Kombi, radikalizmi, kisha: skicë e mendimit politik e shoqëror të Nolit

Noli përkrahte çdo nismë apo reformë që përparonte çështjen shqiptare. Kur u shpall kushtetuta më 1908, Noli kërkonte krijimin e një partie (“anë”) kombëtare shqiptare që të kërkonte bashkimin e vilajeteve nën një drejtim, pika kryesore politike e lëvizjes kombëtare në atë kohë. Në vitin 1914, pasi ishte formuar shteti shqiptar, ai shkruante se “duhet të punojmë dhe të përpiqemi për të përmbushur dy dëshirat e tjera d.m.th. të ndreqim dhe të forcojmë këtë Shqipëri të lirë dhe t’i shtojmë kufijtë e saj nëpër tërë ato vende ku rron kombi shqiptar”.

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Trashëgimia e Fan Nolit

Është normale që intelektualët shqiptarë kanë qenë posaçërisht të tërhequr nga jeta dhe vepra e Fan Stilian Nolit. Te figura e tij janë të përmbledhur rilindasi, politikani, kleriku, diplomati, publicisti, poeti, aktori, oratori, historiani, përkthyesi dhe muzikologu. Peripecive të jetës së tij, kronologjikisht e shtrirë nga periudha e vonë e Rilindjes sonë Kombëtare e deri në mesin e viteve 1960, që si hapësirë ka mbuluar Perandorinë Osmane, Greqinë, Egjiptin, SHBA-në, Shqipërinë, Gjermaninë, Austrinë, Bashkimin Sovjetik etj., i përgjigjen sasia e dokumenteve arkivore, e letërkëmbimeve me bashkëkohësit dhe e kujtimeve të këtyre të fundit, si dhe larmia e zhanreve të letërsisë e përkthimeve të lëvruara prej. Shumëkush habitet me këtë jetë intensive dhe prodhimtare që vështirë se mund të përsëritet. Studiuesit e periudhës moderne nuk ka se si të mos ndalojnë te jeta dhe vepra e tij. Pas autobiografisë së shkurtër dhe biografisë së Vehbi Balës në vitin 1972, u deshën të kalonin disa dekada për të pasur jo një, por dy biografi të vëllimshme të Fan Nolit, e para dyvëllimëshe nga Nasho Jorgaqi, e botuar në vitin 2005, dhe e dyta trevëllimëshe, nga Ilir Ikonomi, vëllimi i parë i së cilës ka dalë më 2023, ndërsa i treti pritet të botohet së shpejti.

Përveç kërshërisë intelektuale dhe historike, a ka veprimtaria politike dhe vepra e tij mësime për politikanët dhe intelektualët shqiptarë në kohën tonë? A ka kuptim sot të (vetë)quhesh fanolist? Pyetja e dytë nuk duhet marrë vetëm në kuptimin e simpatisë ose nostalgjisë për një figurë historike, sikurse mund të ketë sot shqiptarë që thonë se janë zogistë, enveristë etj., por më shumë në kuptimin e prirjes dhe orientimit intelektual dhe politik në rrethanat e sotme. Të ishe fanolist në vitet 1920-1930-të kishte kuptim në përplasjen e gjatë politike midis Zogut dhe Nolit dhe në përplasjen shoqërore midis shtresës së lartë dhe asaj popullore. Të ishe vatran fanolist kishte kuptim gjatë përplasjes me krahun tjetër të vatranëve që përkrahte Faik Konicën. Mirëpo, ç’kuptim kishte në fillimet e viteve 1990-të kur Partia e sapoformuar Republikane e Shqipërisë në tubimet e veta nxirrte fotografinë e Fan Nolit dhe të njëjtën kohë deklarohej më djathtas sesa Partia Demokratike, kryetari i së cilës, Sali Berisha, deklarohej edhe ai si ithtar i Nolit! (Vite më vonë Berisha do të deklarohej si simpatizant i Zogut, të cilit do t’i ngrinte një shtatore në Tiranë.) “Fanolist” quhej i ndjeri At Marku, sepse refuzoi të njihte autoritetin e uzurpatorit grek të KOASH-it, duke u thirrur në emër të projektit që nisi Noli më 1908. Në vitin 2022 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një tubim me aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! ka thënë: “Përveç social-demokracisë, fryma e përgjithshme e shkollës sonë politike duhet të jetë edhe kombëtariste. LVV duhet ta afirmojë Rilindjen Kombëtare, të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Ta riaktualizojë si frymë të përgjithshme dhe si shumësi tekstesh të rilindasve tanë, le të themi nga Sami Frashëri te Fan Noli”. Duke marrë shkas nga kjo deklaratë e kryeministrit, pyetjen tonë mund ta riformulojmë se si mund të riaktualizohet si frymë fanolizmi?!

