Kina akuzon SHBA-në për “destabilizim të qëllimshëm” të Detit të Kinës Jugore

Kina akuzoi SHBA-në për “destabilizim të qëllimshëm” të Detit të Kinës Jugore, pas mbështetjes që Washingtoni shprehu ndaj Filipineve pas një përplasjeje të fundit detare, transmeton Anadolu.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha të hënën se qëndron pranë aleatit të tij “ndërsa përballen me veprimet e rrezikshme të Kinës, që minojnë stabilitetin rajonal”, duke dënuar atë që e përshkroi si “goditje me anije” dhe sulm me top uji ndaj një anijeje filipinase nga Pekini.
Zëdhënësi i Departamentit, Tommy Pigott tha se Washingtoni “konfirmon se Neni IV i Traktatit të Mbrojtjes së Përbashkët SHBA-Filipine të vitit 1951 shtrihet në sulmet e armatosura ndaj forcave të armatosura filipinase, anijeve publike ose avionëve kudo në Detin e Kinës Jugore”.
Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian tha se “faktet dhe provat” tregojnë se “Filipinet janë ato që ndërmorën veprime shkeljeje dhe provokuese”.
Lin akuzoi Washingtonin se po “njollos dhe akuzon Kinën për masat e ligjshme që Kina mori për të mbrojtur sovranitetin e saj”, duke shtuar se SHBA-ja po “përpiqet të kërcënojë me traktatin e mbrojtjes së përbashkët SHBA-Filipine”.
“Veprime të tilla përsëri ekspozojnë qëllimet e këqija të SHBA-së për të nxitur qëllimisht konfrontim dhe për të destabilizuar Detin e Kinës Jugore dhe shërbejnë si një tjetër shembull se SHBA-ja është burimi më i madh i rreziqeve që minojnë stabilitetin rajonal”, tha ai.
Kina dhe Filipinet të dielën akuzuan njëra-tjetrën për provokim pas një përplasje tjetër detare në Detin e Kinës Jugore, që është një zonë e kontestuar. Pekini tha se Garda e tij Bregdetare dëboi dy anije filipinase që hynë në mënyrë të paligjshme në ujërat pranë Tiexian Jiao, pjesë e asaj që Kina e quan Nansha Qundao (Ishujt Spratly).
Manila e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e quajtur veprimin e Kinës “një akt tjetër agresioni”.
Sipas Gardës Bregdetare të Filipineve, një anije kineze qëlloi me top uji dhe përplasi një anije filipinase të ankoruar pranë ishullit Pag-asa për të ndihmuar peshkatarët lokalë. Incidenti shkaktoi dëmtime të vogla, por pa lëndime.
Kina dhe Filipinet kanë pretendime të përbashkëta territoriale në Detin e Kinës Jugore, një nga rrugët më të ngarkuara tregtare në botë, me triliona dollarë tregti vjetore.