Kina: Trump “po i hedh benzinë zjarrit” në konfliktin Iran-Izrael

Kina ka dënuar thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar iranianëve për të evakuuar kryeqytetin Teheran, duke e cilësuar si “hedhje benzine në zjarr” në mes të konfliktit të vazhdueshëm mes Iranit dhe Izraelit.
“Hedhja e benzinës në zjarr, kërcënimet dhe ushtrimi i presionit nuk do ta zbusin situatën, përkundrazi, do t’i thellojnë kontradiktat dhe do ta zgjerojnë konfliktin,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, në një konferencë për shtyp në Pekin, sipas gazetës shtetërore Global Times të martën.
Guo shtoi se përshkallëzimi i ri i tensioneve në Lindjen e Mesme nuk i shërben askujt dhe u bëri thirrje “palëve të përfshira, veçanërisht vendeve që kanë ndikim të veçantë mbi Izraelin” – me gjasë SHBA-së – që të marrin përgjegjësinë dhe të veprojnë menjëherë për të ulur tensionet.
Më herët të martën, Trump shkroi në rrjetin Truth Social: “Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin! Irani duhej ta kishte nënshkruar ‘marrëveshjen’ që ua thashë të nënshkruanin. Çfarë turpi dhe çfarë humbje jete njerëzore. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË NJË ARMË BËRTHAMORE.”
Deklaratë e përbashkët nga 21 vende
Guo shtoi: “Prioriteti i menjëhershëm është ndalimi i luftimeve, marrja e masave efektive për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe shmangien e paqëndrueshmërisë më të madhe në rajon. Kthimi te dialogu dhe negociatat për një zgjidhje politike është pasqyrim i konsensusit të gjerë të komunitetit ndërkombëtar.”
Deklaratat e tij vijnë pas një deklarate të përbashkët të ministrave të jashtëm të 21 vendeve të hënën, që dënuan sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit dhe bënë thirrje për de-përshkallëzim rajonal, çarmatimin bërthamor “pa përzgjedhje” dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Nismës i janë bashkuar Turqia, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Bahrejni, Bruneji, Çadi, Gambia, Algjeria, Komoret, Xhibuti, Arabia Saudite, Sudani, Somalia, Iraku, Oman, Katari, Kuvajti, Libia, Egjipti dhe Mauritania.
Pekini “përshëndet deklaratën e përbashkët të Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe, islame dhe afrikane dhe vlerëson përpjekjet e tyre për të qetësuar situatën,” u shpreh Guo për gazetarët.
Ai gjithashtu shprehu “shqetësim të thellë” për goditjen e televizionit shtetëror iranian nga Izraeli, si dhe i bëri thirrje të gjitha palëve “të marrin masa urgjente për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të trazirave në rajon.”
Kina evakuon qytetarët nga Irani dhe Izraeli
“Një armëpushim dhe fundi i luftës janë urgjencë e madhe. Vetëm dialogu dhe konsultimi mund të sjellin paqe të qëndrueshme,” tha Guo.
Ndërkohë, ambasada kineze në Tel Aviv u bëri thirrje qytetarëve të saj të martën që “të largohen sa më shpejt nga Izraeli.”
Guo tha se Ministria e Jashtme dhe ambasadat janë duke punuar për “të evakuuar me shpejtësi” qytetarët kinezë nga Irani dhe Izraeli.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj disa objektivave në Iran, përfshirë struktura ushtarake dhe bërthamore, duke nxitur Iranin të kundërpërgjigjet me sulme raketore.
Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur nga sulmet raketore iraniane që atëherë.
Irani nga ana e tij njoftoi se të paktën 224 persona janë vrarë dhe mbi 1,000 të tjerë
janë plagosur nga sulmet izraelite.