Jeffrey Sachs: Ndalojeni Netanyahun përpara se të na vrasë të gjithëve

Shumë shpejt mund të jemi dëshmitarë të përballjes së fuqive bërthamore, duke e shtyrë botën drejt shkatërrimit bërthamor.

Jeffrey D. Sachs

Për gati 30 vjet, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka provokuar luftë dhe shkatërrim në Lindjen e mesme. Ky njeri është një fuçi baruti që pjell dhunë.

Gjatë të gjitha luftërave që ka sponsorizuar, Netanyahu [për të cilin ka një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale] gjithmonë ka ëndërruar për më të madhen: të mposhtë dhe përmbysë qeverinë iraniane. Nëse Netanyahu nuk ndalet, lufta e tij e shumëpritur, e sapo nisur, mund të na zhysë të gjithëve në një Armagedon bërthamor.

Obsesioni i Netanyahut me luftën i ka rrënjët te mentorët e tij ekstremistë, Ze’ev Jabotinsky, Yitzhak Shamir dhe Menachem Begin. Brezi i vjetër besonte se sionistët duhet të përdorin çfarëdolloj dhune – luftëra, vrasje, terror – për të arritur qëllimet e tyre për eleminimin e çdo pretendimi palestinez për një atdhe. Themeluesit e lëvizjes politike të Netanyahut, Likud, kërkuan kontroll ekskluziv sionist mbi të gjithë atë që dikur ishte Mandati Britanik në Palestinë.

Me nisjen e Mandatit Britanik në fillim të viteve 1920, myslimanët dhe të krishterët arabë përbënin afërsisht 87 përqind të popullsisë dhe zotëronin 10 herë më shumë tokë sesa popullsia hebraike. Edhe në vitin 1948, arabët vazhdonin të ishin më të shumtë në numër sesa hebrenjtë në një raport afërsisht dy me një. Megjithatë, dokumenti themelues i Likudit (1977) deklaron se “midis Detit dhe Jordanit do të ekzistojë vetëm sovraniteti izraelit”.

Slogani, tashmë famëkeq, “nga Lumi në Det”, i cili karakterizohet si antisemitik, rezulton të jetë përdorur si apel anti-palestinez nga Partia Likud. Sfida e Likudit ka qenë ndjekja e qëllimeve të saj maksimaliste pavarësisht paligjshmërisë së tyre sipas ligjit dhe moralit ndërkombëtar, teksa të dyja këto kërkojnë një zgjidhje me dy shtete.

Strategjia “Clean Break”

Në vitin 1996, Netanyahu dhe këshilltarët e tij amerikanë krijuan strategjinë “clean break”. Ata mbronin idenë që Izraeli të mos tërhiqej nga tokat palestineze të marra në luftën e vitit 1967 edhe në këmbim të paqes rajonale. Përkundrazi, Izraeli do ta rimodelonte Lindjen e Mesme sipas dëshirës së tij. Në veçanti, strategjia parashikonte që SHBA-ja do të ishte forca kryesore për arritjen e këtyre qëllimeve – duke zhvilluar luftëra në rajon për të çmontuar qeveritë të cilat kundërshtonin dominimin e Izraelit në Palestinë. Shtetet e Bashkuara u thirrën për të luftuar luftërat në emër të Izraelit.

Strategjia “clean break” u realizua efektivisht nga SHBA-ja dhe Izraeli pas 11 shtatorit. Siç ka zbuluar Komandanti Suprem i NATO -s, Gjeneral Ëesley Clark

“Sulmoni dhe shkatërroni qeveritë e shtatë vendeve në pesë vjet – duke filluar nga Iraku, më pas Siria, Libani, Libia, Somalia, Sudani dhe Irani.”

E para e luftërave, në fillim të vitit 2003, kishte për qëllim të rrëzonte qeverinë irakiane. Planet për luftërat e mëtejshme u vonuan pas përfshirjes së SHBA-së në Irak. Megjithatë, SHBA-ja mbështeti ndarjen e Sudanit në 2005, pushtimin e Libanit nga Izraeli në 2006 dhe inkursionin e Etiopisë në Somali po atë vit. Në vitin 2011, administrata Obama lançoi operacionin e CIA-s Timber Sycamore kundër Sirisë dhe, së bashku me Britaninë dhe Francën, rrëzuan qeverinë e Libisë përmes një fushate bombardimesh në vitin 2011. Sot, këto vende gjenden në gërmadha dhe shumë prej tyre janë të mbërthyera nga luftërat civile.

