Kocevski: Lëndët gjyqësore nuk fshihen në sirtarë, procedurat janë të gjata për arsye objektive
Numri i vogël i prokurorëve, mjetet e pamjaftueshme buxhetore, mosparaqitja e palëve dhe dorëzimi janë pjesë e sfidave që përmban raporti vjetor për punën e prokurorive publike për vitin 2023, i cili u prezantua nga prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski para deputetëve në Kuvend.
Siç informoi Kocevski, në vitin raportues janë pranuar kallëzime kundër 17.124 kryerësve të rritur të njohur dhe ndaj 944 fëmijëve, ndërsa së bashku me 12.382 lëndë të papërfunduara të bartura nga viti 2022, prokuroritë publike kanë vepruar në gjithsej 29.506 lëndë kundër kryerësve të njohur.
“Duke marrë parasysh rënien e vazhdueshme të numrit të prokurorëve publikë në vitet e kaluara, rrjedha e përgjithshme e lëndëve në prokuroritë publike nuk është aspak për t’u neglizhuar, gjegjësisht mesatarisht çdo prokuror publik nga Prokuroria Themelore ka marrë rreth 180 raste të reja. Natyrisht, ky numër paraqet vetëm një mesatare dhe fluksi dhe vëllimi i punës në prokurori të caktuara është dukshëm më i lartë”, thuhet në raport.
Kocevski theksoi se përkundër faktit se kushtet materiale të punës për prokuroritë publike janë duke u përmirësuar, por nuk është përmbushur obligimi nga Ligji për Prokurorinë Publike, që buxheti i Prokurorisë Publike të jetë 0,4 për qind nga buxheti i shtetit për vitin aktual.
Si sfidë ai veçoi kushtet hapësinore në të cilat punojnë pjesa më e madhe e prokurorive në mbarë vendin, të cilat nuk i plotësojnë nevojat dhe as nuk i plotësojnë kërkesat për efikasitet të procedurës penale, ndërsa problem për prokuroritë mbetet stafi informativ.
“Nuk ka lëndë të fshehura në sirtar, ka arsye objektive të zvarritjes së procedurave. Bëhet fjalë për një numër të vogël prokurorësh, mosparaqitje të palëve, dorëzim. Rrethanat objektive janë problemi më i madh sa i përket efikasitetit të Prokurorisë Publike”, tha Prokurori./Telegrafi/