Izraeli “pushton” edhe burimet energjetike të Gazës

Izraeli, i cili vrau dhjetëra mijëra civilë dhe fëmijë të pafajshëm në pushtimin e tij të paligjshëm të Gazës, gjithashtu “pushton” burimet e rajonit me licencat e kërkimit të gazit natyror që u jep kompanive ndërkombëtare në zonat brenda kufijve detarë të Palestinës.

Njoftimi i Izraelit për rezultatet e kontraktimit të dhjetorit të vitit 2022 në lidhje me zonat në ujërat palestineze, në një nga ditët kur i rriti sulmet, respektivisht më 29 tetor 2023, u interpretua si përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga një “fakt i paligjshëm”.

Në kuadër të kontraktimit në fjalë, qeveria izraelite u dha licenca gjashtë kompanive izraelite dhe ndërkombëtare për të eksploruar gaz natyror në zonat që konsiderohen zona detare palestineze sipas ligjit ndërkombëtar.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, situata është “ilegale”

Qendra Ligjore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave Arabe në Izrael “Adalah” më 5 shkurt i dërgoi letër Ministrisë së Energjisë së Izraelit, duke kërkuar anulimin e licencave të kërkimit të gazit natyror të dhëna në rajonin që bëjnë pjesë brenda kufijve detarë të Palestinës.

Pas kësaj, Al Mezan, Al-Haq dhe Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut u dërguan paralajmërime edhe kompanive të licencuara, që të mos kryejnë asnjë aktivitet në këto zona.

“Izraeli është fuqia pushtuese në Rripin e Gazës dhe ushtron kontroll të plotë efektiv mbi zonat detare të Palestinës. Organizimi i një kontraktimi të tillë dhe më pas dhënia e licencës për të kryer kërkime në këtë zonë përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës zakonore ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në deklaratën e “Adalah”.

Deklarata theksoi se në përputhje me ligjin ndërkombëtar në fuqi, Izraelit i ndalohet të përdorë burimet e kufizuara jo të rinovueshme të territoreve të pushtuara për përfitime komerciale dhe për të mirën e fuqisë okupuese, në përputhje me rregullat e përmendura në nenin 55-të të Rregullores së Hagës.

Fushat G, E dhe H në brigjet e Gazës janë të diskutueshme

Në deklaratën nga Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut thuhet se kontraktimi mbulonte një sipërfaqe shumë të madhe, por zonat G, E dhe H të paraqitura në hartë ishin të diskutueshme. Kompanitë SOCAR, NewMed Energy dhe BP fituan kontraktimin e kërkimit për fushën I, e cila ndodhet në zonën e padiskutueshme.

Për sa i përket Zonës G, Qendra njofton se ministria izraelite ka shpallur tashmë kompanitë kontraktuesit: Eni (Itali), Dana Petroleum (Britani, degë e Korporatës Kombëtare të Naftës së Koresë së Jugut) dhe Ratio Petroleum (kompani izraelite).

“62 për qind e zonës G shtrihet brenda kufijve detarë të deklaruar nga Palestina në vitin 2019 në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit”, thuhet nga qendra duke njoftuar se kontraktimi për zonat H dhe E ende nuk është hapur, ku një pjesë e tyre i takojnë Palestinës në kuadër të zonave detare.

Izraeli shkel kornizën e së drejtës ndërkombëtare të cilën duhet ta respektojë

Drejtori i Njësisë Ligjore dhe të Drejtave të Tokës dhe Planifikimit pranë Qendrës “Adalah” avokati dr. Suhad Bishara në një deklaratë për Anadolu (AA) thotë se depozitat e Izraelit në detin ngjitur me Gazën janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Sipas tij, Izraeli po hedh hapa të jashtëligjshme. “Në thelb, Izraeli ka vendosur të pezullojë çdo kuadër ligjor ndërkombëtar të cilat duhet t’i respektojë dhe në vend të kësaj të zbatojë ligjin e tij kombëtar. Këto veprime, përfshirë licencat e lëshuara nga Izraeli, janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjeve të detit”, theksoi Bishara.

“Ne u kërkuam atyre të anulonin licencat e tyre dhe të përmbaheshin nga lëshimi i licencave të reja në zonat e shpallura nga Palestina si zona ekskluzive ekonomike të saj”, tha ai duke shtuar se i kanë bërë thirrje edhe Ministrisë izraelite të Energjisë që është përgjegjëse nga këto licenca.

