Kina kritikon pretendimet e ish-ambasadorit amerikan për qëndrimin e Pekinit ndaj Iranit dhe Venezuelës

Kina kritikoi sot ashpër një ish-të dërguar amerikan për ato që i quajti “pretendime të liga” të bëra në lidhje me qëndrimin e Pekinit ndaj Iranit dhe Venezuelës, transmeton Anadolu.
Ish-ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns në një intervistë për “Bloomberg Television” ka thënë se “Kina dëmtoi pretendimin e saj për t’u bërë lojtare e madhe globale duke mos ofruar mbështetje efektive diplomatike për Iranin dhe duke heshtur kur SHBA-ja ndërhyri në Venezuelë”.
“Mendoj se ata duken si një mik i paqëndrueshëm si për iranianët ashtu edhe për venezuelianët”, tha Burns për “Bloomberg” në fund të marsit.
Duke reaguar ndaj komenteve të tij, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning tha se faktet dhe meritat janë “mjaft të qarta dhe kështu është edhe qëndrimi i Kinës”.
“Z.Burns u përpoq ta fajësonte Kinën në intervistë duke shmangur shkakun rrënjësor, përdori logjikën hegjemonike të SHBA-së për të sulmuar dhe shtrembëruar qëndrimin e drejtë të Kinës për paqe dhe kërkoi të mbjellë mosmarrëveshje midis Kinës dhe vendeve përkatëse. Motivi është thjesht i lig”, tha ajo në një konferencë për media.
Burns ishte ambasador i SHBA-së në Kinë gjatë viteve 2022-2025 në kohën e presidentin demokrat Joe Biden.
“Zgjatja ose përshkallëzimi i konfliktit nuk i shërben interesit të asnjë pale”, tha Mao kur u pyet për paralajmërimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit se “i gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate” nëse nuk përmbush afatin e tij deri të martën.
“Të gjitha palët duhet të luajnë rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe lehtësimin e bisedimeve të paqes”, tha Mao, duke shtuar se konflikti i vazhdueshëm po godet ekonominë botërore dhe sigurinë energjetike.



