Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës
Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.
Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.
Pasi të hyjë në fuqi – gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së – vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit të Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti.
Me heqjen e vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës, qytetarët që posedonin vetëm dokumente të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë në Kosovë, mbetën të vetmit në rajon që u duheshin vizë për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen./REL