës Shkëlqesa e juaj, e aq sa të ju lejojnë rrethanat për të korrë e çka mund të korret, tue pasë para syshë çka unë guxova të ju parashtroj për të mirën e atdheut.

Vetëm mbas Bajramit do të mundemi me vu për ujdi punët e mija të ngatërrueme dhe vetëm atëherë do të mundemi me kthye.

Ju puthë dorën me nderime ma të mdhaja.                                                    

Rexhep Mitrovica

djali i ndjerit Mahmut – Beut

në Han tAga Pashës në Selanik”

Më 24 shtator 1913, Ismail Qemalit i arriti një telegram urgjent nga Brindizi të Italisë, prej Basri bej Dibrës, me të cilin ai e njoftonte për qëndrimin e tij në Paris dhe bisedimet e zhvilluara me disa diplomatë europianë në lidhje me çështjen e Gjakovës, Prizrenit, Dibrës, tre qytete shqiptare të cilat Fuqitë e Mëdha në mënyrë arbitrare i lanë jashtë kufijve të Shtetit Shqiptar, duke ia dhuruar Serbisë. Në vazhdim të telegramit, Basri beu e njoftonte Ismail Qemalin edhe për bisedimet me dy diplomatët serbë, Rakiçin dhe Pallakçiçin, ku temë boshte ka qenë vendosja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, për çka Basri beu është shprehur se para se Shqipëria të vendosë marrëdhënie me Serbinë, duhet të merren parasysh pikëpamjet e saj rreth përcaktimit përfundimtar të kufijve duke filluar nga Struga – Dibra e deri në Gjakovë, Prizren, Sharr e Caralevë, si dhe tërheqja e menjëhershme e ushtrisë serbe përtej kufirit të përcaktuar nga Konferenca e Londrës etj. Duke mos dashur të thellohemi më shumë, në vazhdim po e paraqesim të plotë përmbajtjen e telegramit në fjalë:

“Brindizi, 24 Shtator 1913

                     E ngutshme – Private, me rëndësi e konfidenciale 

Em. Zot.

Mbi telegramin që po ju mbyll këtu vajta deri në Paris. Gjithë miqtë e vjetër me mallë ju paraqesin Shkëlqesës suej nderimet. Librat t’ona po i blejnë për me i çuea n’Arabi e n’Anadoll. Kështu faleminderit Zotit, zene se shpëtova nga pozita e vështirë ndaj Shtypshkronjës. Nuk di a ka dërgue ndonjë send fisnikrija e juej?

Ndër këto ditë bashkë me motrën do të piqemi në Korfus e prej këtu do të shkojmë për Shkodër. Vendosëm me banue në Pukë në t’ardhmen. Natyrisht pjesën ma të madhe të jetës sime, t’aktivitetit do ta kaloj në Shkodër.

Këtë shteg u ba fjalë për Jakovën, Prizrenin, Dibrën me personaliteteve me randësi nEvropë. Ju shpjegova, aq sa qe nevoja, se të ngelunit e këtyre tre qyteteve nën Serbi do të qe një (gjakatar) i tmershëm që do të prishi paqen e sigurimin.

Shqipnija lëngon. Trupi i saj i smuet nuk lëvizë nga luftat e nga britunat, qenë fjalët që iu përsërita atyne personaliteteve tue iu parashtruem edhe shkaqe bindëse.

