Keqkuptimi i paqes dhe lufta si ekstrem i ekstremeve

Keqkuptimi i paqes nuk është thjesht një gabim konceptual, por ka pasoja të rënda reale. Kur një vend nuk është në luftë, njerëzit priren të mendojnë se kjo është diçka e natyrshme, diçka që do të vazhdojë përgjithmonë. Kur paqja nuk kuptohet si një proces i vazhdueshëm, rritet rreziku i rindezjes së konflikteve të vjetra apo shpërthimit të konflikteve të reja. Kjo mund të shihet në shumë raste historike, aty ku mungesa e dialogut, padrejtësia sociale dhe injoranca kanë çuar në luftëra shkatërrimtare.
Ardian MUHAJ, Tiranë
Historia e njerëzimit, që nga lashtësia, është e mbushur me luftëra, të mëdha e të vogla, të drejta e të padrejta. Jo rrallë, ajo është konsideruar si një fund i pashmangshëm i mosmarrëveshjeve, një skaj i dhimbshëm i kontradiktave që nuk mund të zgjidheshin ndryshe, pavarësisht se dëshmohet si një nga dukuritë më shkatërrimtare në historinë njerëzore, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, shkatërrim ekonomik dhe tragjedi sociale. Saherë që një luftë përfundon, njerëzit betohen se nuk do të lejojnë të ndodhë përsëri. E, megjithatë, historia duket se përsëritet. Kjo, sepse paqja nuk vlerësohet aq sa duhet derisa të jetë tepër vonë. Kur një shoqëri, një komb ose një grup njerëzish nuk arrin ta çmojë rëndësinë e paqes, konflikti bëhet një realitet i pashmangshëm.
Një nga keqkuptimet më të zakonshme për paqen është se ajo konsiderohet thjesht si mungesa e luftës ose e dhunës së hapur. Megjithatë, paqja e vërtetë nuk është thjesht një gjendje e ngurtësuar ku nuk ka konflikte. Ajo është dhe duhet të shihet si një proces i gjallë që kërkon përpjekje të vazhdueshme. Kur paqja keqkëndvështrohet vetëm si mungesë e luftës, rrezikohet të injorohen shkaqet rrënjësore të konflikteve, gjë që mund të çojë në shpërthimin e dhunës në të ardhmen. Lufta, në këtë kuptim, mund të shihet si një pasojë e drejtpërdrejtë e keqkuptimit të paqes dhe e dështimit për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme për bashkëjetesë harmonike të aktorëve të ndryshëm shoqërorë, etnikë, politikë, gjeopolitikë etj.
Një keqkuptim tjetër është ndarja e paqes nga drejtësia. Historia ka treguar se lufta më së shumti lind nga konflikte të pazgjidhura. Zgjidhja e drejtë e konflikteve është thelbi i shmangies së tyre, sepse paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësi. Paqja e vërtetë nuk mund të ekzistojë në një shoqëri ku ka padrejtësi sociale, ekonomike ose politike. Kur paqja shihet si një gjendje e ngurtë ku status quo-ja ruhet pa zgjidhur çështjet e thella të pabarazisë, rritet rreziku i shpërthimit të konflikteve. Nëse një grup ose një shtet ndjehet i keqtrajtuar, ai do të kërkojë një mënyrë për ta rikthyer balancën përmes dhunës.
Një tjetër keqkuptim i zakonshëm është moskuptimi i rëndësisë së dialogut dhe komunikimit në ruajtjen e paqes. Kur dialogu neglizhohet ose keqinterpretohet si një shenjë dobësie, rritet rreziku që konfliktet të zgjidhen me dhunë. Në këtë kontekst, lufta shndërrohet në një mjet për të “fituar”, në vend që të kërkohet një zgjidhje e përbashkët. Fatkeqësisht, njerëzit në përgjithësi e kuptojnë vlerën e paqes vetëm kur e humbasin.
Rruga drejt Luftës
Keqkuptimi i paqes nuk është thjesht një gabim konceptual, por ka pasoja të rënda reale. Kur një vend nuk është në luftë, njerëzit priren të mendojnë se kjo është diçka e natyrshme, diçka që do të vazhdojë përgjithmonë. Kur paqja nuk kuptohet si një proces i vazhdueshëm, rritet rreziku i rindezjes së konflikteve të vjetra apo shpërthimit të konflikteve të reja. Kjo mund të shihet në shumë raste historike, aty ku mungesa e dialogut, padrejtësia sociale dhe injoranca kanë çuar në luftëra shkatërrimtare. Në shumë raste, lufta lind nga pakënaqësia e akumuluar me kalimin e kohës. Një grup ndjen se është i shtypur, një udhëheqës kërkon më shumë pushtet, një shtet ndjen se e ka humbur prestigjin dhe kështu fillon spiralja e dhunës. Një shembull klasik është Lufta e Dytë Botërore, e cila në fakt mund të shihet si pasojë e keqrregullimeve të paqes së paspërfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur bota e kishte një mundësi të artë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, por në vend të kësaj, fituesit imponuan kushte që u bënë premisa të krijimit të terrenit për konfliktin e ri. Një paqe e pasinqertë mbjell gjithnjë farën e luftës së radhës. Një paqe që mbahet me forcë, pa zgjidhur problemet thelbësore, është vetëm një qetësi e përkohshme përpara një stuhie të madhe. Kjo është arsyeja pse në shumë raste, edhe pas përfundimit të një konflikti, dhuna shpërthen përsëri.
