Kasami: Kodra e Diellit së shpejti me teleferik – projekt 40 milionë euro që lidh Tetovën, Lisecin dhe Kodrën e Diellit

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar për një projekt madhor që pritet të transformojë turizmin malor në rajon. Bëhet fjalë për ndërtimin e teleferikut Tetovë – Lisec – Kodër e Diellit, një investim prej 40 milionë eurosh që do të lidhë qytetin me njërën prej destinacioneve më të njohura turistike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Kasamit, ky projekt do të jetë një hap i madh drejt zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik të Tetovës, duke e kthyer Kodrën e Diellit në një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
“Kodra e Diellit së shpejti me teleferik – është një ëndërr e shumë qytetarëve që po bëhet realitet,” ka shkruar Kasami në njoftimin e tij publik.
Teleferiku pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e vizitorëve drejt qendrës turistike, të zvogëlojë trafikun rrugor dhe ndotjen, ndërsa njëkohësisht të rrisë numrin e turistëve vendas dhe të huaj në zonë.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se punimet për projektin do të fillojnë së shpejti, pas përfundimit të fazave të planifikimit dhe tenderimit.