Kallas mesazh Beogradit: Dua ta shoh Serbinë duke përparuar drejt BE-së

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, u ka thënë autoriteteve në Beograd se dëshiron ta shohë Serbinë duke përparuar drejt Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
“Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Dua ta shoh Serbinë duke përparuar drejt BE-së. Për këtë, udhëheqësit politikë duhet të zbatojnë reformat e nevojshme dhe ta bëjnë të qartë drejtimin strategjik”, theksoi ajo në X.
Kjo, theksoi ajo, arrihet më së miri duke rivendosur besimin dhe duke iu përmbajtur parimeve demokratike.
Kallas mbërriti në Beograd të mërkurën në mbrëmje, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa sot zhvilloi diskutime edhe me kryeministrin Gjuro Macuta.
Kallas është në vizitën e saj të dytë në Ballkanin Perëndimor deri më 23 maj, gjatë së cilës do të vizitojë edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.