Katër të vrarë në një sulm me armë në një ndërtesë shumëkatëshe në Manhattan

Katër persona janë vrarë në një të shtënë me armë që ndodhi në një ndërtesë shumëkatëshe në qendër të Manhattanit, në Nju Jork. Policia tha se 27-vjeçari Shane Devon Tamura kishte udhëtuar nga Las Vegasi dhe më pas kishte hyrë në ndërtesën afariste me një pushkë, duke hapur zjarr në holl dhe në një nga katet e sipërme. Tamura kreu vetëvrasje pas sulmit.
Motivi mbetet i panjohur. Ndër të vrarët është edhe një polic, i cili në momentin e sulmit punonte si sigurim në ndërtesë. Tre viktimat e tjera ende nuk janë identifikuar.

Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, deklaroi se sulmuesi hapi zjarr menjëherë pasi hyri në ndërtesë, në të cilën ndodhen zyra të shumë bizneseve, përfshirë edhe Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL). Fillimisht qëlloi policin dhe më pas vazhdoi të qëllonte përreth.

Më pas Tamura hyri në ashensor dhe u ngjit në katin e 33-të, ku ndodhet selia e kompanisë ndërtimore “Ruden”. Aty qëlloi për vdekje edhe një person tjetër, para se të vetëvritej.

“Motivi i sulmit ende nuk dihet, por sulmuesi kishte një histori të dokumentuar të problemeve mendore,” tha Tisch.

Nuk është e qartë nëse Tamura kishte ndonjë lidhje me Nju Jorkun, me ndërtesën ose me kompaninë “Ruden”. Në makinën e tij u gjetën një pistoletë dhe municion.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button