Kasami: 12 milionë euro për Tetovën!

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka publikuar sot një listë prej 35 projekteve kapitale, të cilat do të realizohen me një investim prej 12 milionë eurosh. Sipas tij, këto projekte përfshijnë ndërtimin dhe rehabilitimin e objekteve arsimore, sporteve dhe infrastrukturës rrugore në të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunës.
Projektet kryesore përfshijnë:
Ndërtimi i dy shkollave të mesme të reja, përfshirë gjimnazin “7 Marsi” dhe shkollën tekstile “Gjoce Stojçevski” (faza e dytë).
Ndërtimi i dy pishinave të mbyllura, në SHFK “Kirili dhe Metodi” dhe SHFK “Naim Frashëri”.
Rrjet i ri kanalizimi atmosferik në lagjen Dardania dhe në rrugën drejt fshatit Falisht.
Ndërtimi i qarkores Lisec – Kodra e Diellit dhe dhjetëra projekte për rikonstruktim dhe rehabilitim rrugësh lokale, si në Reçicë të Madhe, Shipkovicë, Llacë, Bllagoja Toska, dhe shumë të tjera.
Sipas Kasamit, kjo është një dëshmi konkrete se “VLEN për Tetovën”, duke e shoqëruar statusin me një zemër të kuqe dhe një listë të detajuar të projekteve të miratuara.
“Ky është vetëm fillimi i një transformimi të vërtetë për Tetovën. Qyteti meriton standarde evropiane dhe infrastrukturë moderne,” – shkruan kryetari Kasami.