Kapet rrjeti i fajdexhinjëve në Shkup, 12 veta, përfitime të paligjshme mbi 2 milionë euro

Ka përfunduar aksioni i bastisjeve në disa lokacione në Shkup. Prokuroria ka lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj 12 personave të dyshuar për veprat penale dhënie të parave me fajde, pastrim parash dhe fitime nga vepra të dënueshme.

Nga Prokuroria njoftojnë se për nëntë prej tyre, ekzistojnë dyshime se ishin bashkëkryerës ose ndihmës në veprat penale, ndërsa tre të tjerë dyshohen për veprën penale pastrim parash dhe fitime nga vepra të dënueshme.

“Sipas hetimeve, nëntë të dyshuarit, nga fillimi i vitit 2022 e deri më sot, janë organizuar në një grup kriminal që merrej me dhënie parash me fajde, duke kërkuar përfitime të pajustifikuara materiale – në para, mjete apo pasuri të paluajtshme. Ata, duke shfrytëzuar gjendjen financiare të personave të dëmtuar, u huazonin para me interes mujor prej 5% deri në 15%, i cili rritej për çdo vonesë në pagesë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, nga personat e dëmtuar kërkohej t’i kthenin paratë e huazuara me interesin e llogaritur ose të paguanin çdo muaj shumën e kamatës. Kur të dëmtuarit nuk ishin në gjendje të kthenin borxhin, të dyshuarit kërkonin që ata të dorëzonin ose të vendosnin hipotekë mbi pasurinë e tyre, duke e kaluar në emër të ndonjërit prej të dyshuarve. Pagesat e parave bëheshin drejtpërdrejt nga ndonjë prej të dyshuarve ose përmes llogarive bankare – nga llogaria e personit të dëmtuar në atë të ndonjërit prej të dyshuarve.

“Dyshohet se gjatë kësaj periudhe, 12 të dyshuarit dhe një person juridik si pjesë e një grupi të organizuar për pastrim parash, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme me 125.033.527 denarë(rreth 2 milionë euro), të përfituara nga veprimtaria e kamatëdhënies”- thonë nga Prokuroria.

Një pjesë e parave të marra në mënyrë të tillë, të cilat u janë transferuar në llogaritë e tyre ose u janë dorëzuar në dorë nga persona të ndryshëm, ata i kanë përdorur për të krijuar përshtypjen se fondet janë të ligjshme – duke kryer transaksione ndaj llogarive të personave fizikë dhe juridikë, duke i përdorur për nevoja personale, blerje pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe për një jetesë luksoze, një pjesë e madhe e parave është tërhequr në para të gatshme.

Prokurori publik pritet që nesër t’i dorëzojë gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, propozimet për sigurimin e pranisë së të dyshuarve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button