Konteksti që çoi në lindjen e pashmangshme të Rugovës
Rugova ishte mishërim i gjithë lëvizjes nacionaliste për përmbushjen e kauzës kombëtare. Ai u bë simbol i një lëvizjeje paqësore, e cila ishte rrjedhojë e vetëdijes së nacionalizmit shqiptar: çështja kombëtare nuk fitohet pa mbështetjen e një fuqie të huaj, mundësisht SHBA, e cila është e distancuar nga interesat e fuqive europiane. Retorika e presidentit Rugova i kishte, në thelb, tre mesazhe kryesore: aleancë me SHBA, pavarësi për Kosovën, demokraci për popullin e Kosovës.
Çelo HOXHA, Tiranë
Me krijimin e shtetit të cunguar shqiptar (1912), duke mbetur jashtë tij më shumë se gjysma e territoreve dhe popullsisë, lindi gjakimi për bashkimin kombëtar, i cili u kthye në kauzë për njerëzit me vetëdijen kombëtare. Nëse ka njerëz fatkeqë në historinë e shqiptarëve, ata janë aktivistët e bashkimit kombëtar, të cilët janë goditur në mënyrë sistematike, pa mëshirë, nga armiqtë.
Armiqtë i patën të fortë, kurse përkrahësit, nëse i patën, ishin të dobët. Armiqtë ishin e vazhdojnë të jenë, shtete të mirorganizuar, me burime financiare dhe njerëzore të pafundme. Mbështetëse e tyre ka qenë vetëm Shqipëria, e cila përherë ka qenë e dobët, e për një kohë të gjatë nën kontrollin e armiqve të kauzës kombëtare.
Në mendimin patriotik të viteve 1920-30-të, patriotët mund të ndahen në dy rryma: ata që mendonin se duhej të bëhej çlirimi i trojeve shqiptare (në vazhdim kjo do të identifikohet me Kosovën) dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë dhe ata që mendonin se në fillim duhej punuar për forcimin e shtetit të Shqipërisë, pastaj të luftohej për Kosovën. Sipas grupit të dytë, pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihej vetëm me përpjekjet e popullit shqiptar; ata mendonin se ishte e domosdoshme mbështetja e një fuqie të madhe, jashtë Europës, siç ishte, për shembull, SHBA-ja. Të dyja grupet kanë lënë gjurmë të pashlyera në histori; nga grupi i parë dolën martirët, nga grupi i dytë vizionarët.
Idenë për mbështetjen amerikane, Mid’hat Frashëri e ka artikuluar në mënyrë direkte. Ajo buronte nga fakti se fuqitë europiane ishin pjesëmarrëse në copëtimin e trojeve shqiptare dhe kishin interesa me vendet fqinje. Mirëpo, në një botë të bazuar në interesa, asgjë nuk është e përjetshme. Fuqitë europiane u zhytën në luftën e dytë mes tyre (që e quajnë Lufta e Dytë Botërore) dhe, me mbështetjen e Italisë, u realizua shteti shqiptar etnik, duke iu bashkuar Shqipërisë gjithë territoret e copëtuara më 1913. Ky ishte një realitet i përkohshëm, por vërtetoi tezën e vizionarëve: bashkimi kombëtar mund të realizohej vetëm me mbështetjen e një fuqie të madhe.
Fuqia që e realizoi krijimin e Shqipërisë etnike ishte Italia, e cila gjendej në trojet shqiptare si pushtuese. Shqiptarët nuk e ftuan atë ta pushtonte Shqipërinë dhe pastaj ta krijonte Shqipërinë etnike, por, kur iu dha rasti, ata e shfrytëzuan fuqinë italiane për të realizuar kauzën e tyre. Pallavrat komuniste për kolaboracionizëm (bashkëpunim me fashistët) ishin argumente ideologjike për ta fshehur qëndrimin e tyre kundër kauzës kombëtare.
Pikërisht në këtë kohë në Shqipëri filloi organizimi i komunistëve, si një një instrument i armqive të kauzës kombëtare. Ata u organizuan me urdhër të Moskës (alias Kominterni), nën kujdesin e Partisë Komuniste Jugosllave, dhe, për rrjedhojë, i mbrojtën interesat e Moskës dhe Beogradit, gjithsesi në dëm të interesave shqiptare. Gjatë diskutimeve në Mukje (1 gusht 1943) mes nacionalistëve dhe komunistëve, për të krijuar një front të përbashkët të armatosur kundër forcave gjermane, pika më e nxehtë e bisedimeve u kthye çështja e Kosovës. Nacionalistët kërkonin që në marrëveshje të specifikohej që, pas lufte, pavarësia e Kosovës, të bëhej në bazë të parimit të vetëvendosjes, ndërsa komunistët ishin kundër tezës së nacionalistëve, kundër vetëvendosjes së Kosovës, dhe mbrojtës të flaktë të interesave jugosllave.