Përgjigja e kësaj pyetjeje kërkon që, së pari, ta përkufizojmë fanolizmin. Kjo është një detyrë e vështirë, sepse Noli nuk formuloi ndonjë doktrinë dhe nuk shkroi libra ku të shtjellonte mendimet e tij politike dhe shoqërore. Tekstet e tij publicistike janë më shumë reagime ndaj situatave politike të ditës dhe gjatë jetës Noli i ka ndryshuar disa nga qëndrimet e mëparshme politike. Po kështu, veprimtaria e tij si klerik dhe si përkthyes nuk është e shkëputur nga veprimtaria politike e ditës. P.sh. veprat Don KishotiHamleti ose Armiku i popullit ai i përktheu, sepse ato kishin domethënie për të si intelektual dhe si politikan. Studimet për mendimin politik dhe shoqëror të Nolit, që janë ndërmarrë në Shqipëri gjatë periudhës komuniste, kanë pasur vlerën e tyre të kufizuar nga ideologjia e kohës. Hysamedin Feraj, te studimi i tij “Skicë e mendimit politik shqiptar” (Tiranë, 1998), fanolizmin e konsideron si rrymë të veçantë politike, kryesisht për sa i përket çështjes a duhet vijuar me përpjekjen për bashkimin kombëtar në vitet 1920 apo duhet që Shqipëria të zhvillohet në kufijtë që i kanë caktuar. Ky përkufizim pune i fanolizmit nuk përfshin shkrime ose qëndrime politike të Nolit para krijimit të shtetit shqiptar. Kështu, çështja se cilat janë idetë “fanoliste” dhe cilat prej tyre janë aktuale edhe sot, kërkon sërish studime, edhe duke marrë në konsideratë biografitë e përimta të Jorgaqit dhe Ikonomit.

Në hapësirën e revistës Shenja po rrekemi të skicojmë tri tema madhore të veprimit politik dhe të mendimit të Nolit – kombi, radikalizmi, kisha – të cilat gjykojmë se kanë vlerë morale dhe udhëzuese edhe për shqiptarët e sotëm. E thënë ndryshe, mendojmë se ato janë tri shtyllat e fanolizmit të kuptuar si trashëgimi. Edhe pse të tria janë shqetësime të përhershme të Nolit, mund të themi se secila prej tyre del në pah në tri faza të veprimtarisë së tij. Deri në vitet 1920-të ai u përpoq për krijimin e shtetit shqiptar, për ruajtjen e kufijve të tij pas vitit 1913-të dhe për njohjen ndërkombëtare të tij. Në vitet 1920-1930-të ai mendoi se i shërbente më mirë kombit e atdheut me anë të një programi të ndryshimeve radikale të gjendjes shoqërore të masës së fshatarësisë. Në këtë periudhë, “fanolizmi” shënjonte përgjithësisht të majtën republikane të politikës shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, angazhimi kryesor i Nolit ishte organizimi i kishës shqiptare në SHBA dhe mbrojtja e saj nga hegjemonia e kishës greke.

Kombi

“Pas vdekjes morale të kombit vjen vdekja fizike”. 

