Kallëzime penale për 2 kompani dhe 7 persona për falsifikime e ndërtime pa leje në Gostivar

Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ka dorëzuar kallëzim penal kundër shtetasve A.S. (27), A.S. (27), A.S. (47), B.A. (54), I.B. (33), S.E. (48), V.R. (42), si dhe kundër dy personave juridikë – një kompanie ndërtimi dhe një kompanie për punë gjeodezike nga Gostivari. Ata dyshohen për veprat penale “ndërtim pa leje”, “falsifikim i dokumenteve”, “punë e pakujdesshme në shërbim” dhe “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Sipas hetimeve, tre personat e parë të denoncuar (dy djemtë dhe nëna e tyre), në cilësinë e investitorëve, gjatë viteve 2021 dhe 2022 kanë kryer aktivitete ndërtimore në parcelën e tyre kadastrale në Gostivar në kundërshtim me lejet e ndërtimit të lëshuara nga Komuna e Gostivarit.
Në këtë skemë dyshohet se është përfshirë edhe i denoncuari i katërt, B.A., menaxher i kompanisë gjeodezike, i cili ka hartuar një elaborat gjeodezik që nuk përputhej me projektin bazë të ndërtimit dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara si të vërteta. Po ashtu, i denoncuari i pestë, I.B., menaxher i kompanisë së ndërtimit dhe projektimit, ka hartuar një Raport Përfundimtar për pranim teknik të objektit, në të cilin është konstatuar rrejshëm se ndërtesa është realizuar sipas lejes dhe projektit bazë.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu parregullsi të rënda nga zyrtarët kompetentë.
I denoncuari i gjashtë, S.E., edhe pse ishte në dijeni se inspektori i autorizuar i ndërtimit kishte konstatuar mospërputhje dhe tejkalim të lejes, e ka përcjellë dokumentacionin në rrugë elektronike pranë Agjencisë së Kadastrës, duke mundësuar regjistrimin e objektit dhe lëshimin e fletëposedimit. Ndërkaq, i denoncuari i shtatë, inspektori V.R., fillimisht kishte konstatuar parregullsitë dhe kishte dhënë afat për eliminimin e tyre, por më pas nuk ka kryer mbikëqyrjen kontrolluese, duke i mundësuar investitorit vënien e objektit në funksion në mënyrë të paligjshme.



