Kancelari gjerman thotë se ajo që po ndodh në Gaza është e papranueshme, ndërsa vazhdon t’i shesë armë Izraelit

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përsëritur kritikat ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe më shumë ndihmë humanitare për palestinezët, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merz shprehu shqetësimin për situatën në Gaza dhe tha se po zhvillon bisedime me liderët evropianë për mënyrat e arritjes së një armëpushimi dhe garantimit të qasjes së pakufizuar për ndihma humanitare.
“Veprimet në Rripin e Gazës nuk janë më të pranueshme për ne. Ne po kërkojmë, fillimisht, një armëpushim atje dhe së dyti ndihmë humanitare gjithëpërfshirëse për njerëzit në rajon”, tha ai.
Merz bëri të ditur se këto shqetësime i ka ngritur gjatë bisedave telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe theksoi se do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të adresuar situatën.
“Këtë e diskutova dje në Londër me kryeministrin britanik, Keir Starmer. Do ta trajtoj sërish javën që vjen kur presidenti francez, Emmanuel Macron, të vizitojë Berlinin”, tha kancelari gjerman.
“Duam ta ndihmojmë Izraelin, por njëkohësisht shprehim qartë dhe pa mëdyshje se çfarë është e papranueshme dhe ajo që po ndodh aktualisht atje (në Gaza) nuk është më e pranueshme”, shtoi ai.
Që nga nisja e fushatës ushtarake izraelite në Gaza në vitin 2023, të paktën 59 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Aktualisht, Izraeli përballet me një proces gjyqësor për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza, ku të paktën 1.9 milionë palestinezë mbeten të zhvendosur dhe vuajnë nga mungesa të rënda ushqimi, ilaçesh dhe nevojave të tjera bazë.