Katica Janeva lirohet me kusht nga burgu i “Idrizovës”, dënimi i saj vazhdon deri në 2027

Ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e cila u dënua me 7 vjet burg dhe që nga viti 2021 vuante dënimin në Burgun “Idrizovë”, në fillim të javës është kthyer në shtëpi, duke u liruar nga burgu.
“E dënuara Janeva përfitoi lirim me kusht dhe është e obliguar të paraqitet rregullisht në Gjykatën Themelore Penale Shkup deri në përfundimin e plotë të dënimit 7-vjeçar”, deklaroi për SAKAMD AKAZAM.MK drejtori i burgut “Idrizovë”, Zoran Jovanovski.
Më herët, edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska përfitoi lirim me kusht dhe u lirua para kohe nga burgu, ku në repartin e grave ishte së bashku me Katicën Janeva. Janeva ishte nënshkruese e aktakuzës për blerjen e Mercedesit luksoz për Nikolla Gruevskin, të financuar me para të policisë, për të cilën vepër Jankullovska u dënua.
Edhe ajo ishte e detyruar të paraqitej dhe të komunikonte me persona përgjegjës profesionalë në gjykatë. Ekzistojnë edhe kushte të tjera, si ndalimi i kryerjes së ndonjë vepre penale gjatë periudhës së lirimit me kusht. Mosrespektimi i kushteve sjell rikthim në burg.
Në korrik të vitit 2021, Gjykata e Apelit Shkup ia konfirmoi Janevës dënimin me 7 vjet burg, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim prej mbi një viti.



