Koalicioni VLEN paralajmëron tubim spektakolar të hënën në Sheshin Skenderbeu

Koalicioni opozitar shqiptar VLEN, më 22 prill (e hënë) ka reaguar ndaj neglizhencës së Qytetit të SHkupit rreth kërkesës së tyre që tubimin e fundit ta mbajnë në në sheshin Maqedonia në Shkup.
Shefat e fushatës zgjedhore të koalicionit në një konferencë për media njoftuan gjithashtu se i kanë dorëzuar të gjitha kërkesat deri tek Qyteti i Shkupit për tubimin e planifikuar por ende nuk kanë marrë përgjigje, e sipas tyre përgjigja e vonuar është përgjigjë negative.
“Deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Qyteti, gjë që nënkupton që përgjigja është negative, e këtë vendim e kanë marrë kryetarja Danella Arsovska, Blerim Bexheti dhe Levica,të cilët janë në koalicion, në panik për të pamundësuar koalicionin VLEN të organizojë tubimin, duke e ditur atmosferën dhe përkrahjen e madhe të qytetarëve. Çdo përgjigje që do të vinte ditën e hënë do të ishte e vonshme dhe tendencioze për shkak kohës së shkurtë për organizim”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sidoqoftë, nga ky koalicion kanë vendosur që këtë fushatë, siç e quajnë jashtëzakonisht pozitive për President ta përmbyllin në sheshin Skenderbeu, për të paralajmëruar fitoren e madhe të Koalicionit VLEN, me një tubim madhështor!
“Ritheksojmë, tubimi qëndror do të mbahet në Shkup, në sheshin Skenderbeu, me date 22 prill, ditë e hënë, ora 20.30. Ejani edhe ju dhe bëhuni pjesë e këtij NDRYSHIMI të madh, sepse ia VLEN”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.



