Kasami për “Zërin e Amerikës”: VLEN po bën atë që BDI nuk e realizoi për 20 vite

Kryetari i komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka kritikuar ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim BDI për dështimin e saj në avancimin e të drejtave të shqiptarëve gjatë 20 viteve në pushtet.
Ai tha se BDI dhe partnerët e saj nuk e realizuan këtë mision, duke u fokusuar më shumë në interesat e tyre dhe të afërmve të tyre, disa prej të cilëve ndodhen në listën e zezë të SHBA-së.
Sipas Kasamit, koalicioni VLEN tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe se kjo çështje më në fund është në duar të sigurta.
“Një parti që për 20 vite ka qëndruar në qeveri dhe nuk lëvizi përpara çështjen shqiptare, sigurisht nuk ka të drejtë të akuzojë partitë që sapo kanë ardhur në qeveri dhe po bëjnë shumë veprime, të cilat po e përmirësojnë atë që BDI me partnerët e saj nuk e realizoi për 20 vite. Tani më ata nga ajo periudhë e qeverisjes së tyre më shumë e kanë hallin e tyre dhe të njerëzve të tyre, të cilët janë në ‘listën e zezë’ të Amerikës, sesa fatin e shqiptarëve, sepse kanë pasur kohë 20 vite për të sistematizuar të drejtat e shqiptarëve në kushtetutë dhe në ligj dhe atë nuk e bënë, sepse për 20 vite punuan që të pasurohen; që familjarët e tyre t’i bëjnë milionërë. Prandaj, ne vlerësojmë se të drejtat e shqiptarëve tanimë janë në duar të sigurta dhe çështja shqiptare në Maqedoni të Veriut do të ecë përpara.”, ka deklaruar Kasami.



