Kasami shpall vizionin e gjelbër të VLEN-it: Tetova po rilind përmes turizmit malor

Kryetari i Tetovës dhe njëkohësisht një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka theksuar potencialin strategjik të rajonit të Sharrit për zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm natyror gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtje të Ambientit Jetësor, të organizuar nga CNVP – PONT.
“I nderuar që bashkë me zëvendëskryeministrin e parë z. Izet Mexhiti ishim të pranishëm në këtë forum ku u diskutuan nisma konkrete për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm përmes biodiversitetit dhe turizmit të bazuar në natyrë,” theksoi Kasami.
Ai vlerësoi se Mali Sharr në rajonin e Tetovës ofron një pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që duhet ruajtur dhe zhvilluar:
“Pozita gjeografike, biodiversiteti dhe pasuritë natyrore unike të kësaj zone janë bazë e fortë për turizëm malor, rekreacion, sporte dimërore dhe promovim të trashëgimisë kulturore.”
Kasami shtoi se Tetova tashmë po ndryshon profilin e saj përmes hapjes së bujtinave, kultivimit të produkteve bio dhe shtigjeve të ecjes, duke sjellë efekte pozitive në jetën e komunitetit.
“Besoj fort se përmes bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar mund të ndërtojmë modele të qëndrueshme zhvillimi, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së komuniteteve tona,” u shpreh ai.