Kallëzim në GJNP, Meloni e akuzuar për “bashkëpërfshirje në gjenocid” në Gaza

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se është akuzuar për “bashkëpërfshirje në gjenocid” në një kallëzim të dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJND) për shkak të mbështetjes së Italisë ndaj Izraelit gjatë bombardimeve mbi Gazën.

Meloni e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për televizionin shtetëror RAI, në komentin e saj të parë publik mbi këtë çështje, e cila ende nuk është konfirmuar nga gjykata ndërkombëtare.

Sipas saj, edhe ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani janë “denoncuar” zyrtarisht, ndërsa shtoi se beson se në kallëzim mund të jetë përfshirë edhe Roberto Cingolani, drejtori i kompanisë italiane të armëve dhe hapësirës ajrore “Leonardo”.

Sipas agjencisë AFP, kallëzimi i datës 1 tetor është firmosur nga rreth 50 persona – përfshirë profesorë të së drejtës, juristë dhe figura publike – të cilët akuzojnë Melonin dhe zyrtarët e tjerë italianë për bashkëpërfshirje në gjenocid përmes furnizimit me armë të Izraelit.

“Duke mbështetur qeverinë izraelite, veçanërisht përmes furnizimit me armë vdekjeprurëse, qeveria italiane është bërë bashkëpërfshirëse në gjenocidin që po zhvillohet dhe në krimet jashtëzakonisht të rënda të luftës dhe kundër njerëzimit që po kryhen ndaj popullit palestinez”, thuhet në kallëzimin ndaj liderëve italianë.

Grupi avokues palestinez që qëndron pas këtij kallëzimi po i kërkon GJND-së të shqyrtojë mundësinë e hapjes së një hetimi zyrtar ndaj Melonit për akuzën e gjenocidit.

Muajin e kaluar, një hetim i pavarur i OKB-së arriti në përfundimin se lufta e Izraelit në Gaza përbën gjenocid – një përfundim që mbështetet nga një gamë e gjerë ekspertësh në të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare dhe studimet mbi gjenocidin.

GJND aktualisht ka urdhër-arreste të hapura ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, përfshirë urinë e qëllimshme, vrasjen dhe persekutimin. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht për gjenocid.

Gjykata ka lëshuar gjithashtu urdhër-arreste për disa zyrtarë të Hamasit, por të gjithë ata janë vrarë në sulmet izraelite.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë rast tjetër në botë apo në histori të një kallëzimi të tillë ndaj një qeverie,” tha Meloni në komentin e saj televiziv.

Eksportet e armëve dhe përfshirja italiane

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe të Stokholmit (SIPRI), Italia është një nga vetëm tre shtetet që kanë eksportuar “armë konvencionale të mëdha” drejt Izraelit në periudhën 2020–2024. Megjithatë, 99% e këtyre eksporteve vijnë nga SHBA-ja dhe Gjermania, që përfshijnë avionë, raketa, tanke dhe sisteme mbrojtjeje ajrore.

SIPRI raporton se Italia ka furnizuar Izraelin me helikopterë të lehtë dhe topa detarë gjatë kësaj periudhe. Ajo është gjithashtu ndër vendet e përfshira në prodhimin e pjesëve për avionët luftarakë F-35, nën një program të udhëhequr nga SHBA.

Raportet e fundit paralajmërojnë se përdorimi i mundshëm i avionëve F-35 nga Izraeli për shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar ka nxitur kritika ndaj transferimit të këtyre avionëve ose pjesëve të tyre.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka deklaruar se dërgesat e armëve për Izraelin po realizohen vetëm në kuadër të kontratave të nënshkruara para 7 tetorit 2023, dhe se Italia ka kërkuar garanci që ato të mos përdoren kundër civilëve në Gaza — megjithëse zëvendëskryeministri Antonio Tajani kishte pohuar më herët se Italia i kishte ndaluar plotësisht këto furnizime.

Protestat dhe presioni publik

Zbulimi i kallëzimit kundër Melonit vjen në një kohë kur qindra mijëra qytetarë italianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër luftës së Izraelit në Gaza.

Sindikata të mëdha të punëtorëve në Itali kanë mbështetur publikisht protestat, ndërsa punëtorët e porteve kanë kërcënuar me greva për shkak të bllokimit nga forcat izraelite të flotiljes “Sumud Global Flotilla”, që po transportonte ndihma drejt Gazës.

Pas presionit të protestave, qeveria e Melonit dërgoi anije luftarake për të shoqëruar flotiljen ndërkombëtare, por marina italiane u tërhoq përpara se flotilja të ndalohej në ujërat ndërkombëtare nga ushtria izraelite, e cila arrestoi rreth 500 aktivistë ndërkombëtarë. Sipas organizatorëve, gjashtë anëtarë të ekuipazhit mbeten ende në paraburgim në Izrael.

Sfida ligjore në rritje

Rasti kundër Melonit dhe zyrtarëve italianë i bashkohet një sërë padish të ngjashme ndërkombëtare kundër veprimeve të Izraelit në Gaza, përfshirë rastet e hapura në GJND ndaj Netanyahu-t dhe Gallant-it.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJNP), Afrika e Jugut ka paditur Izraelin për shkelje të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Gjenocidin të vitit 1948.

Në prill, GJNP hodhi poshtë një padi të ngritur nga Nikaragua që akuzonte Gjermaninë për ndihmë në gjenocid për shkak të shitjeve të armëve ndaj Izraelit.

Ndërkohë, SHBA-ja – eksportuesi më i madh i armëve drejt Izraelit – nuk është anëtare e GJND-së dhe ka kundërshtuar hapur ndjekjet penale ndaj Izraelit.

Muajin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se SHBA do të vendosë sanksione ndaj tre organizatave palestineze të të drejtave të njeriut – Al-Haq, Qendra Palestinene për të Drejtat e Njeriut (PCHR) dhe Al Mezan – për përpjekjet e tyre për të hetuar dhe ndjekur penalisht zyrtarë izraelitë në GJND. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button