Kasami: Kapitulli i dytë i Tetovës filloi sonte!

Me hapjen e shtabit komunal të VLEN-it në Tetovë, kryetari i komunës dhe njëri nga liderët e koalicionit, Bilall Kasami, tha se qyteti po hyn në një fazë të re zhvillimi.
“Me hapjen e shtabit komunal të VLEN-it, sonte nisi zyrtarisht kapitulli i dytë i Tetovës,” deklaroi Kasami. “Prej nesër, ky shtab do të jetë qendra ku do të mblidhen idetë, vizionet dhe projektet për zhvillimin e qytetit tonë”, tha Kasami i cili po kandidon pr mandatin e dytë në Tetovë.
Ai shtoi se Tetova tashmë ka kaluar një periudhë të rëndësishme ndryshimesh dhe tani është gati për hapin e radhës.
“Tetova, pasi e ka shijuar çlirimin, tani është gati ta përjetojë hovin e madh të zhvillimit,” theksoi Kasami.
Duke folur për bashkëpunimin me qytetarët dhe ekipin e tij, ai tha: “Me qytetarët pranë, VLEN-in në krah dhe Besarin në krye të shtabit, fitorja duket shumë e qartë.”
Në vijim Kasami paralajmëroi se shtabi i ri do të shërbejë si pikë takimi për të gjitha idetë dhe iniciativat që synojnë transformimin e Tetovës në një qytet modern dhe të zhvilluar.