Katër persona grabisin muzeun në Bristol, vidhen 600 objekte kulturore

Më shumë se 600 objekte kulturore u vodhën nga një muze në Bristol, në jugperëndim të Anglisë. Vjedhja mësohet se ka ndodhur më 25 shtator po u njoftua sot nga policia. Lidhur me ngjarjen policia shtoi se janë katër të dyshuar.
Policia publikoi pamje nga kamerat e sigurisë që tregonin katër burra në një rrugë. Policia i bëri thirrje publikut për ndihmë në identifikimin e individëve që hynë në ndërtesat ku ndodhet koleksioni i muzeut të Bristolit, i cili i është kushtuar Perandorisë Britanike dhe Komonuelthit.
Oficeri që drejtoi hetimin, Detektivi Konstabl Dan Burgan, tha se vjedhja e shumë sendeve që mbartin një vlerë të rëndësishme kulturore është një humbje e konsiderueshme për qytetin.
“Këto objekte, shumë prej të cilave ishin donacione, përbëjnë pjesë të një koleksioni që ofron një pasqyrë të një pjese shumështresore të historisë britanike, dhe shpresojmë që qytetarët të na ndihmojnë t’i sjellim përgjegjësit para drejtësisë,” tha ai.