Lufta shpesh perceptohet si një zgjidhje ekstreme për konfliktet politike, ekonomike dhe ideologjike. Duke analizuar shembujt historikë, bëhet e qartë se lufta mund të shndërrohet në një mundësi për të rishikuar, riformësuar dhe përmirësuar shoqëritë. Historikisht, ka pasur periudha kur ajo është konsideruar si e domosdoshme për të rivendosur ekuilibrin e fuqive ose për të ndërtuar një rend të ri shoqëror. Revolucionet, kryengritjet dhe luftrat çlirimtare janë shembuj të tillë, ku dhuna është parë si një e keqe e nevojshme për të sjellë ndryshime rrënjësore.
Sidoqoftë dhe pavarësisht efekteve anësore që rrallë e përkohësisht mund të rezultojnë pozitive, luftërat botërore, konfliktet etnike dhe ato fetare janë dëshmi të faktit se mosvlerësimi i paqes mund të ketë pasoja katastrofike. Mosvlerësimi i paqes fillon kur shoqëritë dhe liderët politikë nuk i japin rëndësi dialogut dhe zgjidhjeve diplomatike. Në vend që të kërkojnë mënyra për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë konstruktive, ata përdorin gjuhën e ndarjes, urrejtjes dhe konfrontimit. Kjo krijon një atmosferë të tensionit, ku dhuna dhe konflikti bëhen mënyra të pranueshme për të zgjidhur problemet. Në këto kushte, lufta shndërrohet nga një skenar i tmerrshëm dhe i paimagjinueshëm në një realitet të pashmangshëm.
Liderët politikë dhe shoqërorë luajnë një rol kyç në vendosjen e tonit për mënyrën se si një shoqëri i qaset paqes dhe konflikteve. Kur liderët nuk e vlerësojnë paqen dhe nuk punojnë për ta ruajtur harmoninë, ata priren ta përdorin retorikën e ndarjes dhe urrejtjes për t’i mobilizuar njerëzit dhe për t’i justifikuar veprimet agresive. Kjo ndodh veçanërisht në situata kur paqja konsiderohet si një pengesë për interesat e ngushta politike ose ekonomike. Në këto raste, lufta shndërrohet në një mjet për të arritur qëllime të caktuara të ngushta, pavarësisht nga kostoja sociale dhe njerëzore.
Lufta, si pasojë e mosvlerësimit të paqes, sjell me vete pasoja të tmerrshme. Ajo shkatërron jetët njerëzore, shpërndan familjet dhe lë pas trauma të thella psikologjike. Përveç kësaj, ajo e shkatërron infrastrukturën ekonomike dhe sociale, duke e bërë të vështirë rindërtimin dhe zhvillimin normal me pasoja që mund të zgjasin për breza. Ngulitja e idesë se paqja nuk është diçka e sigurtë ose e garantuar, por duhet të ruhet dhe të ushqehet çdo ditë, është thelbësore dhe me plot fjalë mund ta konsiderojmë si një ndër investimet dhe angazhimet më dobiprurëse për një shoqëri.
Lufta si kërcënim gjithnjë e më i madh ekzistencial
Lufta, në të gjitha format e saj, paraqet një nga kërcënimet më të mëdha ekzistenciale për njerëzimin, jo vetëm për individët e bashkësitë, por edhe për vetë ekzistencën e njerëzimit dhe të planetit tonë. Një nga aspektet më të dukshme të luftës si kërcënim ekzistencial është shkatërrimi masiv i jetës njerëzore. Çdo jetë e humbur në luftë është një tragjedi që ndikon thellë në strukturën sociale dhe psikologjike të shoqërisë.
Me avancimin e teknologjisë, lufta ka marrë përmasa edhe më shkatërrimtare. Tashmë ka kohë që lufta nuk kufizohet më vetëm në fushëbetejat tradicionale, por përfshin sulme kibernetike, luftë biologjike dhe armë bërthamore. Një konflikt i madh bërthamor mund të shkatërrojë jo vetëm qytetërimet, por edhe të gjitha format e jetës në Tokë, duke qenë një kërcënim ekzistencial në shkallë globale. Që nga bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit në vitin 1945, bota ka qenë e vetëdijshme për fuqinë shkatërruese të këtyre armëve. Një konflikt bërthamor nuk do të shkatërronte vetëm rajone e qytete, por mund të çonte në një “dimër bërthamor”, ku pluhuri dhe tymi i ngritur në atmosferë do të bllokonte rrezet e diellit, duke shkaktuar ulje dramatike të temperaturave dhe duke kërcënuar jetën në Tokë.
