Konteksti juridik i krijimit të “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”
Nisma (nëse mund të konsiderohet e tillë deri më tash) ngre pikëpyetje sa i takon përkimit me standardet demokratike bashkëkohore. Fillimisht, ajo nuk vjen nga kërkesat politike të shtetasve bektashinj të Shqipërisë. Qytetarët bektashinj nuk janë të organizuar në një platformë politike me synime fetare në organizimin e shtetit. Madje, historia flet për të kundërtën.
Ditar KABASHI, Prizren
Në fjalimin e mbajtur më 22 shtator 2024 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e Samitit për të Ardhmen, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi krijimin e një shteti të ri në Tiranë, duke u shprehur: “…ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës së paqtë”.
Që në krye të herës duhet paralajmëruar se domeni i analizës juridike në vijim është i kufizuar nga të dhënat e deritashme (tetor 2024) që kanë buruar nga deklaratat zyrtare të kryeministrit Rama dhe kryegjyshit botëror të bektashinjve, Dede Edmond Brahimaj, përkitazi me tendencën për krijimin e një shteti sovran të vogël në kompleksin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Zhvillimet e reja në këtë drejtim mund të prodhojnë analiza të tjera, pa paragjykuar trajektoren e shtjellimit të kësaj çështjeje.
Liria e besimit në Shqipëri
Pas rënies së monizmit, që kishte sanksionuar lirinë e besimit, në Shqipëri u shfuqizua kjo ndalesë dhe u rifunksionalizuan bashkësitë fetare. Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1998 përcakton se liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar, që secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve dhe se askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.[1]
Po kështu, askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si: gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore dhe se askush nuk mund të diskriminohet për këto nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.[2]
Raporti i shtetit shqiptar me bashkësitë fetare
Kushtetuta e Shqipërisë u njeh subjektivitet bashkësive fetare brenda territorit të shtetit. Në Republikën e Shqipërisë janë pesë bashkësi fetare: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Katolike Romake në Shqipëri, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (protestantët). Lidhur me raportin e shtetit me bashkësitë fetare, Kushtetuta[3] i përcakton disa rregulla mjaft indikative:
E para – në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. Domethënë, shteti nuk funksionon duke u bazuar në rregullat e një feje të caktuar.
E dyta – shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe e garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Duke garantuar lirinë e besimit dhe të shprehjes së tyre, shteti e respekton dinjitetin e secilit shtetas.
E treta – shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. Pra, shteti i trajton pa dallim dhe nuk e favorizon ndonjë bashkësi fetare kundruall të tjerave.
E katërta – shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. Kjo qasje buron nga tipari asnjanës i shtetit në çështjet fetare dhe i detyron palët jo vetëm ta njohin ekzistencën e njëra-tjetrës, por edhe të bashkëpunojnë për dobinë e përgjithshme të shoqërisë shqiptare.
E pesta – marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. Kjo dispozitë interesante u njeh bashkësive fetare status të veçantë juridik, pasi i bën palë me të cilat Qeveria duhet të lidhë marrëveshje që duhen miratuar në Kuvend. Kjo procedurë u ngjason marrëveshjeve ndërkombëtare që bën shteti. Një efekt juridik i këtij përvijimi kushtetues është ai që shteti nuk mund t’i rregullojë çështjet fetare në mënyrë të njëanshme me akte ligjore e nënligjore, por vetëm përmes marrëveshjeve me bashkësitë fetare, të cilat fitojnë fuqi juridike kur aprovohen në Kuvend.
E gjashta – bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve. Me këtë dispozitë forcohet pozicioni i bashkësive fetare, meqë ajo garanton fushëveprimin autonom të rregullimit fetar dhe administrimit të pasurisë për secilën bashkësi fetare.
Duhet theksuar se sektet e ndryshme veprojnë me statusin e organizatave jofitimprurëse (joqeveritare) dhe jo të bashkësive të posaçme fetare.
Krijimi i shteteve
Shtetet krijohen si pasojë e rrethanave historike dhe shoqërore. Ka disa mënyra të paraqitjes së shteteve. Një mënyrë e krijimit të shtetit ndodh në një territor të pabanuar ose fare pak të banuar a në një vend ku më parë nuk ka pasur shtet (p.sh. Liberia më 1822). Sot nuk ka vend pa ndonjë pushtet shtetëror, andaj kjo formë e krijimit të shtetit është arkaike.