Në bisedimet që pata me Serbët drejtë për drejtë nuk konstatova tjetër veçse me sot e me nesër’. Rakiçi bante fjalë, pra me gojë të Pashiçit se për tash duhej të fillofshin punë – qoftë gjysmë zyrtare agjentat politike serbë e konsujt. Unë i gjegja në mënyrë të preme se Shqipnija a vendosë marrëdhënie me Serbinë para se Shqipnisë t’i pranohen pikëpamjet e saja, d.m.th. para se të zgjidhen çështjet e Strugës – së paku deri te Ujët e Radikës – deri në Dibër e të Jakovës deri në Sharr, Çernalevë (Caralevë – Q. L.), Prizren e Dri të Zi; dhe si argument mbi qëllimet që kishim ndaj qëllimet e mira të qeverisë serbe, parashtrova faktin se ushtrija serbe as nuk asht largue përtej kufinit të vizatum prej Konferencës së Londrës. Mirë, më tha Rakiçi, po ku dihet se nuk do të sulmohena ma lehtë tue përfitue nga lirimi i pikave ushtarake me randësi. Miherë i gjegja: mos bani pra aspak fjalë për relacione me Shqipni. Rakiçi kur po ndaheshim nuk u durue pa u kërcnue me këto fjalë: ‘Koha ua dëftojë Shqiptarëvet kuptimin e gjendjes së re’. Mbas bisedimeve (intrasigent Rakiçin) vijova bisedimet Modere Palagçiçin, në fund të të cilave u sigurue çashtja e zbrazjes që qe për ne suksesi i vetëm, por fort me randësi.

Mbas një intervali si të gjatë e mbas ngjarjeve të fundit, do të shihena prap me Palagçiçim, si mbas fjalëve që më ka çue. Tash ma shpresoj me ardhë në Vlonë mbas një jave me një përfundim. Me shpresë në Zotin, mbas Vlone kryej shërbime të vlefshme nga pikëpamja e së mirës s’atdheut edhe në Durrës pranë Esad Pashës. Instruksjonet e Shkëlqesës s’uej mi adresën në Korfus në Hotel Saint-Gjeorges mbi mua.

Fundi: Me nderime të thella u puthi durët.

Basri (Dibra)”.

Siç është e njohur, më 18/19 shtator 1913 shpërtheu kryengritja shqiptare kundër ushtrisë pushtuese serbe, e cila fillimisht shpërtheu në Dibër që më pas të zgjerohet edhe në Prizren, Gjakovë, Strugë, Ohër, Gostivar etj.           Ndër krerët më të dalluar që i prinë kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, duhet veçuar: Isa Boletinin, Bajram Currin, Elez Isufin, Islam Spahinë, Osman Litën, Mehmet Pashë Derallën, Sefedin Pustinën, Emin Beun, Shaqir Jegenin etj. “Përlindja e Shqipëniës”, më 21 shtator (4 tetor) 1913, përcillte njoftimin e korrespodentit të “Algemeine Zeitung” nga Shkodra, ku thuhej se çetat shqiptare të udhëhequr nga Isa Buletini dhe Bajram Curri e mposhtën ushtrinë serbe në Dibër dhe në afërsi të Prizrenit dhe se në Beograd ishte përhapur lajmi se “Shqiptarët hynë në Tuz duke dëbuar ushtarët malezes që gjendeshin atje”. Po kjo gazetë, më 15 tetor 1913, botoi thirrjen e parisë së Dibrës, drejtuar Fuqive të Mëdha, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:

Na Dibranët, të vënë nën zgjedhën e Sërbëve që për dhjetë muaj, duruam me bindësi çdo mënyrë shtypje, por ndjekja e fundit na forcuan në kaq dëshpërim sa të pëlqejmë vdekjen nga robëria. Mijëra të pafajshim të ikur nër male dhe shkëmbinj, janë në rezik vdekje prej të ftohti dhe urie. Gjendja e jonë e tanishme asht e padurueme dhe e paskëtajmëja jonë e errët dhe e panjohur. Vetëm drejtësia e Fuqive të mëdha dhe mëshira e popujve të qytetëruëm mundin të n’a shpëtojnë. Të sigurt që lutjet t’ona do dëgjohen për së shpejti, kërkojmë drejtësijën e kabineteve të Fuqive të mëdha dhe ndërgjegjen e popullit t’Evropës, i cili asht i vetëm që mund të n’a apë të drejtën të rnojmë të lirë n’atdhenë t’onë të njëshëm”.

