Kompani izraelite planifikojnë të themelojnë drejtori për siguri kibernetike në Maqedoni dhe Kosovë
Kompania izraelite “Improvate” kryeson delegacionin e përbërë nga tetë kompani izraelite të sigurisë kibernetike, të cilat në fund të tetorit do të arrijnë në këto vende për të promovuar projektin, njofton portali IsraelDefence.co.il.
Në fund të tetorit, një delegacion prej tetë kompanish izraelite të sigurisë kibernetike do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për të promovuar formimin e një drejtorati kombëtar për siguri kibernetike në këto vende.
Delegacioni kryesohet nga korporata Improvate, me drejtoreshën ekzekutive Ronit Hasin Hofman dhe Yigal Unën, kreun e sektorit të kibernetikës së kompanisë dhe ish-shefin e Drejtoratit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike të Izraelit.
Sipas Improvate, delegacioni do të shoqërohet nga ish-kryeministri në largim i Maqedonisë së Veriut, prof. Vlado Buçakovski, dhe do të takojë gjithashtu ministrin e ri për digjitalizim, Stefan Andonovski, i cili ka iniciuar një reformë për siguri dhe teknologji, e orientuar drejt projektit për themelimin e një drejtorati kombëtar për siguri kibernetike. Delegacioni do të takohet edhe me përfaqësues të lartë të sektorit të sigurisë kibernetike dhe infrastrukturës në të dyja vendet.
Kompani izraelite që marrin pjesë janë WISE-MON, KELA, BG PROTECT, TRIPLE P, FLOW-SEC, CYBECS dhe Realite Q.
“Është një nder dhe krenari e madhe që industria izraelite e sigurisë kibernetike është zgjedhur për të ngritur sistemet kibernetike në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Shteti i Izraelit njihet si një fuqi globale në fushën e sigurisë kibernetike dhe aftësitë e shumta brenda industrisë sonë lokale janë bërë një burim i çmuar,” tha Yigal Una.
Ronit Hasin Hofman, drejtoresha ekzekutive e Improvate, tha:
“Ne kemi ndërtuar marrëdhëniet tona në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë gjatë viteve të fundit. Është një privilegj dhe nder i madh që industria izraelite e sigurisë kibernetike është zgjedhur për të ndihmuar në vendosjen e një sistemi kibernetik në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.”