Komisarja për Zgjerim e BE-së: Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë përparojnë me një ritëm të paparë

Komisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se negociatat e anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, komisarja Kos tha se negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë për në BE përparojnë më shpejt se kurrë.
“Negociatat e anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, siç dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura tashmë në muajt e fundit dhe të tjera që do të vijnë”, tha Kos në videon që ajo shpërndau në postimin e saj.
Duke theksuar se Shqipëria është angazhuar seriozisht në çështjen e zgjerimit, ndërsa BE-ja i përmbush detyrat duke respektuar qasjen e bazuar në meritë, Kos theksoi se vazhdojnë të ruajnë një fokus shumë të fortë në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
“Shqipëria pritet të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë fushë. Progresi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi vërtet të përkushtuar për të shënuar një rrugë të qartë për anëtarësimin në BE. Zgjerimi është një projekt i të gjithë shoqërisë dhe do të nevojitet një mbështetje e plotë e të gjithë shoqërisë shqiptare për të arritur qëllimin ambicioz, por realist të Shqipërisë për të mbyllur të gjitha kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027”, vlerësoi Kos.
Së fundmi, Parlamentit Evropian miratoi rezolutën mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023-2024.
Raporti i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder u miratua me 502 vota pro, 120 kundër dhe 64 abstenime.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe aktualisht ka hapur disa kapituj në negociatat për anëtarësim.