Kongresi i Alfabetit është leksion i kohezionit dhe tolerancës

“Nun. Vel kalemi ve ma jesturun” (Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë)

Abdusamed Zeqiri*

Të nderuar vëllezër besimtarë, gjatë javës që po e lëmë pas ishte java e alfabetit të gjuhës shqipe. Siç e dimë nga historia, nga 14 e deri më 22 nëntor 1908 në Manastir është mbajtur Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe. Janë bërë pra 115 vjet qëkur shqiptarët vendosën ta kenë një alfabet me të cilin do ta shkruajnë gjuhën e tyre, me të cilën do t’i shkruajnë librat e tyre dhe me të cilën do ta ndërtojnë historinë e tyre.

Duke qenë në këtë javë të bukur të dijes, të shkrimit e të pendës, dua të ndaj me ju disa çaste jo vetëm të gëzimit, por edhe të përkujtimit të rëndësisë së madhe që ka shkrimi e dija. Para 115 vjetëve në Manastir shumë intelektualë shqiptarë, mes të cilëve edhe disa hoxhallarë, si Hafiz Ibrahim ef. Hoxha nga Shkupi e Rexhep efendi Voka nga Tetova, morën vendim për alfabetin unik të shqipes, me çka u vendos edhe gurthemeli i identitetit tonë kombëtar.

Se sa është i rëndësishëm shkrimi e gjuha, po e citojmë ajetin e thënë në fillim të kësaj hytbeje, në të cilin Zoti i Madh thotë: “Nun. Vel kalemi ve ma jesturun” (Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë). Fakti që Allahu betohet në lapsin dhe shkruesit flet për rëndësinë e madhe që ka dija në Islamin tonë, por bashkë me dijen edhe dijetarët dhe mësuesit e dijes. Betimi mbi penë dhe mbi shkrim është mesazhi më sublim hyjnor për rëndësinë e shkrimit, për kujdesin ndaj dijes përmes shkrimit dhe për kujdesin ndaj librit si arkiv i dijes.

Në të vërtetë, shkrimi është mënyra më e mirë që ne të komunikojmë edhe me ata që kurrë nuk do t’i takojmë. Shkrimi është konservim i dijes dhe transmetim i saj në histori. Shkrimi është dhunti e bekim nga Zoti, siç është edhe gjuha. Kur Zoti na ka krijuar dhe na ka bërë njerëz, vullneti i tij ka qenë që ne të ndahemi në kombe e gjuhë të ndryshme, për ta kuptuar kështu, pra përmes dallimeve, më mirë madhërinë dhe mëshirën e Zotit. Siç thotë Zoti në fjalën e tij hyjnore në Kuran “Ja ejjuhenasu inna haleknakum min dhekerin ve untha ve xhealnakum shuuban ve kabaile li tearefu; inne ekremekum indallahi etkakum; innaallahe alimun habir” (O njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuar prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për atë asgjë nuk është e fshehtë) (El-Huxhurat:13)

Megjithatë, besimtarë të dashur, të jesh shqiptar, turk, arab ose anglez, kjo nuk është arsye që ne të mburremi e të krekosemi, sepse Muhamedi a.s. e ka ndaluar mburrjen me diçka tjetër, pos me devotshmëri. Ai tha “Nuk ka asnjë përparësi arabi ndaj joarabit, pos në devotshmëri”. Prandaj, derisa jemi në kujtimin e alfabetit të gjuhës sonë, dua të ndaj në këtë hutbe edhe një shqetësim. Kam përshtypje se dashuria për kombin, të cilën duhet ta kemi e ta ushqejmë me maturi, ndonjëherë po kalon edhe në trajta brengosëse. Sloganet se “Zoti është shqiptar!” (hasha ve kel-la) në tribunat e stadiumit në Tiranë ose thirrjet për konvertim kolektiv, siç ndodhi para ca ditësh në Deçan, duke e shpjeguar këtë se shqiptarë i mirë është ai që nuk është mysliman, janë shqetësim për ne. Sepse historia jonë është e mbushur plot me figura të kombit, që i kanë dalë zot atdheut dhe pragut të shtëpisë së tyre dhe njëherazi kanë qenë myslimanë të mirë. Çka t’i bëjmë Sami Frashërit, Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, e deri te familja e Adem Jasharit, që u sulmua në Ramazanin e 1998-tës fill pasi kishin hëngër syfyr?! A duhet t’i shpallim edhe ata shqiptarë të pamjaftueshëm.

Besimtarë të dashur, në të vërtetë, historia jonë është plot me besimtarë e patriotë, që e dinin mirëfilli kufirin. Ata as nuk bënë thirrje të krisura për të dalë nga Islami e as nuk shqiptuan fjalë që e dëmtojnë kombin tonë. Ne jemi ummet mesatar, siç ka thënë Muhamedi a.s. dhe e dimë se kurrë nuk duhet ta teprojmë. Prandaj, ashtu siç diti që një hoxhë e një prift shqiptar të punojnë bashkë për një alfabet dhe ta ruajnë kufirin, edhe ne sot duhet ta dimë se intoleranca është edhe antimyslimane edhe antishqiptare.

Sidoqoftë, unë uroj që këto reagime të padenja të mos e dëmtojnë kohezionin tonë ndërfetar e ndërshqiptar. Për këtë, veç tjerash, na mëson edhe festa e alfabetit tonë.

E kur jemi te alfabeti, nuk guxojmë të mos e pranojmë se përditë e më shumë po lexojmë lajme dëshpëruese për rënien e leximit e të lexuesve, edhe pse – në anën tjetër – gjithnjë e më shumë po rritet numri i të diplomuarve. Për fat të keq, shpesh shkollat po shndërrohen në shtypshkronja të diplomave në vend se të jenë fabrika të dijes e të dijetarëve. Dhe, kjo pastaj po na reflektohet në edukimin e përgjithshëm, në moralin kolektiv, si dhe në përfaqësimin tonë publik.

Prandaj thirrja ime nga kjo hutbe është që duke e kujtuar Kongresin e Alfabetit, ta kujtojmë rëndësinë e dijes, ta vlerësojmë librin, shkrimin, shkruesit e mësuesit. Siç tha hz. Aliut r.a.: “Kush ma mëson një shkronjë, do iu kisha bërë rob gjithë jetën”. Nëse do isha shprehur figurativisht, do të thosha se atij që m’i ka mësuar 36 shkronja, i mbetem borxh 36 jetë.

Po e përfundoj këtë hutbe duke jua uruar festën e alfabetit. Qoftë e bekuar gjuha shqipe dhe Zoti na faltë dije e guxim që ta njohim e ta shkruajmë të vërtetën, të bukurën e të moralshmen dhe ta transmetojmë atë te brezat pas nesh, ndërsa meqë të martën është edhe Dita e Flamurit, uroj që jeta jonë të jetë flamur i veprave të mira dhe ne ta përmbushim me drejtësi e dinjitet caktimin e Zotit që të jemi shqiptarë.

*Autori është ligjërues në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Kjo ishte ligjërata javore e mbajtur më 24.11.2023.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button