I lindur në një fshat shqiptar të Trakës, që ishte i shkëputur nga trungu etnik shqiptar, Noli megjithatë u formua me një frymë romantike për kombin shqiptar dhe Shqipërinë. Fazën e parë të veprimtarisë e zhvilloi në kolonitë e diasporës, të cilat i quante si “Shqipëria e jashtme”. Fillimisht shkoi në Egjipt e, më pas, në SHBA, siç duket sepse e dinte se armët e tij më të fuqishme ishin pena e oratoria dhe se lëvrimi i tyre i papenguar në atdhe nuk ishte i mundur në atë kohë. Përfshirja e tij në publicistikën shqiptare të kohës i dha veçanërisht vrull polemikës së shqiptarëve ortodoksë me tezën e mbrapshtë se ata duhej të bënin pjesë në kombin grek dhe jo të bashkoheshin me “turko-shqiptarët”. Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, Noli bëri thirrje që, krahas përpjekjes arsimore-kulturore, të ngrihej niveli i organizimit politik të shqiptarëve, sidomos në kushtet kur lëvizja kombëtare ishte e përçarë dhe krerët tradicionalë të shqiptarëve ishin “anemikë pa nonjë ide dhe pa konvikcie në ide të cilën përfaqësojnë” (“Vepra 2”, Tiranë, 1988, f. 125). Shqipëria e tij ishte ajo etnike: shtrihej në tri vilajete, plus pjesa e banuar nga shqiptarët e Vilajetit të Manastirit. Rreziqet më të mëdha ndaj kombit Noli quante sllavët në veri dhe grekët në jug.

