Kompanitë në “listën e zezë” duhet të ndalohen të marrin pjesë në tenderë publik, thotë Spasovski

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, konsideron se është e nevojshme të merret një vendim ligjor me të cilin kompanitë që janë apo do të jenë në “listën e zezë” amerikane nuk mund të marrin pjesë në tenderët e shpallur nga institucionet shtetërore në vend, raporton Alfax.
Lidhur me këtë çështje, ministri pret të hapët një debat në Qeveri, pasi dje e ashtuquajtura “Lista e zezë” amerikane është “pasuruar” me emrat e tre personave të tjerë me nënshtetësi maqedonase dhe katër kompanive të lidhura me biznesmenin Jordan (Orce) Kamçev, i cili tashmë është në listën e sanksioneve amerikane.
Spasovski deklaroi se ishte i pritshëm vendimi për futjen e biznesmenit rus me nënshtetësi maqedonase Sergej Samsonenko, bashkëshorten e tij Irina, si dhe Ratka Kamçevën, nëna e biznesmenit Jordan Orce Kamçev, në “listën e zezë” të SHBA-së.
“Pres që të ketë edhe persona të tjerë që janë të përfshirë në krim, që nuk kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit, ata që janë gjykuar, ndjekur penalisht, kanë kryer dënime me burg, që kanë bërë pasuri të jashtëzakonshme në territorin e shtetit të sanksionohen. Pres që në këtë kontekst të hapet një debat në Qeveri. Kemi folur një herë pas publikimit të listës dhe pres që të merren disa masa konkrete. Pres që të krijohet një mundësi ligjore që kompani të tilla të mos mund të marrin pjesë në prokurimet publike”. deklaroi ministri i Punëve të Brendshme pas inspektimit të sotëm të ndërtimit të objektit të ri të stacionit policor në Aerodrom. Alfax.