Shtetet mund të krijohen edhe me ndarjen e një pjesë të caktuar të territorit nga një shtet (p.sh. SHBA-të më 1776) ose me ndarjen e një shteti në dy a më tepër shtete të pavarura (p.sh. Austria dhe Hungaria më 1918). Format e ndarjes mund të jenë me forcë ose me marrëveshje.
Një formë e krijimit të shtetit është bashkimi i dy a më shumë shteteve (p.sh. Italia më 1870).
Proceduralisht, shtetet mund të krijohen me: a) akt juridik të brendshëm (p.sh. Guineja më 1958 pas referendumit të përcaktuar nga Franca); b) traktat ndërkombëtar (p.sh. Vietnami më 1946, me marrëveshje franceze-vietnameze); dhe c) vendim të një organizate ndërkombëtare (p.sh. Izraeli më 1947).[4] Në kontinentin afrikan dhe atë aziatik, shtetet kryesisht janë themeluar si rezultat i luftërave antikolonialiste.
Shpallja e krijimit të një shteti nuk bëhet nga ana e një shteti tjetër. Shteti shpallet nga ana e popullit (ose tërthorazi nga përfaqësuesit e popullit) dhe më pas mund të kërkojë t’i njihet subjektiviteti shtetëror nga shtetet e tjera.
Në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare, rëndësi ka krijimi faktik i një shteti me një akt juridik. Ndërsa, në pikëpamje të së drejtës kushtetuese, faktor kyç është krijimi i një shteti duke qenë në harmoni me rendin juridik pozitiv.
Termi “urdhër” në togfjalëshin “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”
Në tekstet juridike secili term a nocion i përdorur duhet përzgjedhur me kujdes. Në rastin konkret, meqenëse termi “urdhër” përdoret në emërtimin e një “shteti”, duhet analizuar edhe kuptimin gjuhësor të kësaj fjale.
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e përkufizon fjalën “urdhër” në kuptim të shprehjes fetare “bashkësi e mbyllur fetare në gjirin e Kishës katolike, anëtarët e së cilës jetojnë sipas disa rregullave të rrepta: urdhri i jezuitëve (i françeskanëve)” dhe si term në histori “bashkësi ushtarako-fetare në mesjetë, e krijuar nga shtetet feudale e nga papa për qëllime pushtuese: urdhri i kryqtarëve.”[5] Vihet re se Fjalori e ndërlidh këtë fjalë ekskluzivisht me ritin katolik. Sigurisht ky term përdoret sot nën ndikimin e fjalës latine “ordo”, e cila në traditën katolike është kuptuar e praktikuar si “urdhër”. Në thelb, “ordo” nënkupton “rend” (sistem organizimi). Së këndejmi, mund të trajtohet nga gjuhëtarët dhe teologët nëse termi “urdhër” është barasvlerës në kuptim të përdorimit të tij përgjatë historisë së bektashizmit, të njohur si tarikat (në shqip: rrugë). Megjithëkëtë, mbetet e paqartë nëse arsye e mundshme e këtij emërtimi në rastin bektashian mund të jetë prirja për analogji me Urdhrin Sovran të Maltës, me qëllim që të përftohet një lloj precedenti për legjitimimin e nismës së krijimit të “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”.
Nisma për “Shtetin Sovran Bektashian” nga prizmi demokratik
Nisma (nëse mund të konsiderohet e tillë deri më tash) ngre pikëpyetje sa i takon përkimit me standardet demokratike bashkëkohore. Fillimisht, ajo nuk vjen nga kërkesat politike të shtetasve bektashinj të Shqipërisë. Qytetarët bektashinj nuk janë të organizuar në një platformë politike me synime fetare në organizimin e shtetit. Madje, historia flet për të kundërtën: komuniteti bektashian ka nxjerrë figura pararendëse në latimin e nacionalizmit shqiptar dhe ruajtjen e vlerave përbashkuese të të gjithë shqiptarëve.
Qytetarët bektashinj nuk kanë iniciuar ndonjë peticion a mjet tjetër juridik për të kërkuar themelimin e një shteti mbi bazën e doktrinës së tyre të besimit.
Në të vërtetë, ky “shtet” nuk planifikohet të jetë i mbarë besimtarëve bektashinj shqiptarë (të huaj jo se jo), por vetëm i klerikëve bektashinj. Kjo kuptohet nga njoftimi i bërë në faqen zyrtare të Kryegjyshatës, në të cilën, ndër tjerash, thuhet: “… si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit.”[6] Bazuar në këtë njoftim, del se qytetarët që i përkasin besimit bektashi nuk do të pajisen me pasaporta të shtetit të ri.