Menjëherë pas shpërthimit të Kryengritjes së Shtatorit 1913, Ismail bej Qemali mbante korrespodencë të vazhdueshme me prefektin e Elbasanit, Aqif Pashën, që me këtë rast e pashë të arsyeshme t’i botojmë të plotë: telegramin e Aqif Pashës të datës 13 (26) shtator 1913 dërguar Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ku veç tjerash ai shkruan për përparimin e shpejtë të kryengritësve shqiptarë nga Dibra, të cilët ishin ndarë në tre krahë: Mavrovë – Kërçovë – Strugë, si dhe për nevojën e dërgimit të menjëhershëm të armatimit dhe të municionit; si dhe telegramin kthyes të Ismail Qemalit, ku ai ndër të tjera e porosiste Aqif Pashë Elbasanin që shqiptarët duhet të ishin të matur me ushtrinë serbe në kufi, për “garancën” e dhënë nga pala serbe se “nuk do ta kalojë kufirin” etj.

Telegram i prefektit të Elbasanit, Aqif Pashës, drejtuar Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, me të cilin njoftohet mbi sukseset e kryengritësve shqiptarë në Dibër dhe propozon masat për tu ndihmuar me armë e me municion

13 shtator 1329

26 shtator 1913 

Mbi çështjen e armëve dhe të municioneve për Dibër, që jua paraqitem dhe ju lutëm dje, nuk patëm nderin të marrim ndonjë përgjigje, kurse nga Dibra, armët dhe municionet po kërkohen me intensitet. Sipas fjalëve të njerëzve që vinë nga Dibra drejt e këtu e sipas lajmeve që muarmë, shqiptarët janë ndarë në tre krahë, nga të cilat ai që i është drejtuar Gostivarit, pushtoi Mavrovën, e cila ndodhet në një distancë dy orë afër Gostivarit dhe kësisoj kemi shpresë të madhe se deri sonte në darkë do marrim edhe lajmin e rënies së Gostivarit. Krahu që marshon për Kërçovë kaloi matanë Loposhin dhe krahu i tretë i është afrue Strugës. Me ndihmën e Perendisë, sukseset po vazhdojnë. Të tre krahët e përmendur, lajmërohemi se përbëhen prej afro 12.000 vetësh dhe po luten e thërrasin çdo minutë për armë dhe municionë. Tërë ajo sasi armësh që Zotëria e Juaj do na i dhuroni andej dhe këto që do mundemi të mbledhim ne këtu nuk mjaftojnë për të mbaruar punë që të plotësohet qëllimi. Shkelqësia e Juaj vallë çmendon? Për të mos dështuar ky marshim burrnor i këtyre heronjve dhe që të mos ta humbasim këtë pjesë të çmuar të atdheut tonë vallë a është e mundur që të përgatiten armë nga ndonjë anë dhe të sillen apo jo? Si urdhëroni Zotëria e Juaj?”. 

“Telegram i kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, drejtuar Prefekturës së Elbasanit, me të cilin porositë që të jenë të matur me ushtrinë serbe në kufi 

22 shtator 1329                                                       5 tetor 1913 

Me telegramin që ju hoqëm mbrëmë, ju komunikuam se Serbia ka dhënë sigurime të forta që kufirin nuk do ta kalojë. Duke marrë parasysh se Qafa e Thanës është fundi i kufirit tonë dhe se ky vend edhe më parë ka qenë i pushtuar nga serbët, duket se këta nuk do të marshojnë për të kaluar kufirin. Prandaj nuk duhet të ketë arsye për një shqetësim të madh. Me gjithkëtë, po u drejtohemi mbretërive të mëdha përsëri. Dhe ju aty e rregulloni gjendjen në mënyrë që forcat të mos bien në kontakt dhe nga kontakti të mos lindë ndonjë përpjekje. Njoftoni zyrtarisht edhe komandantin serb, duke u shprehur me një gjuhë tepër miqësore, por dhe të prerë, se Qeveria jonë marrëdhëniet e mëparshme me Serbinë nuk i ka ndryshuar dhe se prandaj as Serbia nuk ka arsye që ti prishë këto marrëdhënie. Kështu përpiquni të çelni një shtek për korrespodencë. Përfundimin, zotëri, luteni na e njoftoni sa më shpejt. 

                                                             Kryetari i Qeverisë

                                                                Ismail Qemali”

 

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button