Kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës së Qendrës Sociale Tetovë dhe pesë personave për keqpërdorim të kompensimit për aftësi të kufizuar

SPB Tetovë ngriti kallëzim penal kundër H.A. (46) nga Tetova, i punësuar si udhëheqës sektori në Institucionin Publik “Qendra për Punë Sociale” – Tetovë, dhe V.A. (49) nga Tetova, drejtor i institucionit, për shkak të dyshimit të bazuar për vepër të kryer penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, kundër Q.B.D. (34) nga Tetova, bashkëpunëtor profesional, dhe A.L. (40) nga Tetova, punonjës social në institucion për shkak të dyshimit të bazuar për vepër të kryer penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë” dhe kundër M.N. (57), Sh.S. (52) dhe A.F. (54), të gjithë nga f. Bogovinë, për shkak të dyshimit të bazuar për vepër të kryer penale ,,falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “dhënie e deklaratës së rreme”, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë vitit 2024, i denoncuari i parë përgatiti dhe miratoi aktvendime pozitive për ushtrimin e së drejtës të kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar të një personi me aftësi më të rënda fizike, në emër të së denocuarës të pestë dhe të gjashtë, për të cilat nuk ishte kryer më parë verifikimi adekuat, ndërsa e denoncuara e dytë, si drejtore, nënshkroi dhe miratoi një vendim pozitiv mbi po këtë bazë në emër të së denoncuarës të shtatë. Të denoncuarit e tretë dhe të katërt, të cilët i zhvilluan procedurat për individët, nuk kryen inspektim të drejtpërdrejtë të familjes së përfituesit, ndërsa e denoncuara e pestë, e gjashtë dhe e shtatë në procedurën para organit kompetent – IPQNKPS- Tetovë, paraqitën kërkesa duke dhënë deklaratë të rreme se i plotësojnë kushtet për realizimin e së drejtës të kompensimit për aftësinë e kufizuar të personit me aftësi më të rëndë të kufizuar fizike, dhe gjithashtu bashkëngjitën një dokument zyrtar të falsifikuar – një mendim i konsiliumit, për çka, pas verifikimeve të kryera, u konstatua se personat e përmendur nuk kishin caktuar fare termin”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Kujtojmë se më 24 prill të këtij viti, Prokuroria njoftoi se u shtypën dy grupe kriminale që kanë keqpërdorur procedurën për përfitimin e të drejtës për përkujdesje nga të tjerët dhe të drejtën e pensioneve invalidore, ndaj 49 personave u ngritën kallëzime penale, 23 u privuan nga liria, ndërsa një person ishte në kërkim. Me datë 23.04.2025, MPB-ja në koordinim me prokurorin publik kompetent pranë PTHP NKOK, ka kryer aksion policor, gjatë të cilit janë kryer bastisje në disa lokacione në rajonet e Shkupit, Velesit, Tetovës dhe Gostivarit, ndërsa 23 persona janë privuar nga liria, përderisa një person nuk ishte në dispozicion të organeve hetuese. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar 110.000 euro, 65.000 denarë dhe 100 dollarë, disa telefona celularë, fletore me të dhënat e debitorëve, si dhe dokumentacion të ndryshëm mjekësor dhe disa vula faksimile.
Në korrik nga ana tjetër, Prokuroria për Krimin e Organizuar ngriti aktakuzë ndaj 36 personave për përfshirje në dy grupe kriminale që kanë ndërmjetësuar në mënyrë të paligjshme përfitimin e të drejtave për kujdes dhe pension invaliditeti, kundrejt shumave nga 150 deri në 5,000 euro. Të përfshirë janë mjekë, një avokat dhe zyrtarë publikë, që kanë abuzuar me pozitat e tyre. Deri tani, 13 të pandehur kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burg ose masa alternative. Prokuroria kërkon zgjatjen e masave të sigurisë për disa nga të akuzuarit.