Një dimension që imponon analizë për nivelin demokratik është ai i pjesëmarrjes së opinionit publik në procesin e konsolidimit të një ideje, fuqizimit të një nisme dhe vendimmarrjes për çështjet që afektojnë mbarë shoqërinë e shtetin. Që nga hedhja e idesë nga kryeministri Rama, kundrohet mungesa e debatit të mirëfilltë publik, në të cilin do të kontribuonin – krahas politikanëve – intelektualët, akademikët, ekspertët juridikë, përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe jo që kjo çështje të konsumohet zhurmshëm në studiot televizive.
Juridikisht, a mund të krijohet “Shteti Sovran Bektashian” në Tiranë?
Kushtetuta e Shqipërisë e përkufizon shtetin shqiptar si unitar dhe i pandashëm.[7] Tërësia e territorit të shtetit konsiderohet si njëra ndër bazat e shtetit.[8]
Kur një kushtetutë thotë se shteti është unik dhe i pandashëm, kjo nënkupton që ai nuk mund të ndahet në pjesë fragmentare duke u bazuar në identitetin e komuniteteve që jetojnë aty, përfshirë identitetin fetar. Domethënë, mbi premisa identitare nuk mund të krijohen mikroshtete në kuadër të një shteti unitar. Duke qenë kështu, sipas kushtetutës aktuale, nuk duket se ka rrugë juridike që shpie në shkëputjen e një territori (sado i madh të jetë) dhe as të ngrihet një sistem paralel i qeverisjes karshi sistemit qendror të Republikës së Shqipërisë. Kjo mund të ngjajë në shtete me rregullim federal, por jo në rastin e Shqipërisë. Për ilustrim analogjik, kujtojmë se në mesin e shumë kritikave që i janë drejtuar idesë dhe përpjekjeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës ndoshta më kryesorja ka qenë për karakterin monoetnik të parashikuar të këtij entiteti, i cili, madje, as nuk quhej “shtet sovran” sikurse ky i “Shtetit Bektashian” dhe as përmbante tipar sovran, por deri diku autonom.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.[9] Termi “popull” ka kuptimin e mbarë popullit të Shqipërisë, pa dallim identiteti fetar (edhe bektashi). Me idenë e deklamuar synohet krijimi i një entiteti të pavarur dhe sovran të Kryegjyshatës. Një formë “e drejtpërdrejtë” e ushtrimit të sovranitetit është referendumi. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, populli – nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote – e ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve (28 deputetë) ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.[10] Gjykata Kushtetuese e shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum.[11]
Siç u bë fjalë më lart, karakteri laik i shtetit dhe pozicioni asnjanës në çështjet e besimit (neni 10) nuk përligjin krijim entitetesh juridiko-politike me përkatësinë fetare. Aq më tepër që vetë shteti nuk mund të iniciojë lëvizje të tilla.
Përpos kësaj, ky mund kthehet në precedent jo vetëm për komunitetet e tjera fetare në Shqipëri por për mbarë shtetet e botës ku mund të ketë aspirata të tilla të komuniteteve. Nuk është argument bindës që “Shteti Bektashian” krijohet për shkak se ekziston Kryegjyshata Botërore. Ky shtet nuk do t’i mbledhë të gjithë bektashinjtë e botës, por do të jetë shtet shqiptar i Kryegjyshatës Bektashiane.
Krahas këtyre elementeve, sajimi i një shteti të tillë do të lindë probleme të tjera të natyrës juridike. Fjala bie, cili do të jetë statusi i pronave dhe i teqeve bektashiane anekënd Shqipërisë? Nën juridiksionin e kujt do të jenë ato: nën juridiksionin e bashkësisë fetare bektashiane që mund të mbetet e tillë në Republikën e Shqipërisë apo nën juridiksionin e “Shtetit Bektashian”? Po të jetë kjo e dyta, cili do të jetë statusi i tyre në Shqipëri, a do të kenë eksterritorialitet?
Dhe, një dilemë tjetër: meqë u përfol në media se në këtë shtet pritet të mos ketë pushtet gjyqësor dhe as polici, kush do t’i ndjekë rastet e mundshme penale në këtë territor? Po të supozohet se këtë e bën shteti shqiptar, a do të thotë kjo se një zyrtar i “Shtetit Bektashian” mund të gjykohet në gjykatat e Shqipërisë? Për shembull, në një rast hipotetik, a mund të gjykohet Kryegjyshi, i cili do ta gëzojë statusin e Kreut të “Shtetit Bektashian”, në një gjyq vendor të Shqipërisë? Cili do të jetë imuniteti i tij? Sikundërqë dallohet, çështja nuk është e thjeshtë.