Noli përkrahte çdo nismë apo reformë që përparonte çështjen shqiptare. Kur u shpall kushtetuta më 1908, Noli kërkonte krijimin e një partie (“anë”) kombëtare shqiptare që të kërkonte bashkimin e vilajeteve nën një drejtim, pika kryesore politike e lëvizjes kombëtare në atë kohë. Në vitin 1914, pasi ishte formuar shteti shqiptar, ai shkruante se “duhet të punojmë dhe të përpiqemi për të përmbushur dy dëshirat e tjera d.m.th. të ndreqim dhe të forcojmë këtë Shqipëri të lirë dhe t’i shtojmë kufijtë e saj nëpër tërë ato vende ku rron kombi shqiptar” (“Vepra 5”, Tiranë, 2007, f. 80). Mirëpo, kur shteti u shpërbë, Noli përkrahte pushtuesit austro-hungarezë, duke shpresuar se fitorja e tyre do të sillte më shumë përfitime sesa ajo e Antantës: “Ta do nderi dhe interesi dhe drejtësia dhe puna ta ruanjë burrërisht dhe t’ua çpaguajë shqiptarëve shërbimet që i bëjnë me një çlirim të plotë, me një Shqipëri të Madhe, me Kosovën dhe Toskërinë” (“Faqe të panjohura të Nolit”, Tiranë, 2002, f. 119). Vetëm pas futjes së Amerikës në luftë, kur u bë e qartë se fitorja do t’i takonte Antantës, Noli dhe “Vatra” nisën të shpresonin se së paku Amerika e presidentit Uillson mund të ndikonte që Shqipëria të mos ndahej mes fituesve ballkanikë. Në vitin 1918, Noli kërkoi protektoratin amerikan mbi Shqipërinë, ndërsa më pas luajti rol të parë për njohjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Gjatë muajve kur ishte kryeministër, Noli ndaloi veprimtarinë e Komitetit të Kosovës në Shqipëri, sepse ai përpiqej që të mos përplasej me shtetet më të fuqishme fqinje, gjë që do të pengonte njohjen ndërkombëtare të qeverisë së tij. Për më tepër, Zogu strehohej në Jugosllavi dhe Noli nuk donte t’i jepte shkas këtij shteti për të përkrahur rivalin e tij. Në këtë periudhë, Noli tha se “një shtet i vogël i dobët dhe i vobekët nuk mund të përballojë luksin e irredentizmit” (cit. te Arben Puto, “Demokracia e rrethuar”, Tiranë, 1990, f. 94). Mirëpo, Jugosllavia nuk e la rastin t’i ikte. Ajo e përkrahu Zogun përkundër garancive që ai nuk do të përkrahte irredentistët, ndërsa ishte pikërisht një nga krerët e Komitetit të Kosovës, Bajram Curri, që do të mbronte me armë qeverinë e Nolit dhe do të vritej në përpjekje me luftëtarët e Zogut. Gjithsesi, si i mërguar politik, Noli e rifilloi bashkëpunimin me Komitetin e Kosovës. Në vitin 1927, KONARE-ja e drejtuar prej tij dhe Komiteti i Kosovës botuan një deklaratë të përbashkët të hartuar nga Noli, pika e parë e së cilës ishte për një republikë shqiptare në kufijtë etnikë dhe me një regjim demokratik. Noli, më 1929, e përkrahu projektin socialisto-komunist të Federatës Ballkanike si një shtet “ku çdo popull do të ketë një republikë të vetëm në kufijtë e vet kombëtarë, ku nuk do të ketë as popuj sundues dhe as popujt të shtypur, por popuj të barabartë dhe të vëllazëruar” (“Vepra 5”, Tiranë, 2007, f. 267). Sado idealist të ishte për kohën ky projekt, duket fare qartë se, në rast se Europa do të pësonte ndryshimet radikale politike-shoqërore që përkraheshin nga krahu i majtë, zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare ishte kushti themelor për Nolin. Në këtë linjë mendimi qëndronte edhe Hasan Prishtina kur përkrahte një federatë të popujve të Ballkanit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kufijtë e Shqipërisë u vunë në tryezën e bisedimeve të aleatëve dhe Noli u pajtua me Zogun, në mënyrën që të krijohej një front i përbashkët që të përfaqësonte interesat e Shqipërisë pranë aleatëve. Edhe përkrahja që Noli i dha qeverisë komuniste nisej nga konsolidimi i Shqipërisë me raport me fqinjët. Kjo duket te këmbëngulja e Nolit që qeveria e Tiranës të njihte sa më parë traktatet e mëparshme me Amerikën, sepse për të kishte më shumë rëndësi që Shqipëria të kishte njohje nga shteti më i fuqishëm i botës sesa aspekti ideologjik i varësisë së Shqipërisë nga imperializmi kapitalist (të cilin Noli e kishte denoncuar më parë, kur bëhej fjalë për Italinë). Në krahun tjetër ai mendonte se arsyeja pse Shqipëria orientohej për nga Moska ishte mosqenia e saj anëtare në OKB. Nëse anëtarësohej, kjo “mund të shënojë fillimin e fundit të komunizmit në Shqipëri” ( nga letra e Nolit drejtuar kryeredaktorit të “Christian Science Monitor”, 1954, cit. te N. Jorgaqi [përg.], “Letërkëmbimi i Nolit”, Tiranë, 2012, f. 212). Në fakt, forcimi i pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë ia bëri më të lehtë Hoxhës shkëputjen nga varësia sovjetike, mirëpo regjimi komunist e ruajti dhe e ashpërsoi linjën staliniste, në kahun e kundërt të zhvillimeve që po pësonte kampi socialist në Europë.

Në ditët tona, trashëgimia fanoliste në aspektin kombëtar do të ishte forcimi i sovranitetit të Shqipërisë dhe Kosovës në raport me Greqinë dhe Serbinë, mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në shtete të tjera fqinje, përfshirja në rrjedhat ndërkombëtare europiane e botërore dhe shfrytëzimi i kushteve të tanishme për njësimin kulturor dhe bashkimin politik të kombit. Po të huazojmë shprehjen e vetë Nolit, shkruar më 1909, sot “sidomos ka një copë liri sado e ngordhur që të jetë, dhe shqiptarët që s’presin memuriete [ofiqe] mund ta përdorin për të mirën e kombit” (“Vepra 2”, Tiranë, 1988, f. 271).

