Janevska: Janë të pranueshme vërejtjet e argumentuara për ligjin për arsimin e lartë

Në Fakultetin e Teknologjive Informatike dhe të Komunikimit në Manastir, pasditen pritet të mbahet debat publik për propozim-ligjin për arsimin e lartë, së bashku me kuadrin mësimor-shkencor nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe nga Universiteti “Shën Apostol Pavle” – Ohër.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në një konferencë për media sot tha se është e kënaqur me debatin e parë publik në universitetet shtetërore, i cili u mbajt pardje në Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, sepse profesorët, siç tha ajo, diskutuan lirshëm për nenet e ligjit.
“Kishte propozime konstruktive dhe të gjitha ato që ishin konstruktive do të pranohen. Ka edhe gabime teknike në ligj, prandaj mbahen debatet publike, ato do të korrigjohen. Mbeten disa nene për diskutim që do të shqyrtohen më tej. Ligji do të vendoset në ENER deri në ditën e fundit, të 30-tën, pastaj për disa ditë do t’i përpunojmë të gjitha vërejtjet e marra që grupi punues i konsideron të pranueshme, do të qëndrojë edhe disa ditë në ENER që të shihen vërejtjet e pranuara dhe më pas do të kalojë në procedurë qeveritare”, tha Janevska.
Megjithatë, ajo theksoi se do të shqyrtohen vetëm vërejtjet e argumentuara dhe të qëndrueshme, ndërsa nuk do të pranohen ato që janë nën nivelin e diskutimit akademik, siç ishte, sipas saj, pyetja e një profesori universitar.
“Ndodhi që një profesor në një universitet të pyesë pse do të ishte i nevojshëm kriteri i pjesëmarrjes në kongrese ndërkombëtare, simpoziume dhe manifestime të tjera dhe cili do të ishte përfitimi për studentin nëse profesori merr pjesë në këto tubime. Mendoj se niveli akademik duhet të jetë shumë më i lartë për të ngritur pyetje të tilla. Kjo nuk mund të jetë temë diskutimi në një komunitet akademik dhe me pyetje të tilla ligji dhe diskutimi i ministrisë dhe i grupit punues nuk do të merren në të ardhmen. Pyetja nëse shkenca dhe arsimi do të përfitojnë nga rrjetëzimi me universitete dhe profesorë të huaj të nivelit të lartë nuk është temë diskutimi. Do të diskutojmë për ato nene që ata i konsiderojnë problematike dhe aty mund të përshtatemi. Debati publik është ende i hapur dhe pikërisht për këtë mbahet, për t’i dëgjuar të gjitha vërejtjet e argumentuara”, theksoi Janevska.
Ministrja nënvizoi se ligji i propozuar është progresiv, pasi do të sigurojë ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.
“Shteti i Maqedonisë nuk ka kohë për rezultate nën mesatare, madje as për rezultate mesatare dhe rrallë të mira. Ne duhet të ecim në hap me rajonin dhe botën, përndryshe gjithnjë e më shumë të rinj do të shpërngulen dhe do të japin kontribut në vende të tjera. Një nga arsyet pse të rinjtë largohen është edhe kërkimi për arsim më cilësor. Janë bërë përpjekje të mjaftueshme që përmes këtij ligji të plotësohen më shumë kritere të domosdoshme për rritjen e dukshmërisë së universiteteve dhe profesorëve. Ligji kërkon edhe punë kërkimore-shkencore, ndryshime në programet studimore, por pa ndërhyrë në autonominë e universiteteve, si dhe kontroll më të madh ligjor përmes ligjit për cilësinë në arsimin e lartë, rrjetëzim me universitete të huaja dhe aleanca të ndryshme, diploma të dyfishta dhe të përbashkëta… Nëse zbatimi shkon mirë, për disa vite do të kemi rritje të dukshme të cilësisë dhe ngritje të universiteteve tona në ranglista”, tha ministrja Janevska.



