Izraeli vret mbi 70 njerëz në Gaza, shumica pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave

Forcat izraelite dhe dronët kanë vrarë më shumë se 70 palestinezë që nga agimi, përfshirë të paktën 51 pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave, në sulmet më të fundit ndaj njerëzve të dëshpëruar që kërkojnë ndihmë në Rripin e Gazës nën rrethim, sipas burimeve mjekësore në spitale.

Vetëm në Rafah, në jug të enklavës, ushtria izraelite ekzekutoi 27 persona që po përpiqeshin të merrnin ndihma, të martën.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga lufta e Izraelit është rritur në 56,077 të vrarë dhe 131,848 të plagosur që nga 7 tetori 2023.

Vrasjet e fundit janë pjesë e një vale të përditshme masakrash pranë pikave të ndihmës të vendosura nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) – një mekanizëm i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA – të cilin drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) e ka quajtur një “kurth vdekjeje”.

Burime mjekësore raportuan se të paktën 25 persona u vranë në një incident në rrugën Salah al-Din, në jug të Wadi Gazës, në pjesën qendrore të territorit, sipas agjencisë Associated Press. Më shumë se 140 të tjerë u plagosën, përfshirë 62 në gjendje kritike.

Pamje të postuara në Instagram dhe të verifikuara nga agjencia Sanad e Al Jazeera tregonin trupa të pajetë që silleshin në spitalin al-Awda në kampin e refugjatëve në Nuseirat.

Pamje të ngjashme u raportuan edhe nga kompleksi mjekësor Nasser në Khan Younis, në jug, pas raportimeve të paverifikuara se ushtria izraelite kishte goditur njerëz që prisnin ndihma në rrugën al-Tina.

Të vrarë pati edhe në qytetin e Gazës, raportoi gazetari i Al Jazeera, Hani Mahmoud, si dhe në Rafah.

“Personat e plagosur u dërguan në disa qendra mjekësore, përfshirë edhe spitalin al-Shifa,” tha Mahmoud. “Reparti i emergjencës u kthye në një përgjakje të plotë. Shumë vdiqën pa mundur të marrin ndihmën mjekësore.”

Dëshmitarë okularë i thanë AP-së se forcat izraelite hapën zjarr ndërsa njerëzit i afroheshin kamionëve të ndihmave.

“Ishte masakër,” tha Ahmed Halawa, duke raportuar se tanket dhe dronët qëlluan “edhe teksa ne po iknim”.

Ushtria izraelite tha se po shqyrton raportimet për viktima nga zjarri i ushtarëve të saj, pasi një grup njerëzish iu afrua forcave afër Korridorit të militarizuar të Netzarimit.

Izraeli pretendon se të shtënat pranë pikave të ndihmës së GHF-së janë provokuar nga afrimi i “të dyshuarve” ndaj ushtarëve.

Por dëshmitarët dhe organizatat humanitare pohojnë se shumë prej këtyre vrasjeve ndodhin pa paralajmërim.

“Kurthi i vdekjes”
Vrasjet e kërkuesve të ndihmave janë kthyer në një fenomen thuajse të përditshëm që prej marrjes në dorë të shpërndarjes së ushqimeve nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) në fund të majit, pas më shumë se dy muajsh bllokadë të plotë nga Izraeli.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka refuzuar të bashkëpunojë me GHF-në, duke shprehur shqetësime se ky fondacion vendos prioritetet ushtarake izraelite mbi nevojat humanitare, dhe e ka dënuar për “instrumentalizimin e ndihmës”.

Pikat e GHF-së janë kthyer në skena kaosi dhe kasaphane. Mbi 400 persona janë vrarë dhe 1,000 janë plagosur nga forcat izraelite që prej fillimit të programit të GHF-së.

Drejtori i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha të martën se sistemi aktual i shpërndarjes së ndihmave në Gaza është “një neveri”.

“Mekanizmi i sapokrijuar për ndihmat është një tmerr, që poshtëron dhe degradojnë njerëzit e dëshpëruar,” deklaroi ai në një konferencë për shtyp në Berlin. “Është një kurth vdekjeje që po merr më shumë jetë sesa po shpëton.”

Në një letër të publikuar të hënën, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve – një OJQ për të drejtat e njeriut me juristë dhe gjyqtarë të njohur – bashkë me 14 organizata të tjera, dënoi GHF-në dhe kërkoi “ndërprerjen e operacioneve të privatizuara ushtarake të ndihmës humanitare në Gaza”.

Philip Grant, drejtor i organizatës zvicerane TRIAL International, tha se modeli i GHF-së, që kombinon ndihmën me militarizimin dhe privatizimin, shkel parimet themelore humanitare.

Ai shtoi se ata që mundësojnë ose përfitojnë nga puna e GHF-së përballen me “rrezik real ndjekjeje penale për bashkëfajësi në krime lufte, përfshirë zhvendosjen e detyruar të civilëve dhe urinë si metodë lufte.” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button