Radikalizmi 

“Shpëtimin e shqiptarëve e kërkojmë në luftën e kllasave, në luftën e bujkut e të punëtorit, kundër bejlerëve arnautë, kundër militaristëve grekë e serbë, kundër imperialistëve italianë”.                                                                                                                                   

Për aspektin shoqëror të mendimit të Nolit kemi zgjedhur termin “radikalizëm”, i cili duhet dalluar qartë si nga “ekstremizmi”, po ashtu edhe nga “revolucionizmi”. Këtë e bëjmë për faktin se një kulm i veprimtarisë politike e Nolit është kryesimi i lëvizjes së armatosur dhe të paligjshme (legjitimiteti i saj vijon të jetë i debatueshëm edhe sot) të qershorit të vitit 1924, ngjarje e cila gjatë regjimit komunist në Shqipëri është quajtur “revolucion borgjez”. Po ashtu debatohet ende nëse vetë Noli ishte pararendës i vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, meqenëse edhe “fanolistë” si Kosta Boshnjaku, Sejfulla Malëshova apo Zai Fundo, ishin ose u bënë komunistë. Ajo që mund të themi me siguri është se në politikën shqiptare të viteve 1920-1930-të, Fan Noli ishte përfaqësuesi kryesor i krahut të majtë në Shqipëri. Noli flirtonte me idetë e majta, por nuk mund të kategorizohet qartë si socialist i një rryme të caktuar ose komunist (stalinist apo trockist). Prandaj, këtu flasim për “radikalizëm” të Nolit.

Fjala “radikalizëm” vjen nga fjala “rrënjë”. Vetë Noli në një nga shkrimet e tij të hershme përdor fjalën “çrrënjësorizmë” për radikalizmin. Radikalët kërkojnë ta përmirësojnë shoqërinë duke marrë në shqyrtim rrënjët apo origjinat e problemeve shoqërore. Radikalizmi në një situatë të dhënë mund të jetë reformator ose revolucionar, mirëpo nëse është reformator ai nuk është i tillë siç mund të jetë konservatori. Konservatori pranon ndryshimin e domosdoshëm për të ruajtur traditën, ndërsa radikali kërkon ta shndërrojë traditën në emër të një parimi ose ideje. Në shekujt XVIII-XIX politika radikale kishte të bënte me idetë liberale, nacionaliste ose socialiste dhe vetëm në gjysmën e parë të shek. XX radikalizmi u shfaq në krahun e djathtë, si një reagim konservator-radikal ndaj ideve të Iluminizmit.

Radikalizmi duhet kuptuar brenda një konteksti shoqëror e politik, ku përplasen vizione të kundërta. Krahasuar me politikanë të tjerë të kohës së tij, Noli ishte radikal në kuptimin e mësipërm. Radikalizmi i tij, fillimisht, buronte nga Niçja dhe nacionalizmi romantik, prandaj gjejmë edhe shpërthime kundërklerikale e, madje, ateiste në tekstet e hershme të tij. Nga përvoja në Amerikë, ku Noli për ca kohë bëri punë krahu, ai mësoi për sindikalizmin dhe socializmin, por pa krijuar ndonjë sistem të vetin për situatën në Shqipëri. Madje, në fillim ai shkruante se në Shqipëri nuk ka klasa të mirëfillta, pra as klasë shfrytëzuese, prandaj zgjidhja do të ishte modernizimi i vendit dhe edukimi i përgjithshëm i popullsisë. Noli nuk kishte aq taraf as pasuri, ai ishte politikani par excellance, që popullaritetin e vet ia detyronte gojëtarisë. Gojëtaria e tij furnizohej nga idetë për reforma për një administrim më të mirë të vendit. Deri në vitin 1923, Noli nuk e shtronte çështjen e reformës agrare, e cila për të tjerë të majtë shqiptarë ishte kyçi i modernizimit. Nëse lëvizja e qershorit 1924 ishte radikale për nga mjetet e përdorura për marrjen e pushtetit, ajo nuk ishte dhe aq radikale në qeverisje. Ironia është se në krye të rebelimit u vu një nga të paktë politikanë shqiptarë që e njihnin nga afër demokracinë liberale.

