Koreja e Jugut kërkon “deklaratë paqeje” për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës Koreane

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut tha sot se do të ndjekë një “deklaratë paqeje” politike që synon t’i japë fund zyrtarisht Luftës Koreane dhe të hedhë themelet për një regjim të përhershëm paqeje në Gadishullin Korean, transmeton Anadolu.
Në një raport të paraqitur në Asamblenë Kombëtare, ministria tha se deklarata do të shprehë vullnetin politik të palëve kryesore për të ecur përtej armëpushimit të vitit 1953 që ndaloi luftimet, por që nuk i dha fund kurrë zyrtarisht luftës, raportoi Yonhap News.
Teknikisht, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mbeten në luftë sepse konflikti përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje. Iniciativa e propozuar do të përfshijë Korenë e Jugut, Korenë e Veriut, SHBA-në dhe Kinën, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes origjinale të armëpushimit.
Plani vjen pasi presidenti koreano-jugor, Lee Jae Myung premtoi përpjekje të reja për të transformuar armëpushimin të vjetër prej dekadash në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, përfshirë diskutimet mbi një traktat të mundshëm paqeje.
Zyrtarët thanë se deklarata do të shërbejë si një hap politik drejt lehtësimit të tensioneve dhe krijimit të kushteve për negociata më të gjera mbi sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ideja i ngjan një iniciative të ngjashme të ndjekur nga ish-presidenti Moon Jae-in. Përpjekjet e tij për një deklaratë për përfundimin e luftës ngecën pasi samiti i vitit 2019 në Hanoi midis udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump përfundoi pa një marrëveshje.
Seuli paralajmëroi se Pheniani mund të përgjigjet me kritika ose demonstrime ushtarake gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të ardhshme “Mburoja e Lirisë” midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së të planifikuara për 9-19 mars.