Netanyahu ishte nxitësi i këtyre luftërave me zgjedhje – qoftë në publik ose në prapa skenë – së bashku me aleatët e tij Neokon në qeverinë e SHBA-së, përfshirë Paul Ëolfoëitz, Douglas Feith, Victoria Nuland, Hillary Clinton, Joe Biden, Richard Perle, Elliott Abrams, dhe të tjerë.

Në vitin 2002, duke dëshmuar para Kongresit të SHBA-ve, Netanyahu u prononcua në favor të luftës katastrofike në Irak, duke deklaruar “Nëse eleminoni Sadamin, regjimin e Sadamit, ju garantoj se kjo do të ketë rrjedhime të mëdha pozitive në rajon.” Më tutje ai shtoi se “Unë mendoj se fqinjët tanë në Iran, të rinjtë dhe jo vetëm, do të thonë se koha e regjimeve të tilla, e despotëve të tillë ka mbaruar.”

Pa disponuar provat, Netanyahu gjithashtu I tha kongresit se “Nuk ka asnjë dyshim se Sadami po kërkon, po punon dhe po avancon drejt zhvillimit të armëve bërthamore”. Slogani për të ribërë një “Lindje të Mesme të Re” siguroi instrumentin për zhvillimin e luftërave. Fillimisht i deklaruar në vitin 1996 përmes “Clean Break”, ai u popullarizua nga Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice në vitin 2006. Ndërsa Izraeli po bombardonte brutalisht Libanin, Rice deklaroi:

“Ajo që ne po shohim, në një farë mënyre, është lindja — dhimbjet e lindjes së një “Lindje të Mesme te rë” dhe çfarëdo që të bëjmë, duhet të jemi të sigurt se po ecim drejt Lindjes së Mesme të re, pa u kthyer më tek e vjetra”.

Në shtator 2023, Netanyahu paraqiti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një hartë të “Lindjes së Mesme të Re”, duke e fshirë plotësisht shtetin palestinez. Në shtator 2024, ai e përpunoi këtë plan duke treguar dy harta: një pjesë e Lindjes së Mesme paraqitej si “bekim” dhe tjetra – përfshi Libanin, Sirinë, Irakun dhe Iranin – si mallkim, pasi ai advokonte për ndryshimin e regjimit në këto vende.

Lufta e Izraelit kundër Iranit është hapi i fundit I një strategjie disa dekadash. Sot jemi duke dëshmuar kulmin e manipulimit nga ekstremistët zionistë ndaj politikës së jashtme të SHBA-së.

Propaganda e Armëve Bërthamore

Premisa e sulmit të Izraelit ndaj Iranit ishte pretendimi se Irani është në prag të pajisjes me armë bërthamore. Një pretendim i tillë është i pakuptimtë, pasi Irani ka kërkuar vazhdimisht të negociojë pikërisht për të eleminuar opsionin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve nga SHBA-ja.

Që nga viti 1992, Netanyahu dhe mbështetësit e tij kanë pretenduar vazhdimisht se Irani do të bëhet një fuqi bërthamore “brenda pak vitesh”. Në vitin 1995, zyrtarët izraelitë dhe mbështetësit e tyre amerikanë deklaruan një afat kohor pesëvjeçar. Në vitin 2003, drejtori i inteligjencës ushtarake të Izraelit tha se Irani do të jetë një fuqi bërthamore “në verën e vitit 2004”.

Në vitin 2005, kreu i Mossadit deklaroi se Irani mund ta ndërtonte bombën në më pak se tre vjet. Në vitin 2012, në Kombet e Bashkuara Netanyahu pretendoi se “duhen vetëm disa muaj, ndoshta disa javë, para se të zotërojnë mjaftueshëm uranium të pasuruar për ndërtimin e bombës së parë”. E kështu me radhë. Ky model mbi 30-vjeçar i zhvendosjes së afateve përfaqëson një strategji të qëllimshme, jo një profeci të dështuar. Pretendimet janë propagandë; gjithmonë ekziston një “kërcënim ekzistencial”. Mbi të gjitha, ekziston pretendimi I pasinqertë i Netanyahut se negociatat me Iranin janë të padobishme.

