KFOR-i Turk, për 26 vjet në shërbim dhe ndihmë të qytetarëve të Kosovës

Delegacioni Përfaqësues i Turqisë që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR-i Turk), sivjet shënon 26-vjetorin që kur është vendosur në Kosovë dhe që atëherë ka qenë në shërbim dhe afër qytetarëve me ndihma të ndryshme, raporton Anadolu.
KFOR-i Turk me disa qindra trupa pjesëmarrëse në Kosovë, përfshirë edhe rezervistët dhe forcat e trajnimeve, për vite me radhë kanë ndihmuar në sektorë të ndryshëm në Kosovë, sikurse mbrojtja, arsimi, shëndetësia, ekonomia, kultura apo ambienti.
Ndihmat nga ky kontingjent nuk kanë munguar as në muajt dhe javët e fundit, ku në fillim të majit 2025 KFOR-i Turk u kujdes që në shkollën fillore “Samidin Emini” në fshatin Kuk të Komunës së Dragashit të ndërtojë një kënd të lojërave.
Për këtë ndihmë Kreu i KFOR-it Turk, Kolonel Ersin Çelikkanat, u shpreh se janë krenarë që po realizojnë projekte në fushën e arsimit për të ndihmuar Kosovën të arrijë një të ardhme të ndritur. Çelikkanat theksoi se kanë ndërmarrë shumë projekte të suksesshme për të ofruar mundësitë e nevojshme për fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës.
Por edhe nga pala kosovare, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e sinqertë dhe të qëndrueshme të Turqisë për Kosovën.
Në fund të muajin maj, KFOR-i Turk, kishte bërë inaugurimin e rikonstruksionit të një pjese të Parkut të Marashit në Prizren. Në ceremoninë e hapjes së renovimeve, Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Celal Doğan, tha se ushtria turke është treguar shembull në Kosovë me projektet që ka realizuar ndër vite.
Në kuadër të këtij projekti KFOR-i Turk rinovoi amfiteatrin, stolat, koshat e mbeturinave, llambat ndriçuese të parkut, si dhe kishte mbjellë 25 fidanë të pishave për të treguar simbolikisht 25 vjetorin e qëndrimit në detyrë, në Kosovë.
Më 11 qershor, KFOR-i Turk si pjesë e bashkëpunimit civil-ushtarak me qindra projekte sociale për 26 vjet, përuroi ndërtimin e kabinetit të informatikës në shkollën fillore “Fatmir Berisha”, në qytetin e Prizrenit, me ç’rast udhëheqësit e shkollës e pritën mirë këtë projekt duke falënderuar ushtrinë turke për mbështetjen e dhënë.
Si pjesë e projektit, në Shkollën Fillore “Fatmir Berisha” u ngrit një kabinet i informatikës, apo klasë e pajisur me kompjuterë dhe pajisje të tjera të nevojshme të informatikës.
Gjithashtu, javë më parë, ushtria turke në kuadër të mbështetjes së tyre në arsimin kosovar, hapën një kabinet shkollor të shkencës në Shkollën Fillore “Hysen Rexhepi” në Prizren.
Këtu Koloneli Çelikkanat, përmendi se kanë ngritur gjithsej mbi 40 projekte infrastrukturore në arsim, për të mbështetur këtë sektor në Kosovë.
“Si Delegacion Përfaqësues Turk, jemi shumë krenarë dhe të lumtur që jemi në gjendje të vendosim një tullë në arsim i cili do të ndërtojë të ardhmen e Kosovës”, kishte thënë koloneli.
Ndihma e KFOR-it Turk do të vazhdojë edhe ditët në vijim, ku në qytetin e Mitrovicës, televizioni lokal “TV Mitrovica” do të pajiset javën e ardhshme me materiale të ndryshme për transmetim.
Ushtarët turq shërbejnë në Kosovë që nga paslufta e vitit 1999, kur filluan të vendoseshin në territorin kosovar nga qershori i atij viti.