Kërkesa e Netanyahut për falje për korrupsion, ndez debat në Izrael

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka ngjallur një debat të zjarrtë mes politikanëve, gazetarëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale në Izrael, pas dorëzimit të një kërkese për falje tek Presidenti Isaac Herzog mbi akuzat e tij për korrupsion.
Kryeministri, i cili përballet me akuza për mashtrim, ryshfet dhe shkelje të besimit, dorëzoi të dielën një dokument ligjor prej 111 faqesh, së bashku me një letër personale drejtuar presidentit.
Netanjahu tha se falja e tij do të ishte në “interes publik”, pasi do të “sjellte pajtim” në Izrael.
Megjithatë, ky veprim duket se ka theksuar edhe më shumë ndarjet në shoqërinë izraelite, pasi turma të zemëruara demonstruesish, përfshirë politikanë, u mblodhën të dielën jashtë rezidencës së presidentit në shenjë proteste.
Presidenti Herzog pranoi të hënën se aplikimi “ka ngjallur polemikë”, duke shtuar se ai “do të konsiderojë vetëm interesat më të mira të Shtetit të Izraelit dhe të shoqërisë izraelite”.
“Diskursi i dhunshëm nuk më prek,” tha ai, duke iu referuar protestave dhe debateve të nxitura nga kërkesa e Netanjahut.