Vetëm pas dështimit të qeverisë së tij, Noli nisi të shkruante për “luftë të kllasave”, për një “qeveri të kllasit katundar e punëtor”, për “oligarki grabitqare të lidhura me imperializmin perëndimor”, për “lidhje vëllazërore” të popujve ballkanikë etj. Sipas tij, kryeplaga shoqërore e Shqipërisë ishte feudalizmi, prandaj kura kërkonte një operacion radikal për ta shkulur feudalizmin e bejlerëve. Duke parë mbrapa në kohë, Noli mendonte se krahu nacionalist, me të cilin identifikohej, nuk mundi të fitonte, sepse nuk e organizoi dot popullin për t’iu kundërvënë bejlerëve dhe bajraktarëve, madje edhe në “qeveri të Qershorit ato që i deshnin reformat agrare ishin në një pakicë dëshpëruese” (“Vepra 3”, Tiranë, 1988, f. 124). Armiku i tij, Zogu, tani ishte zbatuesi i politikës klasore të bejlerëve dhe veqil i Musolinit. Noli në vitin 1946 e përkrah qeverinë komuniste, edhe sepse kjo “ka mundur ta zbatonjë reformën agrare me rrënjë, dhe ta transformonjë Shqipërinë nga një çiflik i bejlerëve në një tokë të fshatarëve e punëtorëve” (po aty: 375; kursivi ynë).

Radikalizmi i kësaj faze të veprimtarisë së Nolit nuk prodhoi efekte të menjëhershme në Shqipëri, sepse u zhvillua në mërgim. KONARE-ja, organizata që drejtoi për ca kohë, financohej nga Kominterni, ndërsa Noli më 1927 e vizitoi Bashkimin Sovjetik, në kuadër të Kongresit të Miqve të BRSS-së. Në fjalën përshëndetëse, ai tha: “Unioni Sovjetik është vendi i vetëm në botë ku robërimi dhe eksploatimi i njeriut prej njeriut janë t’aboluara në të gjitha format, ku nja njëqind nacionalitete gëzojnë një liri e një legalitet të plotë, e së pakut prej kësaj pikëpamje Unioni Sovjetik është i vetëmi Shtet i civilizuar i botës, i vetmi oaz human në një shkretëtirë barbarizmi e brutaliteti” (“Vepra 5”, Tiranë, 2007, f. 260). Fjalë si këto shqiptoheshin nga shumë “progresistë” europianë e amerikanë të kohës kur ata vizitonin Bashkimin Sovjetik dhe më shumë se sa gjendjen reale ata përshkruanin dëshirat e vetë atyre. Ndoshta nisur nga kundërimperializmi i komunistëve, Noli mendonte se Bashkimi Sovjetik ishte fuqia e madhe dhe e drejtë që do të ndryshonte fatet e Europës dhe do të shpëtonte edhe popullin shqiptar prej “feudalëve” dhe imperializmit italian. Mirëpo, më vonë ai e analizoi saktë se Stalini, i zënë me industrializimin e vendit dhe me spastrimet e “kulakëve” dhe të aparatit gjigand burokratik, nuk e kishte me gjithë mend përhapjen e revolucionit proletar në Europë, por kërkonte të ruante kontrollin mbi lëvizjet komuniste dhe radikale të Europës. Një arsye që Noli jepte për braktisjen e organizatës që drejtonte është se anëtarët komunistë të saj i nënshtrohen kryesisht disiplinës komuniste: “në të vërtetë ata nuk udhëhiqen nga ndjenja nacionaliste, prandaj nuk mund ta ndjejnë veten të lidhur me të [KONARE-në]” (cit. te K. Dervishi, “Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së”, Tiranë, 2016, f. 68). Me ikjen e tij të dytë në Amerikë, Noli nuk mori më pjesë në ndonjë organizatë politike.

