Kallas thotë se BE ka nisur t’i heq masat ndaj Kosovës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në një konferencë shtypi në Prishtinë, ka thënë BE-ja se kanë nisur t’i heq masat ndaj Kosovës.

Kallas ka thënë se heqja e masave të aplikuara para dy vitesh, po bëhet gradualisht.

“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar gradualisht të heqë masat e vendosura në qershor të vitit 2023. Ky vendim hap rrugën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të ngushta me Evropën”, tha ajo.

Ajo ka thënë se ajo personalisht ka qenë e angazhuar që t’i bind vendet anëtare të BE-së që t’i heqin masat ndaj Kosovës.

“Unë personalisht jam duke i bindur vendet anëtare se ne duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe përshkallëzimi në veri bie ndesh me këtë. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat tonë, por kemi vërtet nevojë të shohim shtensionim në veri”, tha Kallas, raporton Telegrafi.

Ajo nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, por shtoi se “ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, por edhe për lidhje më të ngushta me Evropën”.

Shefja e diplomacisë evropiane u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.

“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button