“Këtë e bëjnë për shkak të pafuqisë së Palestinës”

Kreu i Qendrës Turke të Strategjive Detare dhe Globale dhe Akademik pranë Fakultetit të Universitetit Topkapı doç. dr. Cihat Yaycı duke rikujtuar se Izraeli në vitin 2010 ka bërë marrëveshje për kufizimin e juridiksionit detar me Administratën Greke të Qipros Jugore, shpjegoi se në këtë marrëveshje nuk ishte dhënë zona që duhet t’i takonte Palestinës sipas ligjit ndërkombëtar.

Ai theksoi se Palestina duhet të posedojë shumë më tepër zonë se sa atë që ia ka njoftuar OKB-së në vitin 2019. “Palestina në fakt po e njofton zonën që i është dhënë. Kjo situatë është e rëndësishme pasi tregon se si injoranca çon në humbjen e të drejtave”, u shpreh Yaycı duke shtuar se Izraeli jo vetëm që ka pushtuar 85 për qind të Palestinës që nga viti 1947, por gjithashtu ka pushtuar 80 për qind të detit të tij.

Yaycı tërhoqi vëmendjen se Izraeli as nuk mundëson peshkimin, që është i vetmi burim i të ardhurave i popullatës së Gazës, si dhe transportimit përgjatë bregut detar të Gazës. “Më interesant është se tani kuptohet se një nga qëllimet më të rëndësishme pas bllokadës së Izraelit dhe moslejimit të kërkimit të naftës dhe gazit si dhe peshkimit atje është se ‘do ta pushtojë Gazën, pastaj do ta përdorë'”, thotë ai.

Sipas tij, Palestina në rajon është e pambrojtur. “Këtu nuk ka asnjë përleshje, ka shkelje të të drejtave të Palestinës. Por, për shembull, Türkiye nuk lejon shpime në juridiksionet e saj të vetëdeklaruara në Mesdheun Lindor. Ajo zbaton masat ushtarake dhe i pengon ato. Nuk mund të ofrojnë licencim në ato rajone. Ata po i bëjnë këto për shkak të pafuqisë së Palestinës”, theksoi Yaycı.

Rajonet ku do të kërkohet gaz natyror

Sipas informacionit të ndarë nga “Adalah”, Al Mezan, Al-Haq dhe Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut, Ministria izraelite e Energjisë njoftoi se u ka dhënë licenca gjashtë kompanive izraelite dhe ndërkombëtare për të eksploruar gaz natyror në zonat që konsiderohen zona detare palestineze sipas së drejtës ndërkombëtare.

Mes këtyre kompanive gjenden Eni (Itali), Dana Petroleum (Britani, degë e Korporatës Kombëtare të Naftës së Koresë së Jugut) dhe Ratio Petroleum (kompani izraelite). Licencat u dhanë pas Raundit të Katërt të Kontraktimit në det të hapur të lançuar nga Ministria izraelite e Energjisë dhe Infrastrukturës në dhjetor 2022.

Nga dy zonat e tjera për të cilat Izraeli ka shpallur kontraktim, 73 për qind e zonës H dhe 5 për qind e zonës E ndodhen brenda kufijve detarë të deklaruar nga Palestina. Thuhet se këto hapa të ndërmarra nga Izraeli janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e vendosura të së drejtës ndërkombëtare.

Kundërshtimet ndaj deklarimit të juridiksionit detar të Palestinës

Pas deklarimit të Palestinës për kufijtë e saj detarë brenda fushëveprimit të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit më 24 shtator 2019, Egjipti lëshoi njoftim drejtuar OKB-së më 31 dhjetor 2019 ku mes tjerash thuhet: “Qeveria egjiptiane refuzon dhe nuk njeh pikat që përcaktojnë kufijtë e jashtme të zonave detare të përcaktuara në deklaratën e bërë nga Palestina. Ky kufi përkon me kufirin detar lindor të Egjiptit në Mesdhe”.

Më pas më 14 janar 2020 edhe Izraeli njoftoi OKB-në se nuk i njeh kufijtë e deklaruar nga Palestina. Së fundmi, në njoftimin nga Palestina në OKB më 12 dhe 27 prill 2022, u përcoll një notë lidhur me aktivitetet e paautorizuara detare në zonat detare të vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button