Irani ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron një armë bërthamore dhe se ka qenë prej kohësh i përgatitur për të negociuar. Në tetor 2003, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei nxorri një fetva e cila ndalonte prodhimin dhe përdorimin e armëve bërthamore – një vendim që më vonë është përmendur zyrtarisht nga Irani në një takim të IAEA-s në Vjenë në gusht 2005 dhe që atëherë është referuar si një pengesë fetare dhe ligjore për ndjekjen e armëve bërthamore.

Edhe për ata që janë skeptikë ndaj qëllimeve të Iranit, ky I fundit ka advokuar vazhdimisht një marrëveshje të negociuar të mbështetur nga verifikim i pavarur ndërkombëtar. Në të kundërt, lobi sionist ka kundërshtuar çdo marrëveshje të tillë, duke i kërkuar SHBA-së të mbajë sanksionet dhe të refuzojë marrëveshjet që do të lejonin monitorim të rreptë të IAEA-s në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Në vitin 2016, Administrata Obama, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Kinën dhe Rusinë, arritën Planin e Përbashkët (JCPOA) me Iranin – një marrëveshje historike për të monitoruar në mënyrë strikte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Megjithatë, nën presionin e pamëshirshëm të Netanyahut dhe lobit sionist, Presidenti Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018. Ashtu siç pritej, kur Irani u përgjigj duke zgjeruar pasurimin e uraniumit, ai u fajësua për shkeljen e një marrëveshjeje që vetë SHBA-të e kishin braktisur. Është e vështirë të mos vërehet standarti I dyfishtë dhe propaganda. Më 11 prill 2021, Mossadi Izraelit sulmoi objektet bërthamore të Iranit në Natanz. Pas sulmit, më 16 prill, Irani njoftoi se do të rriste më tej pasurimin e uraniumit – si një levë negociuese – megjithëse vazhdimisht bënte thirrje për negociata të reja mbi një marrëveshje të ngjashme me JCPOA. Administrata Biden i hodhi poshtë të gjitha negociatat.

Në fillim të mandatit të dytë, Trump-i pranoi të hapte negociata të reja me Iranin. Irani u zotua të hiqte dorë nga armët bërthamore dhe t’i nënshtrohej inspektimeve të IAEA-s, por e rezervoi të drejtën për të pasuruar uraniumin për qëllime civile. Administrata Trump dukej se ishte dakord me këtë pikë, por më pas ndryshoi qëndrim. Që atëherë, ka pasur pesë raunde negociatash, teksa të dyja palët kanë raportuar përparim në secilin rast.

Parimisht, raundi i gjashtë do të zhvillohej të dielën, më 15 qershor. Megjithëkëtë, Izraeli nisi një luftë parandaluese kundër Iranit më 12 qershor. Trump-i konfirmoi se SHBA-të kishin dijeni për sulmin paraprakisht, edhe pse administrata e tij fliste publikisht për negociatat e ardhshme.

Sulmi i Izraelit ndodhi jo vetëm në mes të negociatave shpresëdhënëse, por edhe disa ditë para një Konference të OKB-së e planifikuar për Palestinën, e cila do të avanconte kauzën e zgjidhjes me dy shtete. Kjo konferencë tani është shtyrë.

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit rrezikon të përshkallëzohet në një luftë totale që tërheq SHBA-në dhe Evropën në anën e Izraelit dhe Rusinë dhe ndoshta Pakistanin në anën e Iranit. Së shpejti mund të shohim disa fuqi bërthamore të përballen me njëra-tjetrën dhe ta dërgojnë botën afër shfarosjes bërthamore. Ora e Kiametit është 89 sekonda para mesnatës, momenti më I afërt I Armagedonit bërthamor që nga lançimi i orës në vitin 1947.

Gjatë 30 viteve të fundit, Netanyahu dhe mbështetësit e tij amerikanë kanë shkatërruar ose destabilizuar një sipërfaqe vendesh prej 4,000 km që shtrihen në të gjithë Afrikën e Veriut, Bririn e Afrikës, Mesdheun Lindor dhe Azinë Perëndimore. Qëllimi i tyre ka qenë bllokimi I shtetit palestinez duke përmbysur qeveritë që mbështesin kauzën palestineze.

Bota meriton diçka më të mirë se ky ekstremizëm. Më shumë se 180 vende në OKB kanë bërë thirrje për zgjidhjen me dy shtete dhe stabilitetin rajonal. Kjo është më racionale, sesa Izraeli ta çojë botën në prag të Armagedonit bërthamor në ndjekje të qëllimeve të tij të paligjshme dhe ekstremiste.

Përktheu: Kevi Muçllari

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button