Në ditët tona, trashëgimia fanoliste në aspektin shoqëror do të ishte se forcimi i sovranitetit popullor ka nevojë që qytetarët të besojnë se jetesa me dinjitet në vendin e tyre është e mundur, që bujku, punëtori e sipërmarrësi të mos kenë qëllim ikjen nga vendi, që shteti të jetë zhvillimor, që pabarazitë shoqërore të zbuten, që mundësitë e garës t’u jepen të gjithëve dhe të mos bllokohen nga monopolet, që fuqizimi i demokracisë të bëhet përmes një sfere publike ku marrin pjesë të gjithë dhe pa diskriminim, që ecja përpara e shoqërisë të matet me të ardhurat e pensionistëve dhe jo me shtimin e numrit të miliarderëve, që solidariteti brenda vendit të shoqërohet me shprehje solidariteti me viktimat e agresioneve, pa bërë dallime se cilat fuqi të mëdha janë prapa secilit agresor. Këto qëllime e të tjera si këto mund të duken radikale në epokën neoliberale, por ato janë prova e një të majte me të vërtetë kombëtare, ndryshe nga e ashtuquajtura Partia Socialiste e Shqipërisë, trashëgimtare e partisë së diktaturës dhe komitet ekzekutiv i oligarkisë.

Kisha

“Tani Kisha Shqipe është në dorën tonë dhe po të mbytet faji është yni”.   

Sami Frashëri e kishte thënë me kohë se shqiptarëve, përveç shtetit, u nevojitej kultivimi i gjuhës amtare dhe krijimi i një kishe ortodokse kombëtare. Noli nuk ishte i përgatitur për t’u bërë klerik ortodoks në Amerikë, sepse këtë mund ta bënte fare mirë në vendlindje ose në Egjipt. Këtë detyrë ia diktuan interesat kombëtare, në një kohë kur përballja greko-shqiptare zhvillohej e ashpër dhe kishte përfshirë mërgatat përkatëse në Amerikë. Noli e mori përsipër vetë hedhjen e hapit radikal të themelimit të një kishe të pavarur ortodokse. Amerika ishte vendi i përshtatshëm për një kishë të re, duke pasur parasysh morinë e kishave dhe të besimeve në këtë vend, laicitetin dhe prakticitetin e jetës së përditshme amerikane dhe largësinë nga Greqia e Patrikana e Stambollit. Që themelimi i kishës shqiptare të mos ishte një incident që do të harrohej, Noli, paralelisht me angazhimet e tij të tjera iu përvesh punës për themelimin e kishave të tjera që të formohej peshkopata, për shugurimin e priftërinjve të tjerë shqiptarë dhe për përkthimin e liturgjisë.

Faza tjetër do të ishte ngulitja e kishës në Shqipëri, edhe si kurorëzim i përpjekjeve që klerikë të tjerë ortodoksë kishin nisur brenda vendit. Meshat e para në shqip, të cilat nuk i mbante vetëm Noli, por edhe priftërinj të tjerë të së njëjtës kauzë, ngjallnin entuziazmin e besimtarëve dhe ndiqeshin edhe nga shumë myslimanë. Kongresi i Beratit nisi rrugën institucionale për themelimin e kishës, që do të përfundonte në vitin 1937 me njohjen e KOASH-it nga Patrikana e Stambollit. Edhe pse tashmë ishte larg atdheut dhe në armiqësi me regjimin zogist në Tiranë, Noli e përkrahte kishën kombëtare: “Ka të drejtë shteti shqiptar, dhe jo vetëm të drejtë, po dhe detyrë, ta çkëputë këtë Kishë nga influenca greke për të mbrojtur veten dhe ta vërë nën influencën kombëtare, ashtu siç kanë bërë të gjithë viset orthodhokse të botës. Ky është qëllimi i nacionalistëve që themeluan Kishën Kombëtare në Amerikë dhe që e transplantuan pastaj në Shqipëri” (“Vepra 3”, Tiranë, 1988, f. 139).

