Konkluzë e BDI-së: Ne kena fituar

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me një reagim të fortë pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, duke kërkuar që vendi të shkojë menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Konkluza kryesore nga mbledhja e sotme e Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim ishte e qartë dhe unanime: Të shkohet menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare!” – thuhet në deklaratën e BDI-së.

Sipas partisë, ky qëndrim është i përbashkët edhe për të gjithë partnerët e Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), të cilët vlerësojnë se pas tre cikleve zgjedhore – presidenciale, parlamentare dhe lokale – vullneti i qytetarëve është i pandryshuar dhe mbështet AKI-në.

“Për më pak se një vit e gjysmë, qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut i kanë dhënë tre herë radhazi besimin e tyre Aleancës Kombëtare për Integrim, duke e bërë atë fituesen e padiskutueshme në rrafshin kombëtar,” theksohet në reagim.

BDI ka paraqitur edhe të dhëna konkrete për të argumentuar fitoren e saj në zgjedhjet lokale të 19 tetorit:

AKI ka epërsi prej mbi 23.000 votash në zgjedhjet për Këshilla Komunalë;

Mbi 21.000 vota diferencë në garën për Kryetarë Komunash;

159 këshilltarë të fituar, kundrejt 122 të kampit tjetër politik;

Sipas vlerësimeve të BDI-së, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin atë ditë, AKI do të kishte 20 mandate, kundrejt 15 të rivalëve politikë.

Partia thekson se AKI ka fituar shumicën dërmuese të komunave dhe se legjitimiteti i saj politik është i konfirmuar.

Në deklaratë, BDI e konsideron si të domosdoshme kthimin e mandatit te qytetarët:

“Qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre tri herë radhazi dhe çdo tentim për ta anashkaluar këtë realitet është i pakuptimtë dhe antidemokratik. BDI kërkon që mandati t’u kthehet qytetarëve. Le të vendosë populli kush e ka legjitimitetin për të udhëhequr vendin dhe për ta çuar përpara procesin euroatlantik, përfaqësimin e barabartë dhe stabilitetin politik.”

Në fund, BDI ka drejtuar kritika ndaj opozitës shqiptare, duke e akuzuar për humbje të përsëritura dhe për retorikë boshe:

“VLEN vuan nga sindromi i Gazimestanit, flet me patetikë, por humb me fakte. Ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim flet me shifra, me rezultate dhe me legjitimitet të konfirmuar në çdo cikël zgjedhor.”

“Aleanca Kombëtare për Integrim është fituese në rrafshin kombëtar. Qytetarët kanë folur qartë. Tani është koha që politika të dëgjojë. Hajde, menjëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare!” – përfundon reagimi i BDI-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button