Këshilli Gjyqësor emëron Xhemali Saitin ushtrues detyre kryetar i Gjykatës Supreme

Këshilli Gjyqësor, në seancën e sotme, me 10 vota “pro” dhe dy “kundër”, e emëroi gjyqtarin Xhemali Saiti si ushtrues detyre të kryetarit të Gjykatës Supreme, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, një proces që është ende në zhvillim. Saiti do ta ushtrojë këtë funksion nga data 13 mars.
Siç u bë e ditur, sipas të dhënave që disponon Këshilli Gjyqësor, mandati i kryetares aktuale të Gjykatës Supreme, Besa Ademi, përfundon më 12 mars të këtij viti, ndërsa procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, është e nevojshme të emërohet një ushtrues detyre deri në zgjedhjen e titullarit të ri të gjykatës.
Hani Zandeli propozoi Xhemali Saitin për këtë detyrë, duke argumentuar se kryetarja aktuale, Besa Ademi, dhe Arif Fidani janë kandidatë për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme, prandaj nuk duhet të emërohen si ushtrues detyre për të shmangur perceptimin e favorizimit të tyre gjatë procesit të zgjedhjes.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, propozoi që Ademi të vazhdonte si ushtruese detyre, duke vlerësuar se ajo e ka kryer me sukses detyrën e saj dhe nuk ka ndonjë pengesë për të qëndruar në këtë post deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, kërkoi të përjashtohej nga vendimmarrja mbi këtë çështje për të shmangur konfliktin e interesit. Ajo sqaroi se në Gjykatën Supreme është duke u zhvilluar një proces gjyqësor që lidhet me një kompani ku bashkëshorti i saj është përgjegjës, dhe një nga gjyqtarët që po shqyrton çështjen mund të jetë kandidat për postin e kryetarit të gjykatës.
Për të shmangur konfliktin e interesit, Dameva kërkoi të largohej edhe nga pozita e saj si anëtare dhe kryetare e Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme. Në vend të saj u emërua Tanja Çaçarova Ilievska.
Sipas ligjit, në rast të shkarkimit ose përfundimit të mandatit të kryetarit të një gjykate, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, Këshilli Gjyqësor cakton një ushtrues detyre nga radhët e gjyqtarëve që kanë marrë vlerësimin më të lartë në vitin e fundit dhe kanë grumbulluar më shumë pikë në krahasim me kolegët e tjerë.
Në të njëjtën seancë, Këshilli Gjyqësor vendosi gjithashtu përfundimin e funksionit gjyqësor për gjyqtarin Vasil Batkovski nga Gjykata e Apelit në Manastir, për shkak të daljes në pension.
Duke qenë se Batkovski ishte gjithashtu ushtrues detyre i kryetarit të Gjykatës Themelore të Ohrit, anëtarët e Këshillit Gjyqësor e zëvendësuan atë me Bojan Martinovskin, gjyqtar në të njëjtën gjykatë, i cili ka marrë vlerësimin më të lartë në listën e gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Këshilli Gjyqësor ka planifikuar një tjetër seancë nesër, ndërsa në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, po nesër, do të shqyrtohen interpelancat për pesë anëtarë të këtij këshilli.