Kërkohet paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për rreth 15 të tjerë të ndaluar në rastin e Spitalit të Prilepit

Prokuroria e Prilepit ka kërkuar paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për rreth 15 të tjerë që janë ndaluar në lidhje me rastin e Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit.
“Sipas Prokurorisë Publike Themelore të Prilepit, në Gjykatën Themelore të Prilepit janë paraqitur propozime për paraburgim për gjashtë persona, masa kujdesi për rreth 15 të tjerë dhe për gjashtë deri shtatë persona juridikë (nga Prilepi, Manastiri dhe Shkupi) është propozuar ndalim i pjesëmarrjes në procedura të prokurimit publik,” deklaroi kryetarja e Gjykatës Themelore të Prilepit, Jasmina Shishkovska.
Në Gjykatën e Prilepit pritet të sillen personat e ndaluar në lidhje me hetimin për funksionimin financiar të spitalit.
Më shumë se dhjetë persona janë ndaluar mbrëmë dhe sot në mëngjes nga policia e Prilepit në kuadër të rastit me Spitalin e Përgjithshëm, ku Policia Financiare ka kryer kontrolle mbi menaxhimin financiar të institucionit. Gjatë ditës së sotme, të ndaluarit pritet të dërgohen në gjykatë.
Administrata e Policisë Financiare dje ka vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të Prokurorisë Publike të Prilepit. Gjatë ditës janë ndërmarrë veprime në lidhje me dyshimet për abuzime në punën e spitalit të Prilepit nga disa persona.
Sipas Prokurorisë Publike Themelore, që nga prilli i këtij viti po zhvillohet një procedurë paraprake për dyshime mbi veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”, në lidhje me menaxhimin financiar të spitalit. Policia Financiare ka kryer edhe bastisje në tetë lokacione në Prilep.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, në vitin 2024, drejtori aktual i Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit “Borka Taleski”, Kire Jonoski, disa herë ka deklaruar në konferenca për shtyp se janë vërejtur parregullsi në funksionimin financiar të spitalit, i cili, sipas tij, ishte trashëguar me një borxh prej gati 193 milionë denarësh.