Nolit deri në fund të jetës iu desh të luftonte për të ruajtur kishën shqiptare në Amerikë që të mos binte sërish nën ndikimin grek. Duke shfrytëzuar simpatinë e tij fillestare për regjimin komunist në Tiranë, Patrikana dërgoi një prift shqiptar për të përçarë peshkopatën e kishës ortodokse shqiptare që Noli me aq mundim e kishte ngritur. Noli i kërkoi bashkëpunim KOASH-it në Shqipëri që të merrte përsipër juridiksionin për administrimin e kishës në Amerikë. Mirëpo, kjo nuk u bë e mundur për shkak të vijës ndarëse të Luftës së Ftohtë, sepse shumë besimtarët kundërkomunistë dhe organizata politike të kolonisë amerikane nuk e donin varësinë nga Shqipëria dhe, pa dyshim, as shteti amerikan. Rruga alternative për t’i ikur varësisë nga Patrikana dhe rryma greke ishte krijimi i një kishe ortodokse kombëtare amerikane, projekt pas të cilit Noli u dha me mish e me shpirt, duke përkthyer edhe një herë tekstet e shenjta nga greqishtja në anglisht e duke meshuar anglisht. Edhe këtu Noli u përplas me kishën greke, sepse plani i kësaj ishte që kishat ortodokse të etnive të ndryshme të viheshin nën varësinë e Patrikanës, ndërsa Noli kërkonte krijimin e një kishe amerikane për të gjitha etnitë që ndiqnin krishterimin ortodoks. Madje, Noli në një rast shprehte besimin se Patrikana Ortodokse Amerikane “mund të bëhet lehtë patrikana drejtuese në botë, mbështetur në faktin se në këtë vend ne gëzojmë lirinë e ushtrimit të fesë” (“Vepra 5”, Tiranë, 2007, f. 423). Meshimi anglisht, i nisur nga Noli, kishte edhe një aspekt praktik, sepse mesha në gjuhët amtare nuk e tërhiqte brezin e ri që ishte amerikanizuar.

Pjesën “Kisha” të artikullit mund ta kishim shkrirë me pjesën “Kombi”, por menduam ta nxirrnim si shtyllë të veçantë, jo vetëm sepse emri i Nolit është i pashkëputur nga institucioni i KOASH-it, por edhe për faktin se kombi dhe feja mbahen si dukuri të ndara, shteti (kombëtar) nuk duhet të ndërhyjë në punët e fesë, feja nuk merret me politikë etj. Realisht kombi dhe feja janë të lidhur ngushtë. Ne, shqiptarët, e dimë që nacionalizmi i sllavëve dhe i grekëve ka qenë dhe është i frymëzuar nga feja ortodokse. Gjithashtu, në dekadat e fundit feja po luan një rol më të madh në politikë dhe gjeopolitikë. Prandaj, trashëgimia fanoliste në këtë aspekt nuk u takon vetëm klerikëve dhe besimtarëve ortodoksë që ta mbajnë larg KOASH-in prej ndikimit të Greqisë, por në fakt u takon klerikëve dhe besimtarëve shqiptarë të të gjitha feve. Në besim dhe shërbesa fetare nuk duhet harruar përkatësia kombëtare dhe interesi ynë kombëtar që kërkojnë një vëllazëri mes myslimanëve, të krishterëve dhe laikëve. Fanatizmi në secilën fe e dëmton këtë vëllazëri ndërfetare. Me fjalët e Nolit: “Të gjithë ata që ndezin fanatizmat fetare në Shqipëri, janë pa dashur e pa ditur, a dyke dashur e dyke ditur, agjentë të armiqve të jashtëmë e të brëndëshëmë të Shqipërisë” (“Vepra 3”, Tiranë, 1988, f. 148).

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button