Konstituohet parlamenti gjerman/ Bundestagu zgjodhi me shumicë dërrmuese presidenten e re Julia Klöckner

Në Gjermani u konstituua parlamenti federal, Bundestagu. Ndërkohë në Evropë vazhdon jehona  për vendimet e Gjermanisë për investime masive në mbrojtje dhe në infrastrukturë. Italia tregohet entuziaste, por dërgon edhe sinjale të tjera.

Për të mësuar më shumë jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje.

Ç’mund të na veçosh nga seanca konstituive e Bundestagut të ri?

Përshëndetje. Kemi një konstelacion të ri përfaqësimi të forcave politike, në Bundestagun e 21-të gjerman. Në ndërtesën e Rajshtagut në Berlin u mblodhën të martën (25.03.) 630 deputetë: të CDU/CSU, AfD, SPD, të Të Gjelbërve dhe Partisë E Majta.

Vlen të veçohet se edhe në Bundestagun e ri gjerman dominojnë parti të qendrës.

Partitë e qendrës së djathtë, CDU/CSU dhe ajo e qendrës së majtë, socialdemokratët, SPD, kanë shumicën e deputetëve. Ndaj po negociojnë për të formuar qeverinë.

Por tani janë forcuar edhe dy parti të skajeve. Partia e skajit të djathtë, AfD, ka gati një të katërtën e të gjithë deputetëve, 152 deputetë. Por edhe partia e skajit të majtë, E Majta, u forcua, ajo ka tani 64 deputetë.

Atmosfera e seancës konstituive të Bundestagut ishte me polemika. AfD-ja u soll në fjalime, e në sallë, euforike dhe sfiduese. Por pa ndonjë rezultat praktik: edhe në këtë Bundestag, deputetët e partive të tjera votuan kundër një zëvendëspresidenti të Bundestagut, nga radhët e AfD-së, siç u takon grupeve parlamentare.

Bundestagu zgjodhi edhe një Presidente të re. Sa e madhe qe mbështetja për të?

Në postin e dytë më të lartë në shtet, u zgjodh Presidente e Bundestagut politikania e CDU-së, Julia Klöckner. 52 vjeçarja Klöckner njihet në opinion edhe si ish-ministre e Bujqësisë, nën kancelaren Angela Merkel.

Klöcknerin deputetët e zgjodhën me shumicë dërrmuese. Ajo mori 382 vota pro, në një votim të fshehtë. Kjo kur koalicioni i mundshëm i ardhshëm qeverisës, i CDU/ CSU dhe SPD ka 328 vende në Bundestag.

Në fjalën e saj, Presidentja e Bundestagut, Klöckner tha ndër të tjera që “le të jemi gjithmonë të gatshëm të dëgjojmë të tjerët dhe të kuptojmë motivet e tyre, edhe nëse nuk i mbështesim ato.” Ajo kujtoi se shumica nuk ka automatikisht të drejtë, por as pakica.

Auron, vendimi i partnerëve të qeverisë së ardhshme gjermane për të thyer tabunë, duke marrë borxhe të mëdha për infrastrukturën dhe për mbrojtjen, ndikon jo vetëm Gjermaninë, por edhe Evropën. A kanë mbërritur në Gjermani reagime të tjera për këtë?

Po. Në Bruksel, kancelari i ardhshëm Merz shihet tani si personi i ri, me të cilin lidhen shpresat. Një diplomat i BE i tha gazetës gjermane Handelsblatt se vendimi në Berlin tregon se “në kabinën e pilotit tani ka sërish një pilot – dhe se demokracitë mund të veprojnë shpejt, kur është e nevojshme.”

Mediat franceze, konkretisht Radio France International u shpreh së fundi e habitur që shtypi grek dhe italian, janë treguar përgjithësisht të përmbajtur për kthesën gjermane. Me këtë kihet parasysh borxhi i ri i madh gjerman për infrastrukturën, pra fillimi i fundit të frenës gjermane kushtetuese të borxhit. Kjo në një kohë kur sipas medias franceze, kanë qenë Italia dhe Greqia që kanë paguar çmim, për rreptësinë gjermane të kursimit financiar, në Evropë.

Këtu megjithatë, ia vlen të kujtohet se me një borxh aktual prej vetëm 62.4% të PBB, Gjermania kishte hapësirë të sigurtë për një borxh të ri.

Italia madje e ka përshëndetur si shans për të, zbutjen e rregullave buxhetore gjermane dhe investimet për mbrojtjen. Në se konsiston ky shans?

Po, është e vërtetë. Ministri i Industrisë i Italisë, Adolfo Urso, i deklaroi gazetës Financial Times se programi i ri i investimeve të qeverisë gjermane mund të nxisë jo vetëm rritjen e Gjermanisë, por edhe të Italisë. Kjo pasi rajonet veriore industriale të Italisë janë të ndërthurrura ngushtë me prodhuesit gjermanë.

Firmat gjermane dihet se kanë investime direkte kryesisht në Italinë e Veriut, sidomos në Lombardi: në industrinë kimike, të ndërtimit të makinave dhe industrinë automobilistike italiane. Gjermania importon gjithashtu lëndë të para dhe pjesë makinerish cilësore nga Italia.

Prodhuesit gjermane të armatimit do të përfitojnë nga ofensiva gjermane e armatimit – dhe prodhuesit italianë duan të lidhen me ta.

Prandaj ministri italian i Industrisë, Urso, i partisë së kryeministres Giorgia Meloni, tha se  “ne po përgatitemi që nevojat e Gjermanisë, Finlandës, Suedisë, Shteteve Baltike dhe Polonisë, si dhe atyre që jetojnë në kufirin lindor të Evropës, t’i shndërrojmë në një shans zhvillimi, për ata prej nesh, që jetojnë në kufirin jugor.” Kujtoj se Italia është fuqia e dytë industriale e Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, në samitin e javës së kaluar në Bruksel, Italia, Spanja, por edhe Franca, u treguan të rezervuara për borxhe të reja për mbrojtjen. A ndihen ato nën një lloj presioni për të investuar nga Gjermania?

Në Bruksel, Komisioni Evropian i vlerësoi investimet gjermane për mbrojtjen si “urgjentisht të nevojshme” gjeopolitikisht. Dhe si sinjal, që të veprojnë ngjashëm edhe shtete të tjera të BE.

Përsa i përket Italisë, kryeministrja Meloni, e mbështet idenë e “sovranitetit evropian”. Por është e rezervuar që Italia të marrë borxhe të reja për mbrojtjen, edhe prej borxhit të madh publik italian.

Nga ana tjetër, Meloni ka në qeveri edhe partinë e ekstremit të djathtë, Lega Nord. Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Italisë, Giancarlo Giorgetti, nga kjo parti, tha në një aktivitet të Lega Nord se “rregullat evropiane janë shkruar në anglisht, por janë menduar gjermanisht.” Sipas tij, Italia e ka të vështirë të gjejë miliarda euro për të financuar  tani armët, kur përpiqet të ulë borxhin.

Ndërsa gazeta Libero, po e ekstremit të djathtë, ankohet se”Berlini dikton, Evropa zbaton”. Berlini vendos të riarmatoset dhe e vë Evropën para ndryshimit të kursit.

Por: propozim më të mirë për situatën aktuale gjeopolitike, ekstremistët italianë megjithatë nuk janë në gjendje të paraqesin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button