Java e Fëmijëve! Gashi viziton shkollën speciale “Dr. Zlatan Sremec”

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se në kuadër të Javës së Fëmijëve, ka vizituar shkollën special “Dr. Zlatan Sremec” në Shkup.
“Në kuadër të Javës së Fëmijëve, pata kënaqësinë e veçantë të vizitoja shkollën fillore speciale “Dr. Zlatan Sremec” në Shkup.
Bashkë me fëmijët e jashtëzakonshëm të kësaj shkolle, shënuam këtë moment domethënës që reflekton angazhimin tonë të përbashkët për mbrojtjen, avancimin dhe garantimin e të drejtave të çdo fëmije.
Përgëzova ekipin profesional të shkollës për krijimin e një mjedisi mbështetës dhe gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë ka mundësinë të zhvillohet dhe të realizojë potencialin e tij të plotë.
Kjo ditë na kujton përgjegjësinë e përbashkët që kemi si shoqëri për të siguruar të drejta të barabarta, akses të drejtë në arsim cilësor dhe mbështetje të vazhdueshme për të gjithë fëmijët. Institucionet kanë detyrimin të jenë zë i fëmijëve dhe garantues të mirëqenies së tyre”, ka shkruar kryeparlamentari Gashi. /Alfax.mk/



