KFOR-i zhvillon operacione ajrore të zbarkimit mbi pjesën veriore të Kosovës

Ushtarë të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë zhvilluar operacione ajrore të zbarkimit mbi pjesën veriore të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu.

KFOR-i ka bërë të ditur se në këto operacione kanë qenë të përfshirë ushtarët amerikanë, letonezë, polakë, turq dhe gjermanë nga batalioni manovrues i Komandës Rajonale – Lindje.

Sipas KFOR-it, operacionet janë realizuar gjatë ditës dhe natës, në bashkëpunim me njësitë ajrore.

“Këto veprimtari u mundësojnë patrullave të arrijnë zonat kyçe përgjatë vijës administrative, duke forcuar njëkohësisht ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale ndërmjet forcave të KFOR-it në rajon”, thuhet në njoftim.

KFOR-i konsideron se këto aktivitete janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit të njësive dhe përgatitjes së tyre, duke siguruar njëkohësisht efektivitetin e vazhdueshëm të këtij misioni në mbështetje të një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button