Janevska: Gazetaria hulumtuese në mësimin e Edukatës Qytetare

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janeska, mori pjesë në promovimin e kurrikulës së re për gazetari hulumtuese në lëndën – Edukata Qytetare, në Kuvendin e Maqedonisë, njoftojnë nga MASH.
Nga atje thonë se në ngjarje morën pjesë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ambasadori i Konfederatës Zvicerane në Maqedoni, Kristofer Zomer, përfaqësues të Institutit Parlamentar, Institutit Nacional Demokratik (IND), mësimdhënës dhe nxënës.
“Moduli për gazetari hulumtuese është një lloj shkolle praktike për demokracinë. Në rolin e gazetarëve hulumtues, nxënësit do të trajtojnë tema nga bashkësia, do të parashtrojnë pyetje dhe do të kërkojnë përgjigje, do të punojnë në ekipe dhe do të shkruajnë tekste gazetareske”, tha Ministrja.
Ministrja Janeska theksoi se demokracia është vlerë themelore e shoqërisë sonë, ndërsa përmes arsimit mund të kontribuojmë në forcimin e mëtejshëm të proceseve demokratike.
“Së fundmi morëm vlerësim nga Këshilli i Evropës se Maqedonia është shoqëri demokratike e pjekur, në të cilën sundon shteti i së drejtës. Kjo është nder i madh për shtetin tonë dhe për Qeverinë, që në thelb tregon se parimet demokratike janë të integruara në institucionet e sistemit dhe se demokracinë e praktikojmë, e jo vetëm e deklarojmë. Duhet të vazhdojmë në atë drejtim”, theksoi Janeska.
Ministrja shtoi se përmes procesit edukativo-arsimor duhet të përgatisim gjenerata të reja që i njohin, i respektojnë dhe i zbatojnë parimet demokratike të barazisë, lirisë së shprehjes dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Fëmijët që nga mosha më e hershme duhet të mësojnë se të gjithë, pa dallim race, gjinie, feje apo statusi socio-ekonomik, kanë të drejta dhe mundësi të barabarta. Aftësitë si mendimi kritik, puna në ekip dhe dialogu, të cilat garantojnë një demokraci funksionale, përvetësohen më së miri kur janë të integruara në programet mësimore.



