Këshilli komunal e votoi, transporti publik në Tetovë do të jetë falas për qytetarët

Dje, Këshilli komunal i Komunës së Tetovës votoi për vendim të rëndësishëm për qytetarët. Transporti publik bëhet falas për të gjithë ata që kanë shlyer detyrimet e tyre ndaj Komunës, transmeton Portalb.mk.
Ky vendim do të jetë në dobi si të nxënësve të shkollave fillore ashtu edhe të mesme, si dhe të gjitha shoqatave dhe institucioneve që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës.
Kujtojmë se Këshilli po ashtu dje me shumicë votash, miratoi buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën prej 44.707.765 euro. Krahasuar me buxhetin e vitit 2025, që ishte rreth 49.3 milionë euro, buxheti i ri është më i ulët për afërsisht 4.6 milionë euro. Megjithatë, nga komuna theksojnë se buxheti i vitit 2026 është i orientuar drejt përgjegjësisë financiare dhe zhvillimit të qëndrueshëm.



