Kasami: 300 milionë euro investime për komunat shqiptare – po e përmbysim padrejtësinë historike!

Kryetari i Tetovës dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit qeveritar VLEN, Bilall Kasami, ka bërë një deklaratë të fuqishme lidhur me investimet qeveritare në komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, duke e quajtur këtë periudhë si fundin e një padrejtësie historike ndaj shqiptarëve.
“Sot po ju drejtohem si kryetar i Tetovës dhe si një nga figurat kyçe të VLEN, një forcë që pas 30 vitesh po ua kthen shtetin të gjithëve, jo vetëm të privilegjuarve”, tha Kasami, duke njoftuar se në dy vitet e fundit janë investuar rreth 300 milionë euro në projekte lokale, një shifër që sipas tij nuk është arritur kurrë më parë nga asnjë qeveri.
Sipas tij, më shumë se 30% e këtyre fondeve po shkojnë drejt komunave shqiptare, në zona që për dekada kanë qenë të lëna në harresë nga qeveritë e mëparshme. Kasami theksoi se vetëm këtë vit janë miratuar 828 projekte me vlerë 225 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar janë realizuar 288 projekte me mbi 73 milionë euro.
Projektet përfshijnë ndërtimin e shkollave, kopshteve për fëmijë, teatrove, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, pishinave dhe fushave sportive – duke gjeneruar edhe ekonomi lokale dhe vende të reja pune.
“Po ndërtojmë nga Likova në Strugë, nga Çairi në Dollnen. Çdo komunë ka rëndësi, çdo qytetar vlen për ne. Për herë të parë, shqiptarët përfaqësohen nga një koalicion që vendos për të drejtat e tyre”, deklaroi Kasami.
Duke iu referuar qasjes së re të qeverisjes, ai u shpreh se eskavatorët janë në terren, jo në video të zbukuruara, dhe se koha e premtimeve boshe ka përfunduar.
“Nuk ka më qytetarë të klasit të parë dhe të dytë. Tani është koha e rezultateve konkrete”, përfundoi Kasami.