Kordallov: Edhe pse politikanët përdorin mediat sociale, ata nuk komunikojnë me ndjekësit e tyre

Politikanët dhe partitë politike prej kohësh kanë fushata në Facebook, X, Instagram, por edhe në TikTok, që më së shumti përdoren nga popullata e re në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm. Komunikologu Bojan Kordallov në një intervistë për MIA-n thotë se përkundër faktit që përdorin rrjetet sociale, politikanët nuk komunikojnë përmes tyre me përkrahësit apo me ata që duan të tërheqin për të dëgjuar se çfarë kanë për të thënë, por vetëm shpërndajnë postime. Sipas tij, politikanëve u mungon qëllimi i rrjeteve sociale.

“Ka dy lajme të këqija, në thonjëza, për politikanët. I pari, ne jemi duke përfunduar analizën e rregullt vjetore të bërë nga IDUEP (Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektivën Euro-Atlantike) se si politikanët në detyrë apo zyrtarët publikë përdorin mediat sociale dhe deri më tani rezultati është se nuk ka asnjë ndryshim. Pra, kur nuk keni ndonjë përmirësim, automatikisht do të thotë se po ktheheni pas dhe aq më tepër se cilësia po bie”, citon komunikologu Kordallov.

 Kjo, siç thekson ai, na sjell në lajmin e dytë të keq për politikanët, që nëse mendojnë se thjesht do të zënë një hapësirë tjetër ku do të tentojnë të imponohen, rezultati do të zhduket.

“Kot je në TikTok, Facebook, Instagram, Twitter… ku të duash, nëse nuk zbaton rregullat e lojës që ka komuniteti atje. Nëse mendoni se si politikanë do të hyni atje dhe do të thoni unë jam këtu në krye dhe do të bëj rregullat e mia dhe do të bëj spam me atë që bëra sot, kë takova, votoni për mua etj. , njerëzit thjesht nuk ju ndjekin. Në këto gracka bien politikanët. Ata janë të pranishëm atje, por ndjekin vetëm përkrahësit e tyre dhe i drejtohen vetëm bazës së tyre partiake”, thotë Kordallov.

Është e nevojshme, thekson ai, të përshtatemi me tendencat që po ndodhin, por tendencat i diktojnë njerëzit, jo kundërshtari politik.

“Nëse i drejtoheni dhe i dërgoni një mesazh si politikan një target grupi të caktuar, shikoni ku e gjeni, në cilën media, ndoshta është në mediat tradicionale, ndoshta është në mediat sociale, ndoshta është në ndonjë platformë tjetër digjitale. Pyetini në çfarë mënyre duan dhe nëse duan të marrin informacionin tuaj dhe pastaj lidhuni me ta, sepse duke vrapuar për masivitet, partitë politike kanë humbur hapin me kohën”, thotë Kordallov duke shtuar se nuk jemi në vitin 1991 kur mund të mblidhen 70.000 njerëz në shesh. Sipas tij, politikanët duhet të kuptojnë se mediat tradicionale dhe ato sociale janë partnerë në fushatë.

Intervista e plotë me Kordallovin, në të cilën diskutohet për digjitalizimin, ndërgjegjësimin për përdorimin e shërbimeve elektronike etj MIA do ta publikojë nesër.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button