Nuk ka asnjë dyshim se fuqia e menjëhershme e dhunës dhe e luftës si katalizator për ndryshime të mëdha shoqërore është e pakrahasueshme me asnjë fenomen tjetër. Me sistemin e saj brutal të eliminimit, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, lufta ka luajtur rol vendimtar në përzgjedhjen shoqërore dhe historike të qytetërimit njerëzor. Megjithatë, askush nuk mund të vërtetojë se rezultatet e përzgjedhjes historike, përmes luftës, kanë qenë apo do të jenë më të dobishme se sa ato që do të ishin arritur përmes shmangies së saj dhe në kushtet e paqes.
Lufta si ekstrem i ekstremeve
Pavarësisht emrit ose emërtimeve që lufta merr në gjuhët e ndryshme të botës, ajo në thelb mbetet ekstremi i ekstremeve, ekstremizmi më i skajshëm, forma më e ashpër dhe më shkatërrimtare e përplasjes mes njerëzve. Ajo nuk është thjesht një përballje me armë midis ushtrive ose shteteve, por është shpërthimi i gjithë asaj që shoqëritë kanë dështuar ta zgjidhin në mënyrë paqësore dhe, për këtë arsye, është kulminimi i ekstremizmit dhe i ekstremeve. Përderisa ekzistojnë institucione ndërkombëtare, diplomaci, marrëveshje dhe mjete të shumta komunikimi, zgjedhja për të hyrë në luftë është një dështim i thellë social, politik, gjeopolitik e njerëzor. Është një moment ku arsyet, ligji dhe ndërgjegjja ndalen dhe në vend të tyre nis spiralja e dhunës që natyrshëm del jashtë kontrollit.
Lufta nuk vjen kurrë papritur, por përgatitet me muaj, ndonjëherë me vite e dekada. Fjalët e urrejtjes shtohen, marrëdhëniet ndërpriten, propagandat ndezin emocionet dhe ndarja mes “ne” dhe “ata” thellohet. Kur asnjë mjet tjetër nuk funksionon, kur toleranca mbaron, kur diplomacia dështon, mbetet vetëm një rrugë: përplasja. Por, kjo rrugë është ekstreme. Është fundi i civilizimit, i racionalitetit, i jetës normale. Në luftë nuk ka më kompromis, nuk ka më ligje që respektohen plotësisht, nuk ka më fitues të vërtetë. Lufta shkatërron fshatra, qytete, banesa, jetë, kujtime e shpresa. Ajo e prek çdo kënd të shoqërisë, që nga fëmijët që mbesin jetimë, tek pleqtë që largohen nga shtëpitë e tyre e tek nënat që i humbin bijtë.
Pas një lufte asgjë nuk është më si më parë. As edhe ata që “fitojnë” nuk e arrijnë me e pa humbjem, sepse fitorja matet me sasinë e humbjeve. Fiton ai që ka humbur më pak, por që gjithsesi ka humbur. Trauma kolektive zgjat me breza, përçarjet ngelen, urrejtja bëhet trashëgimi, ndërsa kjo e bën luftën jo vetëm ekstreme në intensitet, por edhe në ndikim, sepse zgjat shumë më tepër se armët që e kanë shkaktuar atë. Lufta tregon gjithashtu sesi njeriu, në emër të ideve, territorit ose krenarisë, mund të shkojë përtej çdo kufiri moral. Në kohë lufte ndodhin krime që në paqe do të ishin të paimagjinueshme. Vrasje civile, gjenocide, dhunime masive, dëbime popullsish, janë dëshmi të errëta të asaj që ndodh kur ekstremi kapërcen çdo kufi njerëzor. Pikërisht për këtë arsye, lufta nuk duhet parë vetëm si një përballje politike ose ushtarake, por si një simptomë e thellë e degradimit moral dhe shpirtëror të shoqërive që nuk arrijnë të dialogojnë.
Shpesh dëgjojmë për “luftë të drejtë”, për nevojën për ta ndaluar një regjim shtypës apo për ta mbrojtur një popull. Por, edhe luftërat që nisin me qëllime “të drejta” priren të përfundojnë me padrejtësi të reja, sepse lufta rrallë është e pastër. Ajo ndot gjithçka: qëllimin, mjetet, rezultatin. Nëse ka një të vërtetë që na mëson historia, ajo është se çdo luftë ka ardhur, sepse paqja është shpërfillur, sepse nuk janë dëgjuar zërat e arsyes, sepse është menduar se dhuna zgjidh më shpejtë se fjala. Por, çmimi i asaj “zgjidhjeje të shpejtë” është gjithmonë i lartë. Për këtë arsye, duhet të mësojmë dhe të kuptojmë se sa më shumë nxisim urrejtjen, përjashtimin dhe përbuzjen, aq më afër shkojmë drejt ekstremit të fundit – luftës.
Lufta është kufiri ku gjithçka thyhet. Është ekstremi i ekstremeve, sepse e vendos njeriun përballë versionit më të errët të vetes. Pikërisht për këtë, ajo duhet të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit, nëse ndonjëherë ka vend për të. Përndryshe, gjithmonë do të na kushtojë shumë më tepër seç mund të fitojmë ndonjëherë prej saj. Përfundimisht dhe përmbledhtazi, luftënxitësi është dhe duhet parë si ekstremisti më i madh.