Kasami: Pa zërin dhe energjinë e gruas, asnjë ndryshim i vërtetë nuk mund të ndodhë

Kryetari aktual i Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë sot në një panel të organizuar nga Forumi i Gruas së VLEN-it në Tetovë, me temë “Zëri i grave në vendimmarrje”.

Në fjalën e tij, Kasami theksoi rëndësinë e përfshirjes reale të grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse, duke theksuar se “kur gratë dëgjohen, shoqëria ecën përpara”.

“Isha i lumtur të dëgjoj historitë, përvojat dhe idetë e grave të fuqishme që çdo ditë japin kontributin e tyre për një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar. Besoj thellë se pa zërin dhe energjinë e gruas, asnjë ndryshim i vërtetë nuk mund të ndodhë,” tha Kasami.

Ai shtoi se roli i gruas në politikë “nuk duhet të jetë simbolik, por thelbësor”, duke theksuar se aty “ku gratë vendosin, vendimet janë më të mençura, më njerëzore dhe më afër njerëzve.”

Në fund, kryetari Kasami falënderoi të gjitha gratë e Forumit të Gruas së VLEN-it për përkushtimin, guximin dhe dashurinë me të cilën, siç tha ai, “i japin frymë Tetovës sonë çdo ditë.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button