Pas debatesh të shumta, në Mukje u arrit që në marrëveshje të përmendej krijimi i Shqipërisë etnike. Neni përkatës u debatua gjatë dhe në fund u arrit në këtë formulim: “luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botnisht e të garantuem nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipni etnike”. Përfaqësuesit e Partisë Komuniste Shqiptare e kundërshtuan me forcë çështjen e Kosovës, herë-herë me argumente qesharake. Një nga delagatët e PKSH, Myslym Peza, i dënuar për vrasje nga gjykata në vitet 1930, tha: “Kosovën na e ka falë fashizmi. Ne nuk pranojmë dhurata nga fashizmi”. Përgjigja e Nexhat Peshkëpisë, përfaqësues i Ballit Kombëtar, ishte e epike: “Kur të humbet ora dhe një i huaj e gjen dhe ta kthen, ajo nuk duhet pranuar, kur është jotja?”
Por, Marrëveshja e Mukjes nuk zgjati. Ajo u prish nga jugosllavët që e drejtonin PKSH-në. Me prishjen e saj, nisi lufta civile: komunistët kundër nacionalistëve, kundër elitës shqiptare në përgjithësi, duke e shkatërruar kështu edhe mundësinë e shqiptarëve për të luftuar për kauzën kombëtare.
Nuk është rastësi që çështja shqiptare do të niste një organizim serioz në fund të viteve 1980-të dhe qendra e gravitetit të saj tashmë ishte Kosova. Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, vendi u fut në spiralen e vetëshkatërrimit. Në Kosovë, kur regjimi komunist shikohej si një akt pushtimi, pra kur atë e përfaqësonte i huaji, reagimi i brendshëm ishte më i fortë. Por, edhe aty u deshën dy breza njerëzorë që të lindte një brez i ri veprimtarësh dhe një brez i ri udhëheqësish, të prirë nga Ibrahim Rugova.
Rugova ishte mishërim i gjithë lëvizjes nacionaliste për përmbushjen e kauzës kombëtare. Ai u bë simbol i një lëvizjeje paqësore, e cila ishte rrjedhojë e vetëdijes së nacionalizmit shqiptar: çështja kombëtare nuk fitohet pa mbështetjen e një fuqie të huaj, mundësisht SHBA, e cila është e distancuar nga interesat e fuqive europiane. Retorika e presidentit Rugova i kishte, në thelb, tre mesazhe kryesore: aleancë me SHBA, pavarësi për Kosovën, demokraci për popullin e Kosovës.
Dhe, rezultati nuk vonoi: 18 vjet më vonë nga 2 korriku 1990, kur Kosova u shpall republikë në mënyrë të njëanshme, vetëm nga shqiptarët, ajo u bë shtet i pavarur, i njohur botërisht. Dhe, siç kishin parashikuar vizionarët, mendimin e të cilëve e përqafoi Rugova, pavarësia u arrit me mbështetjen e SHBA-së.
Jemi shumë afër në kohë dhe, për mendimin tim, mungon perspektiva e nevojshme për t’ia dhënë Ibrahim Rugovës vendin që e meriton në histori. Në gjykimin tim, në historinë e shqiptarëve nuk ka një të dytë për ta krahasuar me të. Dakord, Skënderbeu, do të thonë disa, por, në realitet, ai është një hero i krijuar nga Rilindja Kombëtare, duke anuar më shumë nga miti sesa realiteti. Ai ishte si puna e një rrufeje, e cila sjell dritë, por nuk shërben si burim drite. Askush nuk mund ta identifikojë trashëgiminë e tij politike; gjithë ç’ka mbetur, është një folklor heroizmash qëndrese dhe trimërie. Nuk po përmend figura të tjera, të cilat nuk kanë punuar asnjë sekondë për kauzën kombëtare dhe glorifikohen, në Shqipëri sidomos, vetëm se janë bërë ndërkombëtarisht të njohur për arsye pa lidhje me historinë e shqiptarëve.
Njerëzit e mëdhenj vlerësohen për atë që bëjnë dhe atë që lënë pas. Trashëgimia e Ibrahim Rugovës është republika e pavarur e Kosovës. Asnjë shqiptari tjetër në histori nuk mund t’i atribuohet një arritje e tillë.