Kina zbulon sistemin e dronëve “Atlas”

Kina ka prezantuar demonstrimin e parë të plotë të sistemit të operacioneve të dronëve “Atlas”, duke shfaqur një platformë të projektuar për të koordinuar një numër të madh dronësh për misione zbulimi dhe goditjeje, transmeton Anadolu.
Sipas kanalit ushtarak të CCTV News, sistemi i zhvilluar në vend përfshin një mjet tokësor luftarak “Swarm-2”, një mjet komandues dhe një mjet mbështetës.
“Global Times” raportoi se pamjet treguan mjetin e lëshimit me logon e kompanisë shtetërore China Electronics Technology Group Corp.
“Swarm-2” i prezantuar në vitin 2024, mund të mbajë dhe të lëshojë 48 dronë me krahë fiks ndërsa një mjet i vetëm komandues mund të kontrollojë deri në 96 dronë njëkohësisht.
Çdo dron mund të mbajë ngarkesa të ndryshme, përfshirë sisteme elektro-optike zbulimi, municione goditëse dhe pajisje komunikimi për transmetim sinjali. Sipas raporteve në media, ato mund të grupohen në mënyrë fleksibile në tufa shumëfunksionale për misione komplekse.
Raporti i fundit tha se sistemi kreu zbulim të koordinuar gjatë testimeve, identifikoi në mënyrë autonome mjetin komandues midis objektivave dhe lëshoi dronë në një poligon testimi me tre objektiva vizualisht të ngjashëm.
Në raport thuhet se mjeti “Swarm-2” lëshoi një dron çdo tre sekonda.
Lloji dhe renditja e dronëve të lëshuar mund të përshtaten sipas nevojave të misionit. Dronët e zbulimit mund të dërgohen fillimisht për të mbledhur informacion, ndërsa dronët e luftës elektronike mund të dërgohen përpara dronëve sulmues për të ndërprerë sistemet armike.
Dronët mund të përshtaten në mënyrë autonome me faktorë mjedisor si turbulencat e ajrit dhe të krijojnë formacione të dendura dhe precize në një kohë të shkurtër. Raporti thekson se një operator i vetëm mund të menaxhojë operacione ajrore në shkallë të gjerë, duke kontrolluar deri në 96 dronë.
Sistemi përfshin gjithashtu dronë me përmasa të ndryshme.
Eksperti kinez i çështjeve ushtarake, Wang Yunfei për “Global Times” tha se sistemi mund të zgjerojë ndjeshëm përdorimin në fushëbetejë, përfshirë sulme masive ndaj mbrojtjes ajrore armike, goditje precize dhe misione të thella.
Falë trajnimit paraprak me inteligjencë artificiale dhe algoritmeve të integruara, tha ai, dronët mund të kryejnë në mënyrë të pavarur detyra si njohja e objektivave, shpërndarja e detyrave dhe planifikimi i rrugës, duke u përshtatur me kushtet në ndryshim të fushëbetejës.
