Khamenei thotë se Irani “kurrë nuk do t’i dorëzohet” SHBA-së

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi se Irani “kurrë nuk do t’i dorëzohet” Shteteve të Bashkuara, duke mbajtur një ton sfidues në komentet e tij të para që nga vendosja e armëpushimit me Izraelin.

Khamenei, 86 vjeç, e shpalli fitoren pas 12 ditësh lufte, e cila kulmoi me një sulm iranian ndaj bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, në Katar, pasi SHBA u përfshi në ofensivën izraelite.

“Presidenti amerikan [Donald] Trump e zbuloi të vërtetën dhe e bëri të qartë se amerikanët nuk do të kënaqen me asgjë më pak se dorëzimi i Iranit… një ngjarje e tillë kurrë nuk do të ndodhë,” tha Khamenei.

Komentet e Khameneit vijnë dy ditë pas armëpushimit që ndali luftën mes Iranit dhe Izraelit – përballja më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese mes tyre – dhe shënojnë paraqitjen e tij të parë publike që nga 19 qershori.

Fjalimi i tij vjen gjithashtu në një kohë me raportime kontradiktore në SHBA mbi shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmet amerikane në objektet kyçe bërthamore iraniane në Fordow, Natanz dhe Isfahan gjatë konfliktit. Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se sulmet i kishin “asgjësuar” objektet bërthamore.

Por Khamenei tha se Trump kishte “tepruar” me përshkrimin e pasojave të sulmeve dhe shtoi se SHBA “nuk fitoi asgjë nga kjo luftë”, duke pretenduar se sulmet “nuk bënë asgjë të rëndësishme” ndaj objekteve bërthamore iraniane.

“Republika islamike fitoi, dhe në hakmarrje i dha një shuplakë të rëndë Amerikës,” tha ai, duke iu referuar sulmit me raketa të Iranit ndaj bazës ajrore amerikane në Katar, e cila nuk shkaktoi viktima.

Resul Serdar i Al Jazeera, duke raportuar nga Teherani, tha se Khamenei u përqendrua edhe te forcat e armatosura të vendit, për t’i përgëzuar dhe për të kundërshtuar pretendimet brenda dhe jashtë Iranit se ushtria iraniane “ka marrë goditje të mëdha nga sulmet izraelite.”

Ndërkohë që iranianët që ishin larguar nga Teherani gjatë luftës po kthehen gradualisht, “ekziston një ankth i përbashkët mes popullit iranian sepse ata besojnë se kjo ishte vetëm vala e parë e luftës,” tha Serdar.

“Shumë po vënë në dyshim efikasitetin e sistemeve mbrojtëse ajrore të Iranit” dhe ndihen se Irani mund të jetë më i pambrojtur ndaj një sulmi të ardhshëm nga SHBA dhe Izraeli, shtoi Serdar.

Khamenei tha se ushtria iraniane kishte goditur me sukses objektiva ushtarake dhe jo-ushtarake dhe kishte shkaktuar dëme të mëdha në Izrael. Ai shtoi se “nëse Izraeli na sulmon sërish, do të përballet me një shkatërrim edhe më të madh,” shtoi Serdar.

Khamenei deklaroi gjithashtu se programi bërthamor i vendit mbetet kryesisht i paprekur – ndryshe nga pretendimet e SHBA-së, tha Serdar.

“Ai tha se shumica e objekteve janë ende në funksion dhe se Irani do të vazhdojë programin e tij bërthamor.”

Të dyja, Irani dhe Izraeli, kanë shpallur fitoren në luftën 12-ditore, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të martën e quajti një “fitore historike” për Izraelin.

Sulmet izraelite në Iran kanë vrarë të paktën 627 civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Teheranit, ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se sulmet iraniane në Izrael kanë vrarë 28 persona.

Një ceremoni shtetërore mortore do të mbahet të shtunën në Teheran për komandantë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë të vrarë gjatë luftës. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button