A përbën precedent Vatikani?
Në media janë paraqitur mendime të ndryshme dhe njëra nga to ishte ngritja e një paraleleje me Vatikanin për modelimin e “Shtetit Bektashian”. Sa është relevant ky përngjasim? Para së gjithash, raporti midis Vatikanit dhe Italisë nuk mund të jetë precedent, ngaqë Vatikani ka ekzistuar si entitet shtetëror para shtetit të Italisë. Pra, Vatikani nuk ka buruar nga një shtet unitar italian.
Neni 7 i Kushtetutës së Italisë (1948) e specifikon se Shteti dhe Kisha Katolike janë të pavarur dhe sovranë, secili në fushën e vet dhe se marrëdhëniet e tyre rregullohen me Paktet e Lateranos. Pakti Lateran është marrëveshje e vitit 1929 mes Mbretërisë së Italisë dhe Vatikanit (Selisë së Shenjtë) pas mospajtimeve të thella ndërmjet tyre, si pasojë e aneksimit të territoreve të caktuara të Vatikanit nga ana e Italisë pas bashkimit italian që ngjau më 1870. Një kohë të gjatë, papati nuk e njohu autoritetin e shtetit italian mbi Romën dhe Shtetet Papale. Prandaj, Pakti Lateran ka rëndësi, ngase e ka njohur sovranitetin e Vatikanit si shtet të pavarur, por që edhe Papa ka njohur Mbretërinë e Italisë dhe Romën si kryeqytet të saj. Ky pakt i ka rregulluar raportet midis Kishës Katolike dhe shtetit italian dhe e ka përcaktuar katolicizmin si fe shtetërore. Gjithashtu, me këtë pakt, shteti italian merr përsipër kompensimin material ndaj Selisë së Shenjtë për humbjen e Shteteve Papale, njohjen e statusit të veçantë juridik dhe financiar, etj.
Shteti i Vatikanit gjendet në territorin italian, ku mbarë popullata i përket besimit katolik. Në anën tjetër, “Shteti Bektashian” planifikohet të krijohet në territorin shqiptar, i cili është heterogjen në besimet fetare.
E gjithë kjo, dhe veçmas legjitimimi i ndërsjellë në rastin Vatikan-Itali, dëshmon që as në rrethanat historike, as në ato politike, dhe as në pikëpamje sociologjike, Vatikani i sotëm nuk mund të shërbejë si precedent juridik në krijimin e “Shtetit Sovran Bektashian” në Tiranë.
Në vend të përfundimit
Siç u pa në dispozitat kushtetuese të lartcekura, parimi i strukturës unitare të shtetit (neni 1), parimi i mbrojtjes së tërësisë territoriale të shtetit dhe parimi i karakterit laik të shtetit (neni 10), të cilat afirmohen me Kushtetutën e Shqipërisë, e sfidojnë në kontekst juridik krijimin e një “Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi” në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mirëpo, me ndryshime kushtetuese dhe me përkrahjen potenciale të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me përgatitjen e faktorit ndërkombëtar për të realizuar njohje efektive të këtij “shteti”, gjithçka mund të ndodhë. Megjithëkëtë, minimi i parimeve themelore të Kushtetutës e kthen këtë në një dokument pa vlerë juridike, në një mjet dekorues joefektiv në jetësimin e së drejtës.
Formacionet shtetërore me karakter fetar përbëjnë cenim të tërësisë territoriale dhe të bashkëjetesës shoqërore të komuniteteve dhe barazisë së tyre, sikurse proklamon Kushtetuta e Shqipërisë.
Vlerësimet profesionale juridike kushtëzohen nga të dhënat rreth një çështjeje. Konkretizimi normativ i kësaj nisme do të prodhojë pa dyshim analiza më të sakta mbi kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e krijimit të mikroshtetit të ri në territorin e Republikës së Shqipërisë.
[1] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 24.
[2] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 18.
[3] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 10.
[4] Më hollësisht rreth lindjes së shteteve: Zejnullah Gruda, E drejta Ndërkombëtare Publike, 2009, f. 71-73.
[5] Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Rilindja, 1981, f. 2091.
[6]https://kryegjyshataboterorebektashiane.org/njoftim-iniciativa-per-sovranitetin-e-urdhrit-bektashi-nje-moment-historik-per-tolerancen-dhe-paqen-fetare-globale/ (qasur më 20.10.2024).
[7] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 1/2.
[8] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 3.
[9] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 2.
[10] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 150.
[11] Kushtetuta e Shqipërisë, neni 151/1.